Presidenti gjerman Köhler nis vizitën në Varshavë | Gjermania | DW | 31.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Presidenti gjerman Köhler nis vizitën në Varshavë

Presidenti gjerman Horst Köhler mbërriti dje për një vizitë shtetërore, triditore në Poloni. Shkas për vizitën janë festimet e sotme me rastin e themelimit të sindikatës Solidarnosz dhe ceremonia përkujtimore për fillimin e Luftës II Botërore më 1 shtator. Vizita zyrtare shihet edhe në planin e marrëdhënieve gjermano-polake, të cilat sa vjen e bëhen më të rëndësishme. Gjatë kohës së tij në detyrë Köhler nuk është takuar me asnjë kryetar shteti aq shpesh sa me Kwasniewskin, koha e të cilit në detyrë përfundon në vjeshtë. Një informacion nga Thomas Rautenberg.

Horst Köhler dhe Aleksander Kwasniewski para një garde nderi në pallatin presidencial në Varshavë

Horst Köhler dhe Aleksander Kwasniewski para një garde nderi në pallatin presidencial në Varshavë

Në pallatin presidencial të Varshavës mbizotëronte një atmosferë e mirë, thuajse e shpenguar. Me siguri presidenti Horst Köhler dhe mikpritësi i tij polak Alexander Kwasniewski donin t'i tregonin opinionit: këtu po takohen dy shtetarë që kanë vendosur edhe personalisht lidhje të mira. Marrëdhëniet gjermano-polake janë të hapura dhe aktive, pajtimi dypalësh ka përparuar mirë dhe të dy vendet kanë mbërritur tashmë në një pikë kur duhet të mendojnë për partneritetin e tyre strategjik brenda Bashkimit Evropian, tha Kwasniewski:

"Dua të them që si president ndjej kënaqësi lidhur me arritjet në marrëdhëniet gjermano-polake. I shpreh mirënjohje Republikës Federale Gjermane për mbështetjen e Polonisë në rrugën e nisur 25 vjet më parë në Gdansk me lëvizjen Solidarnosc, e cila vuri në lëvizje ndryshime të mëdha në Evropë e në botë, që çuan edhe në ribashkimin e Gjermanisë.

Sa hapur i lavdëroi presidenti gjermanët për Salidarnosc-in, aq pa ekuivok qe edhe kritika e Kwasniewskit ndaj "Qendrës kundër përzënies nga atdheu", e planifikuar për tu ngritur në Berlin. Ky projekt i Lidhjes gjermane të të dëbuarve mund të shfrytëzohet për të rishikuar përgjegjësinë për Luftën II Botërore, u shpreh Kwasniewski lidhur me frikën e polakëve. Njoh si përkrhaës ashtu edhe kundërshtarë të ndërtimit të qendrës së të dëbuarve, tha presidenti Köhler dhe kërkoi një diskutim objektiv:

"Mbetet e padiskutueshme: Nuk ka asnjë forcë politike, serioze në Gjermani që kërkon të riinterpretojë historinë me anë të kësaj qendre, apo me anë të çfarëdolloj ideje. Gjermanët e dinë që zanafilla e mynxyrës që çoi edhe në Luftën II Botërore ishte në Gjermani."

Pajtimi ka nevojë për sinqeritet dhe vullnet si dhe për të dalluar se arratia dhe dëbimi mund të kuptohen vetëm përmes dialogut evropian. Për palën polake ky ishte sinjali i parë se ndryshe nga kandidatja për kancelare e bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial Merkel presidenti gjerman mund të favorizojë një rrjet evropian kundër dëbimeve.

Përveç kësaj presidenti polak pret shumë nga politika e përbashkët evropiane ndaj lindjes, para së gjithash nga bashkërendimi me palën gjermane:

"Në marrëdhëniet me Rusinë është veçanërisht e rëndësishme që të mos lindë kurrfarë dyshimi se kjo politikë bëhet pa përfillur Varshavën, apo edhe Vilniusin, Tallinin ose Rigën. Rëndësi ka që të zbatojmë një politikë të përbashkët, mundësisht të mirë, të ngushtë edhe efektive në bashkëpunimin e Bashkimit Evropian me Rusinë."

Dje presidenti Këhler ka marrë pjesë në një takim ekonomik gjermano-polak. Presidenti ka udhëtuar më pas drejt qytetit-port Gdansk për të marrë pjesë në festimet e përvjetorit të themelimit të lëvizjes Solidarnosc. Nesër, në 66 vjetorin e shpërthimit të Luftës II Botërore Köhler do të vendosë edhe një kurorë në gadishullin Westerplatte, pranë Gdanskut.

  • Data 31.08.2005
  • Autor Thomas Rautenberg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2t
  • Data 31.08.2005
  • Autor Thomas Rautenberg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2t