Presidenti i Shqipërisë dekoron Auron Dodin për kontributin në bashkëpunimin mes Gjermanisë e Shqipërisë | Ballkani | DW | 14.06.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Presidenti i Shqipërisë dekoron Auron Dodin për kontributin në bashkëpunimin mes Gjermanisë e Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta i dha Auron Dodit titullin "Kalorës i Urdhrit të Flamurit", si njëri nga analistët politikë më të referuar në mediat shqiptare. Ai çmoi më tej punën interpretuese të Dodit si filolog dhe gjuhëtar.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i dha të enjten (09.06.) në Tiranë Auron Dodit, anëtar i DW shqip, titullin e lartë "Kalorës i Urdhrit të Flamurit". Në motivacionin për titullin Presidenti i Shqipërisë shpreh "mirënjohje për kontributin e gjatë dhënë në mediat ndërkombëtare" nga Dodi, për "profesionalizmin e jashtëzakonshëm, thellësinë dhe saktësinë e analizave të tij, duke u shndërruar në një nga analistët politikë më të referuar e botuar në mediat shqiptare".

Më tej, Presidenca e Shqipërisë vlerëson punën e Dodit si gjuhëtar dhe përkthyes të personaliteteve historike të Gjermanisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Në motivacion thuhet se titulli Auron Dodit i jepet "në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm për hedhjen e urave gjuhësore midis personaliteteve historike të Gjermanisë dhe Shqipërisë, të punës së rrallë interpretuese e me besim të madh, për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane”.

Punë themeluese dhe vlerësim i lartë në hapësirën shqipfolëse

Në fjalën që mbajti para të pranishmëve, Presidenti Ilir Meta e vlerësoi Dodin si "filolog, analist politik dhe eseist" "me rol të shquar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes Gjermanisë, Shqipërisë dhe Kosovës". Ai foli për "një udhëtim të jashtëzakonshëm" të Dodit, që nisi para më shumë se 30 vjetësh dhe që dëshmon besim dhe vlerësim për integritetin e tij.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë tha se prej 1 qershorit 1992, Auron Dodi ua përcjell shqiptarëve vlerat e Gjermanisë edhe në rolin e tij "si njëri nga themeluesit e Programit Shqip të ‘Deutsche Welle-s', kompanisë multimediale ndërkombëtare në Gjermani. Zhvillimeve në botën shqiptare ai u ka bërë jehonë me shkrime autoriale edhe në gjermanisht.

Meta përcolli vlerësimin se "puna e Auron Dodit vlerësohet lart në hapësirën shqipfolëse". Dëshmi për këtë, tha ai, është jehona e madhe me ribotime të analizave të Dodit "në mediat në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bashkim Europian e SHBA".

Analiza të mprehta e me stil konciz

Dodi ofron "analiza dhe ese të mprehta e të thella, të shkruara me një stil konciz, për çështjet që preokupojnë Gjermaninë; për rolin e Gjermanisë në Bashkimin Europian dhe në botë; për ecurinë e ribashkimit të dy Gjermanive" etj., u shpreh Presidenti i Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Auron Dodi falenderoi për vlerësimin e lartë nga vendi ku ai "nisi formimin e tij intelektual". Ai veçoi momente mbresëlënëse të punës si analist në Deutsche Welle, të punës së tij më të gjerë si gjuhëtar dhe të zhvillimeve në Gjermani në tri dekadat e fundit.

Auron Dodi

Auron Dodi

30 vjet dhe DW shqip vazhdon misionin

Ai u ndal te dëshira e madhe e shqiptarëve për të dëgjuar një gjykim nga jashtë vendit për Shqipërinë. "Kjo lidhet kryesisht me pasigurinë e transformimit demokratik në Shqipëri" tha ai. "30 vjet pas fillimit të programit, zhvillimi i mediave në Shqipëri nuk e ka bërë të tepërt misionin e DW shqip. Sot detyra kryesore është ofrimi i kontekstit, shpjegimi i funksionimit normal të një shteti demokratik, përcjellja drejtpërdrejt e perspektivës së Gjermanisë mbi botën dhe rajonin".

Dodi kujtoi që Gjermania u quajt në botë "lidere e Perëndimit”, pas fitores në zgjedhjet në SHBA të Donald Trumpit. Kur diçka nuk ecën si duhet në botë, sytë e gjithë botës sot kthehen nga Berlini, veçoi ai. Në fund, Dodi kujtoi mikpritjen mbresëlënëse të gjermanëve për refugjatët, në vitin 2015. "Të njëjtën mikpritje kanë gjetur tani ukrainasit", përfundoi ai.