1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi ndaj Motasadekut!

Hajnc Dylong16 Nëntor 2006

Që prej më shumë se pesë vjetësh punon drejtësia gjermane në atentatet e 11 shtatorit 2001 në SHBA. Sot Gjykata Federale vendosi për herë të dytë në një procedurë revizioni kundër të dyshuarit si ndihmës për terrorizmin, Munir el Motasadek.

https://p.dw.com/p/Aqo3
Munir Mutasadek
Munir MutasadekFotografi: AP

Në fakt, marokeni Munir el Motasadek është dënuar dy herë para Gjykatës së Lartë të Hamburgut: njëherë, në vitin 2003, me 15 vjet heqje lirie për shkak të ndihmës për vrasje dhe anëtarësisë në një organizatë terroriste; dhe herën e dytë, në gusht 2005, me shtatë vjet heqje lirie për shkak të anëtarësisë në një organizatë terroriste. Por të dyja këto vendime u anulluan. Më parë, si mbrojtësi i Motasadekut, ashtu edhe prokuroria e përgjithshme kaluan në revizion: mbrojtësit donin një dënim më të butë, prokurorët një dënim më të ashpër.

Prandaj tani vendos Gjykata Federale në Hamburg. Vendimtare në këtë procedurë është nëse Motasadeku është fajtor për dhënien e ndihmës për të vrarë në atentatet ndaj World Trade Center në Nju Jork më 11 shtator 2001, apo nëse ai duhet të dënohet "vetëm" për anëtarësim në një organizatë terroriste- sic e sheh këtë mbrojtja.

Gjykata e shkallës së lartë në Hamburg, në procesin e dytë e dënoi Motasedekun "vetëm" për anëtarësi në një organizatë terroriste. Për këtë, sipas mendimit të gjykatës flasin shumë gjëra: Motasadeku, sipas njohurive të procesit gjyqësor të Hamburgut, ka ruajtur për atentatorët e mëvonshëm të 11 shtatorit rreth Mohamed Atta si të thuash strukturën organizative në Hamburg, edhe në mungesë të atentatorëve. Dhe Motasadeku ka fshehur përballë familjeve dhe shokëve qëndrimet konspirative të shokëve të tij të besimit në Afganistan, ose në shkolla aviacioni në SHBA.

Sipas konstatimeve të Gjykatës së Shkallës së Lartë të Hamburgut, Motasadeku e dinte se grupi rreth Attas planifikonte atentate me atentatorë vetëvrasës me avionë civilë. Por ai nuk kishte pasur dijeni për detajet e hollësishme të atentatit të mëvonshëm të 11 shtatorit 2001. Sipas këtij interpretimi, i akuzuari Motasadek nuk e kishte të qartë se avionët do të përplaseshin në ndërtesa si Twin Towers ose Pentagoni, për ta rritur numrin e viktimave në dimensione të paparashikueshme. Sipas mendimit të gjykatësve në Gjykatën e Shkallës së Lartë të Hamburgut, pas kësaj ra edhe akuza e ndihmës për të vrarë.

Kjo mënyrë interpretimi e ngjarjeve, sipas mendimit të kryetarit gjykatës në Gjykatën Federale në Karlsruhe, Klaus Tolksdorf është një rrugë e gabuar. Tolksdorfi nguli këmbë në seancën gojore tetorin e kaluar, se Gjykata e Hamburgut ka rënë pre e "mendimeve me aromë lulesh". Motasadeku e kishte pasur të qartë shumë mirë, se të paktën ekipazhi dhe pasagjerët, pra disa qindra vetë, do të gjenin vdekjen në atentatet me pesë avionë. Kjo vërteton qartë edhe akuzën për dhënien e ndihmës për të vrarë, argumenton Tolksdorf.