Presidenti Thaçi mandaton Albin Kurtin për krijimin e qeverisë | Ballkani | DW | 20.01.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Presidenti Thaçi mandaton Albin Kurtin për krijimin e qeverisë

Mandatimi i Albin Kurtit për krjimin e qeverisë së Kosovës bëhet pa marrëveshje me LDK. Albin Kurtit i duhen të paktën 61 vota në parlament për të krijuar qeverinë.

Lëvizja Vetëvendosje i dërgoi Presidentit të Kosovës emrin e mandatarit për krijimin e qeverisë së Kosovës, atë të kryetarit të saj Albin Kurti, partia e të cilit doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit. Propozimi i emrit të mandatarit u bë vetëm një ditë pasi presidenti Thaçi i bëri thirrje Albin Kurtit "ta marrë ose të refuzojë mandatin”. E Presidenti konfirmoi të hënën, se tashmë zyrtarisht e ka mandatuar Albin Kurtin për krijimin e qeverisë së Kosovës. "Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, njoftoi Presidenti Thaçi.

Në kërkim të marrëveshjes që nuk po arrihet

Dekretimi i Kurtit për të krijuar qeverinë, bëhet pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila deri tani nuk është pajtuar me Vetëvendosjen për ndarjen e përgjegjësive. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha përmes një video-mesazhi, se propozimin e lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, kishin dashur ta dërgojnë te presidenti pas një marrëveshjeje me LDK-në, por, kjo nuk ndodhi.

Kosovo Pristina Interview Albin Kurti Adelheid Feilcke (DW/A. Bajrami)

Albin Kurti, Vetëvendosje

"Në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje, edhe te presidenti me 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake dhe tani, dy javë pas atij takimi katër minutësh, ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë e re. Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë te presidenti", tha Albin Kurti duke shpresuar se megjithatë do të mund ta gjejnë një zgjidhje për ndarje të përgjegjësisë në qeveri me LDK-së.

"Vetëvendosje nuk e ka pranuar propozimin e fundit të LDK-së, por jemi të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave tjera që do të ishin të pranueshme për të dyja palët. E theksoj përsëri, nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata se kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse ndryshe nga dakordimi nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra qasja "merre ose lëre” do të thotë lëre”, tha në mesazhin e tij Albin Kurti, duke njoftuar se njëkohësisht se në ditët në vijim do të takojë edhe përfaqësuesit e pakicave. Këta të fundit përfshirë edhe serbët e Kosovës kanë 20 ulëse në parlament.

LDK: Zgjidhja është në dorën e Vetëvendosjes

Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet anëtarit të kryesisë Avdullah Hoti, veprimet e Vetëvendosjes i cilëson të njëanshme. Hoti theksoi, se është përgjegjësi e Vetëvendosjes që ta bëjë qeverinë. "Pavarësisht veprimit të njëanshëm më 26 dhjetor 2019, si dhe letrës së gjatë të zotit Kurti me cilësime të pavend e të panevojshme që e pranuam në javën që shkoi, ne ende mbesim të hapur për marrëveshje. VV-ja duhet të marrë përsipër përgjegjësinë në krijimin e institucioneve të reja sipas kushtetutës. Ne kemi negociuar me VV një program qeverisës për tri javë rresht dhe kemi bërë kompromiset tona për të arritur marrëveshje, por tash zgjidhja është në dorën e Vetëvendosjes”, thotë Avdullah Hoti.

Bisedimet rreth një koalicioni qeverisës ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së,  u  komplikuan më 26 dhjetor në seancën konstituive, sidomos pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja dhe Kryesisë së Kuvendit pa marrëveshje paraprake politike me LDK-në.

Avdullah Hoti, Politiker Kosovo (DW/Bahri Cani)

Avdullah Hoti, LDK

Afatet e interpretimet kushtetuese

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe nominimit zyrtar të zotit Kurti për mandatar për krijimin e qeverisë, Presidenti i Kosovës ka në dispozicion vetëm 15 ditë kohë që t'ia ofrojë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeverisës, nëse kjo bëhet nga zoti Kurti. Në rast se kjo dështon herën e parë, atëherë Presidenti bazuar në Kushtetutë ka të drejtë që të mandatojë një kandidat tjetër për mandatar për themelimin e qeverisë, thotë njohësi i Kushtetutës, konstitucionalisti Mazllum Baraliu.

"Pas konsultimeve, presidenti në bazë të Kushtetutës obligohet që ta bëjë mandatimin e mandatarit për krijimin e qeverisë dhe prej atij momenti kur bëhet mandatimi, atëherë fillon të rrjedhë afati 15 ditor kushtetues për ta formuar Qeverinë. Në qoftë se brenda 15 ditëve nuk arrin që mandatari ta dorëzojë listën e deputetëve prej 61 prej tyre, atëherë rrjedh edhe një afat tjetër 10 ditor sipas Kushtetutës, i cili pastaj i jep mundësinë që presidenti ta mandatojë prapë të njëjtin person, ndonëse një vendim i Gjykatës Kushtetuese shkon më tutje në zgjerimin e interpretimit të nenit 95 duke i dhënë mundësinë që eventualisht një person i dytë apo i tretë i një subjekti tjetër ose një partie të tretë t'ia japë mandatin dhe në qoftë se kjo nuk bëhet edhe pas 10 ditësh, pra formimi i Qeverisë, atëherë Kushtetuta thotë që presidenti i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen 40 ditë pas shpalljes së tyre”, shpjegon Mazllum Baraliu.

Zgjedhjet në Kosovë u mbajtën me (06.10.2019) dhe që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se tre muaj që Kosova është pa qeveri. Prania ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht bën thirrje për krijimin e institucioneve të reja, sepse Kosovën e presin sfida të mëdha. E një ndër sfidat më të mëdhaja është dialogu me Serbinë i ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018  pas vendosjes së taksës nga qeveria e Kosovës për mallrat e Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjeve të Kosovës.