1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtinë: përleshje në rrugë mes policisë dhe protestuesve

Bekim Shehu18 Nëntor 2015

Simpatizantët e opozitës patën përplasje me policinë, pasi kjo e fundit arrestoi deputeten e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Policia po kërkon edhe tre deputet tjerë, që akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend.

https://p.dw.com/p/1H8XY
Ptotest Pristina Kosovo Polizei
Fotografi: DW/B.Shehu

Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe simpatizantësh të partive opozitare të cilët hodhën gurë, koktej molotov dhe gjësende të forta kundër policisë, pasi që kjo e fundit arrestoi deputeten e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi. Arrestimi i deputetes Bujupi, pasoi njoftimet se një gjykatë në Prishtinë kishte lëshuar urdhër arresti për katër deputetë të parlamentit, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin nga lëvizja Vetëvendosje dhe deputeten Kadaj-Bujupi. Të katër deputetët kishin hedhur gaz lotsjellës në ambientet e parlamentit të Kosovës, duke pamundësuar kështu të mbahen seancat në parlament. Përleshjet ndërmjet policisë dhe simpatizantëve të opozitës u shtrinë pothuaj në të gjitha rrugët e Prishtinës, duke shkaktuar kështu edhe dëme materiale nëpër lokalet afariste. Policia njoftoi se janë lënduar katër policë, ndërsa ka arrestuar 13 protestues.

Deutschland Abschiebung der Flüchtlinge nach Kosovo und Albanien vom Flughafen München
Fotografi: Reuters/M. Rehle

“Policia e Kosovës është në realizim e sipër edhe të Fletë-Arresteve tjera për personalitetet tjera që kërkohen dhe në momentet kur takohen të njëjtit do të sillen në Prokurori ashtu siç parashihet në Fletë-Arreste”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, kërkoi lirimin e deputetes Kadaj-Bujupi ndërsa u bëri thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë, siç thonë “të mos shndërrohen në vegla të pushtetit duke zbatuar urdhra politik”.

“AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve: Asociacionin dhe Demarkacionin, përkundër shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal, i cili është vënë në tërësi në funksion kundër interesave të shtetit duke cënuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, tha se policia në orët e mëngjesit janë bastisur banesa e deputetit Albin Kurti dhe ajo e Albulena Haxhiut.

“Policia po i përgjigjet urdhërave policore të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, të cilët janë të gatshëm ta shndërrojnë Kosovën në shtet policor, vetëm që të mos heqin dorë nga pushteti i tyre dhe nga marrëveshjet që kanë bërë me Serbinë. Deputetja Kadaj - Bujupi duhet liruar menjëherë dhe përndjekja ndaj opozitës duhet të përfundojë. Ne nuk do të ndalemi pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë, pavarësisht sa larg është i gatshëm të shkojë pushteti, në mbrojtje të “Zajednicës”, thuhet në një reagim të kësaj lëvizjeje.

Njohësit e rrethanave politike dhe juridike, thonë se marrëveshjet politike mund ta qetësojnë situatën, në të kundërtën nëse vazhdohet me këtë kokëfortësi nga të dyja kampet, gjendja mund të pëshkallëzohet.

Kosovo Gewalt bei Oppositionsdemo in Prishtina
Fotografi: picture-alliance/epa/V. Xhemaj

Vigan Qorroli, jurist profesor në Universitetin e Prishtinës, i tha DW, se arrestimet e deputetëve nuk e plotësojnë asnjë kusht ligjor të parashikuar me Kushtetutë dhe Kod Penal.

“Arrestimi i një numri të caktuar deputetësh për qëllime që janë krejtësisht politike është gabim dhe thikë pas shpine për guximin dhe shprehjen e bindjes së lirë politike, e cila në raste të caktuara edhe mund të shkojë përtej konvencionit legal. Një rast i tillë është tërësisht arbitrar, politikisht dhe juridikisht. Nga aspekti juridik është pak e besueshme që Prokuroria të jetë në gjendje të vlerësojë provat, të cilat kanë të bëjnë me një ndodhi siç ka ndodhur ajo me zë dhe me figurë në Kuvendin e Kosovës”, thotë Vigan Qorroli.

Sipas tij, organi i akuzës me sa duket bazohet në prova publike, të cilat i ka parë në tërësi opinioni publik kosovar. Prandaj ai thotë se është gabim në hapat e prokurorisë, e cila nuk ka nevojë të hetojë diçka që është publike, e parë dhe e dëgjuar në televizor.

“Çdo arrestim mbi bazën e një inercioni të tillë emocional apo çdo ngritje akuze për veprimet kryekëput politike të deputetëve opozitarë do të ketë pasoja pokaq të rënda politike në sytë e qytetarëve, gjë që do të konsiderohej si drejtësi selektive dhe qërim politik i hesapeve mes dy kampeve politike. Kjo në fakt do të paraqiste as më shumë e as më pak sesa një hakmarrje primitivisht politike çka pashmangshmërisht do të sjell një reagim publik me protesta në mbrojtje të një kauze thellësisht politike”, thotë profesori Vogan Qorrolli.

Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdimisht e dënon dhunën e ushtruar siç thonë nga opozita dhe përkrahësit e saj.

“Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime ekstreme, janë të drejtuara kundër Republikës së Kosovës dhe progresit që po arrihet me përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, akte të cilat kanë për synim zhytjen e Republikës së Kosovës në anarki dhe krim”, thuhet në një reagim të qeverisë.

Tash e gati dy muaj partitë opozitare nuk po lejojnë mbajtjen e seancave të parlamentit, duke kundërshtuar marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.