1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi kundër gazetarëve kritikë në Turqi

bc/chr/fab (dpa, epd)25 Mars 2016

Në Stamboll duhet të përgjigjen sot në gjyq kryeredaktori dhe drejtori i zyrës në Ankara i gazetës "Cumhuriyet". Një goditje tjetër kundër lirisë së mediave në Turqi, thonë kritikët.

https://p.dw.com/p/1IJqr
Türkei Istanbul Cumhuriyet Prozess Can Dündar
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Spiunim, bërje publike e sekretit të shtetit, përgatitje e aktiviteteve kundër shtetit dhe bashkëveprim me grupet terroriste - këto janë fajësimet në aktakuzën kundër Can Dündar, kryeredaktor i gazetës kritike ndaj qeverisë "Cumhuriyet" dhe Erdem Gül, drejtor i zyrës së gazetës në Ankara.

Gazetarët janë arrestuar në fund të nëntorit, sepse kanë raportuar për dërgimin e armëve nga shërbimet sekrete turke për kryengritësit islamikë në Siri. Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan tha se kjo ishte një vepër penale dhe ai personalisht e ka paraqitur rastin kundër Dündar dhe Gül. Pas tre muaj hetimesh, ata janë liruar përkohësisht në fund të shkurtit. Tani fillon procesi dhe gazetarët rrezikohen me burgim të përjetshëm.

Gazetarët kritikojnë shumë Erdoganin

Kryeredaktori Dündar i ka hedhur poshtë të gjitha kritikat, por edhe vetë e di se mbase do të dënohet.

Në një intervistë me DPA ai tha: "Turqia nuk ka qenë kurrë një parajsë për gazetarë. Vetëm gazeta ku punoj unë ka dhënë katër martirë të profesionit, pra katër gazetarë të vrarë (...) por t'ju them sinqerisht, një presion kaq të madh nuk kemi pasur as në kohën e puçit ushtarak." Presidenti i quan Dündarin si "bos të madh të mediave në Turqi". Erdogani ka ushtruar presion ndaj biznesmenëve që ta blejnë këtë gazetë, e madje edhe vetë është angazhuar për këtë.

Gazeta Cumhuriyet nën goditjen e qeverisë
Gazeta Cumhuriyet nën goditjen e qeverisëFotografi: picture-alliance/dpa/C. Turkel

Edhe organizata "Reporterët pa Kufij" e sheh kështu gjendjen. Ajo ka kërkuar nga drejtësia turke që të mbyllë menjëherë procesin kundër gazetarëve. Ky është një skandal, tha Christian Mihr të mërkurën në Berlin. Rasti është "simptomatik për përvojat e Turqisë në luftën kundër gazetarëve të padashur", tha Mihr, i cili kërkon lirimin e gazetarëve dhe liri për shtypin.

Nuk ka shtyp të lirë

Në listën e lirisë së shtypit, Turqia është në vendin e 149 nga 180 vende - pas vendeve të Afrikës Nigeri, Liberi, Zambi dhe Mali. Edhe në raportin më të fundit të organizatës amerikane Freedom House për gjendjen e lirisë së shtypit, Turqia llogaritet ndër vendet "jo të lira".

Muajt e kaluar janë shtuar dukshëm masat represive kundër mediave në Turqi. Prokuroria në fund të tetorit e ka vënë nën mbikqyrjen e shtetit koncernin "Koza Ipek". Gazeta "Zaman" dhe "Today's Zaman" në fillim të marsit kanë qenë nën mbikqyrjen e shtetit. "Zaman" ka ndryshaur së fundi linjën dhe tani e mbështet qeverinë. Edhe gazetarët e huaj në Turqi janë nën presion. Së fundi korespondeti i mediave "Spiegel" dhe "Spiegel Online", Hasnain Kazim është larguar nga Stambolli, pasi autoritetet nuk i kanë vazhduar akreditimin.