Prioritete për Rusinë zhvillimi demografik dhe modernizimi ushtrisë | Politika | DW | 10.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Prioritete për Rusinë zhvillimi demografik dhe modernizimi ushtrisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përcaktuar ndihmën për familjen si prioritetin më të lartë të politikës së tij. Këtë ai e deklaroi përballë uljes drastike të numrit të popullsisë në vendin e tij. Në fjalën e tij njëorëshe para deputetëve dhe përfaqësuesve të jetës publike, Putini tha se synim tjetër është modernizimi i arsenaleve të armëve dhe kalimi në një ushtri profesioniste.

Putini duke folur për gjendjen e kombit

Putini duke folur për gjendjen e kombit

Thelbi i fjalimit të Putinit: Rusia shihet në botë si partnere e rangut të dytë, por ajo kërkon një vend të përshtatshëm në ekonominë botërore dhe në politikën botërore. Për ta arritur këtë, Rusia duhet të bëjë shumë në politikën e brendshme. Në lidhje me konfliktet aktuale në politikën e jashtme, si grindjen për politikën atomike iraniane, ai nuk u shpreh konkretisht. Edhe marrëdhëniet me SHBA dhe BE u përmendën vetëm shkarazi, ekziston një dialog i përhershëm midis të dyja palëve, tha Putini. Përsa i përket OKB-së, Putini tha se nevojitet urgjentisht një reformë.

Një nga pasazhet më të gjata në tekstin e tij Putini ia kushtoi ushtrisë dhe flotës si dhe ndryshimeve të nevojshme. Ai synon ta ngrejë gatishmërinë për mbrojtje, përmes një përmirësimi të kualifikimit të ushtrisë dhe flotës, një pjesëmarrje më të madhe të ushtarëve profesionistë dhe të një teknike të re armatimi.

"Ushtria do të marrë teknikë të re. Kjo është çështja kryesore për armatosjen e ushtrisë deri në vitin 2020. Prej këtij viti, forcat e armatosura do të blejnë masivisht teknikë të re ushtarake. Ndërtimi i anijeve të reja luftarake ka nisur. Marina do të marrë në dy vjetët e ardhshme dy nëndetëse të reja atomike strategjike, me armë strategjike në bord."

Vitet e ardhshme duhet të sigurohen raketa të reja, armë të reja, avionë të rinj dhe nëndetëse, për të krijuar një ekuilibër strategjik, deklaroi Putini nën duartrokitjet e dy dhomave të parlamentit në sallën e mermerit në Kremlin.

Për Çeçeninë, presidenti tha se atje janë stacionuar vetëm trupa të ushtrisë profesioniste, prej vitit të ardhshëm, edhe në trupat e policisë së atjeshme nuk do të angazhohen më persona që duhet të kryejnë shërbimin nën armë.

Edhe në ekonominë ruse, presidenti kërkoi procese të tjera modernizuese, vëmendje më të madhe në degët me perspektivë për të ardhmen si komunikacioni e transporti. Duke pasur parasysh anëtarësinë e dëshiruar në Organizatën Botërore të Tregtisë, Putini deklaroi nën duartrokitjet e të pranishmëve:

"Rusisë së sotme i nevojitet një hyrje pa pengesa në tregun botëror, për të qarkulluar produktet e saj. Kjo do të thotë për ne një pjesëpasje e arsyeshme në tregun botëror. Me këtë synim po i zhvillojmë ne negociatat për anëtarësimin tonë në OBT. Por vetëm me kushtin, që interesat e Rusisë të merren parasysh.

Putini u shpreh për një ekspansion të GAZPROM-it në Evropë dhe deklaroi se prej korrikut do të jetë i mundur konvertimi i plotë i monedhës ruse. Ashtu si edhe në deklaratat e mëparshme drejtuar parlamentit, ai kritikoi korrupsionin.

Si një nga problemet më të mprehta, Putini quajti zhvillimin demografik: "Dhe tani, për problemin më akut të Rusisë moderne. Për demografinë. Problemet e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit janë të lidhura me një çështje: për kë i bëjmë ne të gjitha këto? Ju e dini se numri i banorëve tanë ulet çdo vit thuajse me rreth 700 mijë vetë. Këtë temë e kemi diskutuar disa herë. Por në thelb, kemi bërë fare pak."

Putini propozoi nxitje financiare, për të rritur shifrat e lindjeve. Subvencioni për fëmijët pas kësaj do të rritet në 1500 rubla në muaj për fëminë e parë, pra rreth 40 Euro, kurse për fëmijën e dytë do të jetë rreth 90 euro. Nënat që qëndrojnë në shtëpi dhe edukojnë fëmijët e tyre do të marrin para ndihmë për edukimin, ndërsa furnizimi me vende në cerdhe dhe kopshte do të garantohet.

Me premtimin për ta përmirësuar jetën e njerëzve në Rusi, Putini e përfundoi pas më shumë se një ore fjalimin e tij.

  • Data 10.05.2006
  • Autor E.Hartbricht
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqq2
  • Data 10.05.2006
  • Autor E.Hartbricht
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqq2