Proçedurë e përshpejtuar pranimi për të talentuarit | Evropa | DW | 21.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Proçedurë e përshpejtuar pranimi për të talentuarit

Propozime të komisarit të BE-së Fratini për politikën e ardhshme të migrimit

Komisari i BE-së për drejtësinë dhe politikën e brendshme, Franko Fratini

Komisari i BE-së për drejtësinë dhe politikën e brendshme, Franko Fratini

Komisioni europian synon të njësojë dhe koordinojë vitet e ardhshme politikën e migrimit të vendeve anëtare. Megjithatë autoriteti vendimarrës i vendeve të BE-së nuk duhet të cënohet u shpreh të mërkurën komisari i BE-së për drejtësinë Franko Fratini. Migrimi i ligjshëm do të thjeshtohet në përgjithësi për të mundësuar kështu luftimin e qëndrimit ilegal, punën e zezë dhe kriminalitetin e importuar.

Quotat për migrimin që vlejnë në nivel europian nuk do të egzistojnë në të ardhmen. Komisari i BE-së për politikën e brendshme dhe drejtësinë, Franko Fratini, e ka braktisur përfundimisht këtë ide të paraqitur prej tij në fillim të vitit:"Gjermania dhe vendet e tjera mund të vendosin vetë sa imigrantë do të pranojnë çdo vit",është shprehur Fratini.
Ministri gjerman i punëve të brendshme Volfgang Shojble i kishte bërë të qartë Fratinit se qëndrimi refuzues i Gjermanisë në këtë pikë nuk kishte ndryshuar me ndërrimin e qeverisë në Berlin. Megjithatë është shprehur Franko Fratini, Komisioni i BE-së dëshiron të koordinojë kuotat dhe rregullat nacionale të migrimit me vendet e origjinës për rreth 1,85 milionë migrantët e ligjshëm që hyjnë çdo vit në Bashkimin Europian:"Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që migrantët e ligjshëm të përfitojnë të njëjtat të drejta në arsim, kujdes shëndetësor dhe lirinë e lëvizjes".
Përballë numrit të madh të njerëzve që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në BE është e nevojshme të lehtësohet migrimi i ligjshëm është shprehur Fratini. Për këtë arsye duhen vendosur kritere të qarta për migrimin:"Aktualisht të gjitha shtetet anëtare kanë politikën e tyre të emigrimit dhe në të njëjtën kohë masë të madhe migrimi të paligjshëm. Objektivi ynë duhet të jetë të fusim këtë migrim të paligjshëm në një kuadër ligjor", u shpreh komisari i BE-së politikën e brendshme dhe drejtësinë. Kështu mund të luftohen edhe kriminaliteti i importuar dhe puna në të zezë pasi migrantët e ligjshëm nuk mund të shfrytëzohen aq lehtë. Synim i BE-së duhet të jetë të tërheqë para së gjithash të rinj me arsim të lartë dhe të talentuar. Ata duhen integruar më mirë dhe mund të jenë një masë kundërvepruese ndaj mbiplakjes së shoqërisë europiane. Komisioni i BE-së vlerëson se deri në vitin 2030 Europës do t'i mungojnë rreth 20 milionë krahë pune. Sot pjesa më e madhe e këtij grupi migrantësh emigron në ShBA:"Ne propozojmë një procedurë të përshpejtuar pranimi për të inkurajuar të rinjtë shumë të talentuar të vijnë dhe të punojnë në Europë."
Supozimin e qeverisë gjermane se me të papunët në vend mund të zëvendësohen ndihmësit e huaj gjatë periudhës së korrjes apo punëtorët sezonalë e ka kundërshtuar komisari i BE-së për tregun e punës Vladimir Spidla: "Eshtë e vërtetë që puna sezonale nuk paraqet trysni ndaj punëtorëve vendas pasi ajo përbën një boshllëk të veçantë". Punëtorët sezonale kryejnë në përgjithësi punë që një vendas nuk dëshiron t'i bëjë në periudhë afatgjatë është shprehur Spidla. Komisioni i BE-së është për rregullimin afatgjatë të punës së ligjshme sezonale p.sh. me anë të lejeve të punës pesëvjeçare të vlefshme gjatë kohës së korrje-vjeljeve. Ky rregull nuk ka parasysh vjelësit polakë të cilët janë aktualisht në qendër të debatit gjerman pasi polakët janë tashmë qytetarë të BE-së dhe u nënshtrohen rregullave të tjera. Propozimet e Komisionit të BE-së kanë parasysh vetëm migrantët nga vendet e tjera jashtë BE-së.

  • Data 21.12.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCX
  • Data 21.12.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCX