1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina ndalon trenin e Serbisë të hyjë në Kosovë

Bekim Shehu
15 Janar 2017

Serbia pa leje nga autoritetet e Kosovës deshi ta përurojë të shtunën linjën e re të trenit Beograd- Veriu i Kosovës. Prishtina zyrtare dërgoi policinë e saj në kufirin me Serbinë dhe e ndaloi trenin të hyjë në Kosovë.

https://p.dw.com/p/2VpM3
Pristina Spannungen zwischen Servien und Kosovo
Fotografi: picture-alliance/AA/M. Halilovic

Policia e Kosovës nuk e lejoji që të hyjë në Kosovë një tren udhëtarësh dhe me zyrtarë të qeverisë së Serbisë që ishte nisur nga Beogradi me destinacion veriun e Kosovës e banuar me shumicë serbe. Autoritetet e Serbisë pa marrë leje nga autoritetet e Kosovës, të shtunën me (14.01) dëshironin ta përuronin, siç thanë, linjën e re të trenit Beograd- Veriu i Kosovës, për herë të parë që nga përfundimi i luftës. Treni serb që thuhet se është dhuratë nga qeveria e Rusisë, ishte i mbuluar me ngjyrat e flamurit të Serbisë, në të mbante mbishkrimin në 21 gjuhë të botës ”Kosova është Serbi”, dhe muret brenda trenit ishin të veshura me fotografi dhe ikona mesjetare të manastireve serbe në Kosovë.

Treni në stacionin e Beogradit
Treni në stacionin e BeograditFotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Për autoritetet e Prishtinës ky ishte një provokim nga Serbia dhe hyrja e Trenit serb në Kosovë pa leje të autoriteteve përkatëse, siç thanë "cënon sovranitetin e Republikës së Kosovës”. 

Ministri i Punëve të Brendshme, i qeverisë së Kosovës Skënder Hyseni, tha se gjatë ditës së shtunë se ai u ka dhënë urdhër policisë që treni që u nis nga Serbia të mos lejohet të hyjë në teritorin e Kosovës.

"Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet duke përfshirë edhe ato alternative që treni të ndalohet. Ka urdhër të prerë që të veprohet në pajtim me ligjin, që do të thotë të ndalohet hyrja e atij treni të paligjshëm në territorin e Kosovës”, tha ministri i punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një deklarim të tij, tha se "Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, "hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme”.

"Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë, të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi. Prandaj, çfarëdo që është ilegale dhe cënon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet.

Ky tren është provokim i radhës dhe autoritetet e Kosovës duhet t'i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të tij”, u shpreh Presidenti Hashim Thaçi.

Në orët e mbëmjes së ditës së shtunë, në një konferencë të jashtëzakonshme, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuqic, tha se institucionet e Kosovës me trupa të shtuara policore nuk kanë lejuar trenin serb që të hyjë në Kosovë dhe për këtë ai thotë se e ka informuar edhe shefen për politikë të jashtme të BE-së, Federika Mogherini.

Spannungen zwischen Servien und Kosovo
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

"E kam informuar Mogherinin dhe i kam treguar se sa jam i dëshpëruar me mosreagimin e BE-së. Pres reagimin e rusëve, nesër të Kinës, e nesër a pasnesër do ta kontaktoj edhe Bidenin. Do ta bëjmë një analizë të të gjitha shkeljeve që kanë bërë shqiptarët javët e muajt e fundit”, tha kryeministri serb Vuçiç. Ai tha se ”Serbia e do paqen dhe do t'i ndërmarrë hapat për ta ruajtur paqen”.

"U bëj thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe vërejtja ime e fundit për shqiptarët dhe lutja për ta në Kosovë është që të mos tentojnë t'i sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë", tha Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nga ana e tij, poashtu në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, tha se autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë masat ligjore dhe kanë ndaluar trenin e Serbisë që të hyjë në Kosov, duke mbrojtur sovranitetin e vendit.

"Republika e Kosovës është jetësisht e përkushtuar që të kontribuojë në lëvizjen e lirë të qytetarëve, realizimin e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve, por nuk do të lejojë provokime të tilla, të cilat kanë për synim final kthimin e Kosovës dhe të rajonit në vitet e errëta të konflikteve të paparashikueshme”, tha kryeministri Mustafa.

Spannungen zwischen Servien und Kosovo
Fotografi: picture-alliance/AA/Kosovan Prime Ministry

I menjëhershëm ka qenë reagimi edhe i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj i cili tha se ”Serbia është burim i konfliktit dhe jostabilitetit” dhe deklaratat e kryeministrit serb Vuqic, i ka cilësuar të papranueshme”.

"Qeveria e Kosovës ndaloi sot trenin ilegal të nisur nga Beogradi. Me këtë provokim të ri, Serbia po tregon që është burim i konfliktit, jostabilitetit dhe provokimit. Është shtet që jeton me të kaluarën e errët. Por kurdo që ka nevojë, ne do të sillemi sërish në mënyrë shtetërore për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe dinjitetin e një shteti të ri e të pavarur që i kemi borxh shumëçka. Sjelljet e javëve të fundit të Serbisë janë një kambanë alarmi edhe për partnerët tanë evropianë për të kuptuar drejt se me çfarë mentaliteti millosheviçian kemi të bëjmë”, tha në një deklaratë Enver Hoxhaj.

Një ditë më parë, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i ka shkruar letër Bashkimt Evropian, që është ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, që siç thotë "BE-së të ndalë destruksionet e Serbisë në Kosovë, përfshirë edhe provokimin me trenin nga Beogradi”. Ajo ka thënë se "çështja e trenit nuk ka qenë pjesë e dialogut në Bruksel dhe rrjedhimisht edhe është çështje e përgjegjësive të institucioneve të tjera të Kosovës”.

"Unë kam kërkuar ndërhyrjen e BE-së për të ndalur Serbinë dhe destruksionet e saj ndaj Kosovës, përfshirë provokimin nga ky tren me simbolika ultra-nacionaliste, në emër të ruajtjes së paqes e stabilitetit dhe parimeve të dialogut për fqinjësi të mirë”, tha ministrja Tahiri.

Kohët e fundit autoritetet serbe dhe ato kosovare kanë ashpërsuar retoriken, sidomos pas ndërtimit të një muri ndarës nga serbët në qytetin e Mitrovicës, arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Hradinaj nga policia franceze në bazë të një urdhër arresti të Serbisë dhe tash së fundi, tentimin e hyrjes në Kosovë të një treni të Serbisë pa lejen e autoriteteve të Kosovës. Kosova dhe Serbia tash e pesë vjet zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.