Prishtinë: Mobilizohet skena politike pas letrës paralajmëruese nga SHBA-ja | Ballkani | DW | 13.02.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Prishtinë: Mobilizohet skena politike pas letrës paralajmëruese nga SHBA-ja

Ekipi negociator i Kosovës në fund të kësaj jave e dorëzon në parlament platformën për dialog. Presidenti Thaçi dhe ambasadori i SHBA pajtohen që të shmangen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Letra e tre zyrtarëve të lartë të administratës amerikane që e paralajmëruan Kosovën për pasoja nëse nuk e pezullon taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, mobilizoi skenën politike kosovare në përpjekje për të folur me një zë në raport me situatën e krijuar. Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe delegacioni shtetëror për bisedime me Serbinë u mblodhën të mërkurën (13.02)për të diskutuar platformën e bisedimeve dhe letrën e tre zyrtarëve amerikanë që paralajmërojnë masa ndaj Kosovës. Nga ana tjetër, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi veçmas ambasadorin SHBA-së në Kosovë Philip Kosnet. Ata, sipas Presidentit, "janë pajtuar që të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t'i hapet rruga marrëveshjes paqësore".

"Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera, parime dhe synime të përbashkëta. Në këtë rast, synimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë paqe e stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon, si parakusht për zhvillim e prosperitet të vendit tonë. Çelës për paqen është arritja e një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një komunikatë të Presidencës pas takimit të Thaçit me ambasadorin Kosnet. Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, megjithë paralajmërimet e SHBA-së për pasoja, nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga vendimi i tij për ta mbajtur taksën ndaj produkteve të Serbisë. Haradinaj pas publikimit të letrës së tre zyrtarëve të lartë amerikan ritheksoi qëndrimin, se "taksat ndaj mallrave serbe hiqen bashkë me njohjen nga Serbia”.

"Unë mendoj që përkundër faktit që të gjithë dëshirojmë të shprehim dashurinë për Amerikën edhe respektin dhe vërtetë ne jemi me SHBA-në, por kjo nuk ka të bëj me përvojën time në partneritet me Amerikën. Kjo ka të bëjë me një proces 20 vjeçar me Serbinë që e ka lodhë Kosovën, nga një gjendje e pritjes, nga një dialog që fillon e ndalet dhe i ka kushtuar Kosovës një proces i tillë. Unë jam kundër kësaj logjike më dhe do t'i mbetem besnik bindjes, se ekziston mënyra për të hequr taksën, por duhet ta përgatisim një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, pra marrëveshja e heq taksën, marrëveshje detyruese ligjore për njohje", tha Ramush Haradinaj.

Të ndodhur në këtë situatë që mediet në Prishtinë po e përshkruajnë "dramatike”, ekipi shtetëror për bisedime me Serbinë, zhvilloi takim me kryeministrin Haradinaj dhe kryetarin e kuvendit Kadri Veseli. Njëri nga bashkëkryesuesit e delegacionit, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, tha se udhëheqësit politik nuk duhet ta lënë vetëm njëri-tjetrin.

"Nuk mund ta lëmë vetëm kryeministrin në këtë çështje, sepse presioni po shkon drejt te ai. Nëse marrim vendim bashkë ta mbajmë taksën të bëhemi të gjithë, e nëse vendosim ta heqim, të bëhemi të gjithë bashkë. Unë mbetem i bindur se kjo nuk rrezikon marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara", tha Shpend Ahmeti.

Ekipi negociator i Kosovës, në dialogun me Serbinë, u prezantoi po ashtu udhëheqësve të institucioneve një draft-platformë për dialogun. Shpend Ahmeti tha, se "platforma pritet që zyrtarisht të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës deri të premten”.

"Në takim janë diskutuar dy gjëra, çështjet përfundimtare për platformën dhe letra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ka ardhur nga tre përfaqësues të institucioneve atje. Jemi para përfundimit të draftit, sot besoj që i kemi edhe disa diskutime që të premten ta dorëzojmë zyrtarisht”, tha Shpend Ahmeti.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, një javë më parë në një nga deklarimet e tij gjatë një vizite në SHBA, ka theksuar se një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë edhe demarkimi i kufirit. Mirëpo, kjo çështje nuk do të përfshihet në platformën e dialogut tha bashkëkryesuesi i ekipit negociator Shpend Ahmeti, i pyetur nga gazetarët.

"Absolutisht jo as nuk është përmendur në takim dhe as nuk do të përfshihet në platformë”, tha Shpend Ahmeti

Ekipi shtetëror për dialog me Serbinë dhe draft-paltforma e tyre po vazhdon të kundërshtohet nga dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK ) dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilët megjithë vendet e rezervuara për ta në ekip, ata nuk po pranojnë të jenë pjesë e delegacionit.

Shef i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare LDK-së, Avdullah Hoti, thotë, se "Procesi i dialogut duhet të zhvillohet vetëm me pajtueshmëri prej 2/3 të votave të Kuvendit. Çdo format tjetër i zhvillimit të dialogut e bën atë jo legjitim dhe jo kushtetues”.

"Duke qenë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet politik për të përfaqësuar Kosovën në dialog, atëherë janë dy mundësi. E para, dialogu të zhvillohet pas zgjedhjeve nga institucionet legjitime bazuar në përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe e dyta, formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, e cila e përmbyll dialogun dhe e përgatit vendin për zgjedhje. Në të dyja rastet dialogu zhvillohet vetëm me pajtueshmërinë e 2/3 të votave në Kuvend”, shkroi në profilin e tij Avdullah Hoti.

Sipas tij, në cilindo variant, të gjithë ta kenë të qartë se "integritetit territorial i Republikës së Kosovës dhe karakteri unitar i shtetit nuk negociohen. Kosova nuk mund të hyjë në pazare për territor”, thotë ai, duke rikujtuar se "në dakordim me partnerët ndërkombëtarë, më 17 shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë shpallur pavarësinë” dhe këtë vendim sipas tij "shteti i Kosovës e ka mbrojtur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konkluduar se pavarësia e Kosovës nuk e ka cënuar të drejtën ndërkombëtare”.

Sidoqoftë, tash për tash dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë i ngrirë për shkak të tensioneve që u krijuan pas lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, ndërsa, si kundërpërgjigje Kosova vendosi taksë 100% për mallrat e Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare vazhdon të këmbëngulë që Kosova ta heq taksën ndaj mallrave serbe dhe në këtë mënyrë t'i hapet rruga dialogut për një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme Kosovë-Serbi.