1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Renzi kërkon zhvillim

Bernd Riegert3 Korrik 2014

Me temperament, hijeshi dhe pasion foli presidenti i radhës i Këshillit të BE për gjashtë muajt e ardhshëm. Por Matteo Renzi, kryeministri rinor i Italisë, nuk bëri parashtrime konkrete.

https://p.dw.com/p/1CUtV
Kryeministri i Italisë Matteo Renzi në Parlamentin Evropian 02.07.2014
Fotografi: Reuters

Ai është i sigurtë në vetvete dhe këtë ua dëshmoi deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg që në fillim të presidencës gjashtëmujore të rradhës. Kryeministri i Italisë Matteo Renzi erdhi me shumë vonesë në fjalimin e tij të parë në parlament. Dhe kur erdhi, ai u shpërndau fillimisht puthje nga larg majtas dhe djathtas deputetëve italianë. I rrethuar nga jashtëzakonisht shumë fotografë deputetët gati nuk mund ta shikonin Matteo Renzin, derisa kryetari i Parlamentit Martin Schulz u kujdes që të vihej rregull. Socialdemokrati Matteo Renzi theksoi në fjalimin e tij menjëherë se ai ka dalë fitues nga zgjedhjet parlamentare të fundit të majit. "Italia është e guximshme dhe krenare dhe një vend i madh." Ai nuk do të paraqitet si lypës, shtoi Renzi duke buzëqeshur. Partia e tij në pushtet fitoi 40 përqind të votave.

Europa: Një "selfie" i lodhur

Renzi shtyu para vetes një pirg të madh me letra. Këto janë programet e zakonshme politike, që paraqesin presidentët e këshillit, tha ai. Ai tha se nuk do t'i lexojë tani të gjitha me zë të lartë, por do të kalojë thjesht në protokoll. Matteo Renzi foli më tepër lirisht dhe me pasion për imazhin e tij për Evropën. Kontinenti duket i lodhur pas krizës ekonomike, Europës i nevojitet guxim i ri dhe siguri në vetvete, tha Renzi. "Po t'i bënim vetes një selfie, do të shikonim një fytyrë të lodhur evropiane. madje edhe të lodhur nga monotonia. Dhe kjo është e pakuptueshme. Sepse koha jonë na ofron të gjitha shanset."

Renzi dhe kryetari i Parlamentit Evropian Martin Schulz
Renzi dhe kryetari i Parlamentit Evropian Martin SchulzFotografi: Reuters

Rritje dhe jo shumë stabilitet

Italia nuk do të pranojë më gjithçka, e shtypur dhe pa bërë zë, si në vitet e fundit, të cilat janë karakterizuar nga kriza ekonomike dhe çështjet financiare, bëri të qartë kryeministri. Italia problemet, që janë krijuar në Itali, do t'i zgjidhë edhe vetë dhe do të kryejë reforma, siguroi kryeministri. "Ne e dimë, se duhet të ndihmojmë vetveten." Renzi nuk e përsëriti kërkesën e tij nga samiti i fundit i BE, për të trajtuar më fleksibël kriteret e paktit të stabilitetit dhe të rritjes. Italia është duke luftuar me rritjen e dobët ekonomike dhe papunësinë e lartë. Qeveria e re ka nisur reformat e para. Ata duhet të financohen më shumë nga borxhet e reja sesa nga kursimet. Italia gjatë gjashtë muajve të ardhshëm do të vërë në plan të parë jo aq shumë stabilitetin sesa rritjen në politikën financiare evropiane. „Ne nuk duam t'i ndryshojmë rregullat“, tha Renzi, „ por rritja duhet të ketë prioritet, jo vetëm në Itali, por në të gjithë Europën.“ Masa konkrete presidenti i ri i këshillit nuk përmendi.

Konservatorët gjermanë kërkojnë të mos ketë borxhe të reja

Kryetari i ri i grupit konservator në Parlamentin Evropian, Manfred Weber (CSU), porositi Renzin, se Italia dhe Europa nuk duhet t'i lënë mënjanë leksionet, që kanë mësuar nga kriza ekonomike. „Borxhet nuk krijojnë të ardhme, borxhet shkatërrojnë të ardhmen“, tha Weber në diskutim. Kërkesat për më shumë fleksibilitet janë rruga e gabuar, edhe pse propozohen tani nga vendet e mëdha anëtare. „Ata kanë një borxh prej 130 përqind të prodhimit të brendshëm bruto“, i tha Weber kryeministrit italian. „Ju doni t'i lini trashëgim fëmijëve tuaj shanse dhe jo vetëm borxhe.“ Prandaj më shumë kohë për reforma nuk është domosdoshmërisht zgjidhje. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, që paraqet një buxhet balancuar të gjermanisë, do të ketë të njëjtin vlerësimm për këtë çështje, tha ai.

Manfred Weber, kryetari i grupit konservator në parlamentin Evropian
Manfred Weber, kryetari i grupit konservator në parlamentin EvropianFotografi: picture-alliance/dpa

Politikë e re migracioni

Matteo Renzi krahas politikës financiare do t'i kushtohet edhe çeshjteve të migracionit dhe të refugjatëve. Italia ka një ndër kufinjtë më të gjatë të BE. Prandaj nevojitet një partneritet i ri me Afrikën, nga e cila vijnë shumë refugjatë. Nuk është fjala vetëm për kontrollin e kufirit, por për një qasje krejt të re në politikën e migracionit. Europa duhet ta ngrejë zërin ndaj padrejtësive, edhe për shembull kur të krishterët në Afrikë perndiqen për shkak të besimit të tyre. Europa duhet t'i përgjigjet thirrje për liri nga Ukraina dhe shtetet tjera partnere në Lindje. Kushtet e jetesës së palestinezëve duhen përmirësuar. Izraelit duhet t'ia kujtojumë përgjegjësinë për këtë, kërkoi Renzi.

Refugjatë në Itali: Italia kërkon partneritet me Afrikën.
Refugjatë në Itali: Italia kërkon partneritet me Afrikën.Fotografi: Reuters

Të ardhme dhe madje menjëherë

Kryeministri 39 vjeçar tha, se i përket një brezi të ri politikanësh në Europë. Ata duhet të zbulojnë sërish avantazhet e Europës. „Kur u nënshkrua marrëveshja e Maastricht-it në vitin 1992, unë isha adoleshent“, tha Renzi. Italia është e bindur se Europa duhet ta rigjejë shpirtin e saj. Kjo është sfida e brezit të tij. „Ne nuk vështrojmë të kaluarën, krizën, por ne fillojmë sot menjëherë me të ardhmen.“

Manfred Weber, shefi i konservatorërve, shtoi se mesazhet dhe premtimet i dëgjon. Por ai shpreson që parlament pas gjashtë muajsh presidencë italiane të nxjerrë një bilanc pozitiv.