Presidenti gjerman shpërndan Bundestagun | FOKUS | DW | 21.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Presidenti gjerman shpërndan Bundestagun

Presidenti gjerman, Horst Këler, ka shpërndarë të enjten në mbrëmje Bundestagun dhe ka caktuar datën 18 shtator për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Kreu i shtetit ndoqi kështu propozimin e Kancelarit Gerhard Shrëder, i cili tre jave me pare pat humbur qellimisht nje mocion votëbesimi në Bundestag.

Kemi shumë pak fëmijë, sa vjen e po plakemi - presidenti i Gjermanisë Horst Këler gjatë fjalimit televiziv më 21 korrik 2005

"Kemi shumë pak fëmijë, sa vjen e po plakemi" - presidenti i Gjermanisë Horst Këler gjatë fjalimit televiziv më 21 korrik 2005

Ishte ora 20 15. Stacionet kryesore televizive ishin lidhur me zyrën presidenciale dhe prisnin fjalët e para të kreut të shtetit gjerman.

"Te dashur bashkeqytetare dhe bashkeqytetare. Sot e kam shpërndarë Bundestagun e 15-të të Gjermanisë dhe kam caktuar zgjedhjet e reja per datën 18 shtator."

Me këto fjalë presidenti Horst Këler hapi fajlimin historik, që zgjati pesë minuta. Historik, sepse Republika Federale e Gjermanisë në 56 vjetët e saj njeh gjithsej tre raste të tilla, kur presidenti shpërndan parlamentin dhe cakton zgjedhje të parakohshme. Për marrjen e vendimit Horst Këler e shrytëzoi të gjithë hapësirën kohore prej tre javësh që lë në dispozicoin kushtetuta për një vendim të tillë. Këler paralajmëroi, se vendi është para detyrave të madhërishme.

"E ardhmja jonë dhe ajo e fëmijëve tanë është në rrezik. Miliona njerëz janë papunë, shumë prej tyre për vite të tëra. Buxheti i shtetit ndodhet në një gjendje kritike, si kurrë më parë. Sistemi aktual federal nuk funksionon siç duhet. Kemi shumë pak fëmijë dhe sa vjen e plakemi. Në një gjendje të tillë serioze, vendi ka nevojë për një qeveri, që mund t'i ndjekë synimet e saj me vazhdimësi dhe këmbëngulje."

Është shprehur Horst Këler, i cili në postin e presidentit vjen me propozim të Unionit Kristiandemokrat. Ai e mbylli fjalimin e tij me thirrjen ndaj gjermanëve që ta përdorin sa më me kujdes të drejtën e votës.

Pak më vonë në ekranet televizive u shfaq kryetari i Bundestagut, Volfgang Tirze. Ai tha se çdo deputet të nesërmen do të gjejë në kutinë e postës lajmërimin për vendimin e presidentit. Socialdemokrati Tirze iu falenderua presidentit në mënyrë të vaçantë për një gjë:

"...që ai e bëri të qartë, që kjo rrugë e zgjedhur tashmë është në përputhje me kushtetutën e jo me hile ose teatër absurd, siç e ka quajtur ndonjë në publik... "

Cilësime të tilla janë përdorur nga dy prej deputetëve, një nga radhët e socialdemokratëve dhe një nga të blertët, që kanë paralajmëruar se do ta padisin procedurën e mocionit të votëbesimit në gjykatën kushtetuese.

Kancelari Gerhard Shrëder i cili erdhi të enjten në Berlin enkas për këtë çështje u lajmërua disa minuta mbas kreut të Bundestagut, nga zyra e vet, me fjalor fushate zgjedhore. Ai tha se vendimi i presidentit është shans për vazhdimin e reformave të domosdoshme që ka nisur qeveria e tij. Zgjedhësit në shtator mund të vendosin për kursin e vendit. Ai tha se do të luftojë me të gjitha energjitë për një mandat të ri qeveritar.

"Gjermania është në rrugë të mirë dhe gjithnjë e më shumë njerëz po e konstatojnë këtë".

Ndryshe mendon sfiduesja e tij, Angela Merkel (CDU) Vendi ka nevojë për një udhëheqje të re, tha ajo duke kujtuar pesë milionë të papunët, shifrat e larta të falimentimeve dhe borxhin e lartë. Ajo për këtë arësye u bëri thirrje zgjedhësve që "ta ndjekim bashkarisht rrugën për një Gjermani më të mirë."

Edhe partia Lire Demokratike dhe Te Blertet e pershendeten vendimin e presidentit. Megjithese partite tashme jane mprehur per fushate zgjedhore, fjala e fundit i mbetet Gjykates Kushtetuese. Një situatë e ngjashme ka qenë edhe në vitin 1983 , kur kancelari i atëhershëm Helmut Kol (CDU) e pat humbur qëllimisht votëbesimin. Gjykatësit Konstitucionalistë asokohe e lejuan shpërndajen e parlamentit, por vendosën disa kushte për legalizimin e procedurës.

Planin për zgjedhje të parakohshme e sollën në skenë kancelari Shrëder dhe kreu i partisë së tij, Franc Myntefering, në mbrëmjen e 22 majit, kur koalciioni qeverisës ndërmjet socialdemokratëve dhe të blertëve e humbi bastionin e fundit, landin e Nordrajn-Vestfalisë.

  • Data 21.07.2005
  • Autor Nga Berlini, Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqjh
  • Data 21.07.2005
  • Autor Nga Berlini, Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqjh