Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore në Kosovë avancon me probleme | Ekonomia | DW | 26.12.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ekonomia

Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore në Kosovë avancon me probleme

Ekspertët e ekonomisë thonë se privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha shtetërore është bërë me ngut, meqë sipas tyre autoritetet nuk kanë bërë një analizë e mirëfilltë për tendencat e zhvillimit ekonomik

Privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha shoqërore është bërë me ngut

Privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha shoqërore është bërë me ngut

Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore ka shtuar të papunët

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore në Kosovë që nga paslufta ishte një nga proceset shumë të ndieshme që vazhdimsht zgjoi debat ndër njohësit e ekonomisë nëse ky proces duhet përmbyllur shpejtë pa analiza të mirëfillta, apo duhet të zgjasë me dekada varësisht nga trendet e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Disa ndërmarrje shoqërore të cilat u privatizuan, nuk arritën tu përmbahen zotimeve dhe ato janë para falimenitmit, ndërsa tash zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thonë se ndërmarrjet të cilat nuk arrijnë të përmbushin të gjitha zotimet zotimet do t'i nënshtrohen serish procesit të privatizimit. Një ndër këto ndërmarrje është edhe fabrika Lamkos nga Vushtria, e destinuar për përpunimin e llamarinës. Në vitin 2004, kjo fabrikë u ble nga një firmë nga Bullgaria. Punoi katër vjet me kapacitete të plota, por tash e dy vjet kjo fabrikë e ka ndërprerë prodhimin. Sipas menaxherëve të fabrikës, kriza financiare botërore preku tregun e fabrikës dhe për pasojë Llamkos është para falimentimit. Punonjësit e saj ka muaj që nuk marrin paga edhe pse ligji i punës u garanton punonjësve me kontratë pune të ardhura. Punëtorët vazhdimisht protestojnë para fabrikës dhe një të tillë e mbajtën edhe këtë javë.

“Dikush qëllimisht ka dëshiruar që ta falimetojë fabrikën e Llamkosit."

“Ka muaj që nuk marrim paga, kjo është e pakuptueshme”.

“Ne po protestojmë, sepse fabrika është privatizuar para katër vjetësh, ka punuar mirë deri tash, ndërsa tash po thuhet se firma bullgare që e ka blerë Fabrikën ka falimentuar, mund të jetë kjo, por pavarësisht kësaj ne kërkojmë pagat tona”, shprehen punëtorë të fabrikës.

Me procesin e privatizimit të ndërmarjeve shoqërore u mendua se do të krijohen vende të reja pune të qëndrueshme. Mirëpo, sipas kryetarit të sindikalistëve kosovarë, Haxhi Arifi, ndodhi e kundërta.

“Me këtë tranzicion dhe me këtë privatizim që po ndodh në Kosovë po krijohet një gjendje alarmante, sepse vetëm është shtuar numri i të papunëve, punëtorët të cilët mbesin pa punë nuk kanë kurrfarë mbështetjeje, punëtori ka punuar me vite të tëra, ndërsa tash nga ndërmarrja që privatizohet e merr një 20 përqindësh, që punëtorëve nuk u garanton as kafshatën e gojës”, thotë Haxhi Arifi.

Interesimi i investuesve të huaj nuk mungon kur ka politika të favorshme

Sidoqoftë, procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë po vazhdon. Ai është paraparë të përfundojë deri në vitin 2015. Ofertat e fundit për këtë vit ishin ato nga vala e 39-të e privatizimit ku në shitje u hodhën dhjetë ndërmarrje shoqërore. Vlera e përgjithshme e ofertave ishte 2 milion e 319 mijë euro. Të gjitha këto ndërmarrje të raundit të 39-të privatizimit ishin të vogla, sepse, Agjencia Kosovare e Privatizimit në këtë fazë, kur akoma ndihet kriza ekonomike financiare botërore nuk dëshiron që t'i privatizojë ndërmarrjet e mëdha. Kjo për faktin që Agjencia është e interesuar që vlera e ndërmarrjeve të mëdha dhe interesimi i investuesve të huaj të jetë sa më i lartë. Mirëpo ekspertët e ekonomisë thonë se ky është gabim. Sipas Safet Gerxhaliut, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, interesimi i investuesve të huaj nuk mungon kur ka politika të favorshme për ta.

“Nëse ata e gjejnë interesin e vet, nëse ekziston një politikë e mirëfilltë e promovimit të tyre, nëse ka transparencë dhe jokorrupsion, atëherë interesimi do të ishte ai. Duhet të analizohet situata, jo vetëm në kontestin e këndvështrimit kosovar, por dhe global. Edhe pse është krizë, ndodhin transaksione të ndryshme, shitblerje të shumta dhe ndoshta m'u dikush në këtë moment ka dëshirë që të shfrytëzojë që të jetë prezent në treg”, thotë Safet Gerxhaliu.

Që nga fillimi i procesit të privatizimit menjëherë pas luftës e deri më tash, janë privatizuar afër 500 ndërmarrje shoqërore. 24 nga to të cilësuara me interes të veçantë janë privatizuar me metodën e spin-off - it special. Gjatë këtij procesi mbi 9.000 investitorë vendasë dhe të huaj kanë marrë pjesë në privatizim. Nga shitja e afro 500 ndërmarrjeve shoqërore, Kosova ka përfituar mbi 400 milion euro, por këto të holla akoma mbahen jashtë Kosovës.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtina

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 26.12.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LDvo
  • Data 26.12.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LDvo