Pranohet qeveria e re e bashkimit kombëtar në rajonet palestineze | Bota | DW | 17.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pranohet qeveria e re e bashkimit kombëtar në rajonet palestineze

Parlamenti palestinez ka vendosur të shtunën me shumicë votash që të krijohet një qeveri e re e bashkimit kombëtar. 83 deputetë votuan për kabinetin e ri të kryeministrit Ismail Hanija, 3 kundër.

Parlamenti palestinez

Parlamenti palestinez

Deputetët palestinezë u takuan në dy vende njëkohësisht - në Ramallah dhe në Jordanin Perëndimor, për të votuar për qeverinë e re. Në prag të mbledhjes presidenti Mahmud Abaz u bëri thirrje deputetëve që ta ruajnë bashkësinë kombëtare dhe të bëjnë ç´është e mundur për ta përfunduar okupimin. Në të njejtën kohë ai u bëri thirrje izraelitëve që të rikthehen në tryezën e bisedimeve:

"Po i bëj sot thirrje popullit izraelit, qeverisë dhe partive të tij. Ne jemi të gatshëm pa kushte dhe kufizime që të rifillojmë procesin e paqes, jemi të gatshëm për bisedime mes qeverisë izraelite dhe qeverisë sonë. Ne zgjasim dorën dhe kërkojmë paqe, paqe të barabartë, një paqe që mund tí japë shpresa brezit të ri për bashkëjetesë, një paqe që e përfundon dhunën dhe që bazohet në të drejtën e barazisë."

Kryeministri i vjetër dhe i ri Ismail Hanija kërkoi gjatë fjalimit të tij përfundimin e bojkotimit kundër palestinezëve. Ai i bëri thirrje SHBA-s, që t´i përfundojnë sanksionet ndaj palestinezëve. Në të njejtën kohë ai theksoi se qeveria palestineze që udhëhqe ai kërkon kthimin e rajoneve palestineze në një shtet me kufijtë e vitit 1967 dhe jo të gjithë vendin historik Palestina. Sipas ekspertëve kjo do të thotë se Hanija e pranon me këtë deklaratë ekzistencën e Izraelit.

"Qeveria nugl këmbë se çelësi për sigurinë dhe stabilitetin është që të marrë fund okupimi palestinez dhe të pranohet e drejta e popullit palestinez për vetëqeverisje. Qeveria do të punojë së bashku me shtetet arabe dhe bashkësinë ndërkombëtare që të të rivihen të drejtat tona legjitime dhe që të krijohet një shtet i pavarur palestinez aty ku u pushtua në vitin 1967 me kryeqytet Jeruzalem."


Në të njejtën kohë Hanija theksoi se populli palestinez ka të drejtë të vetëmbrohet nga pushtuesit izraelitë. Por në Jeruzalem kjo fjali u kuptua si një thirrje për dhunë kundër Izraelit. Zëdhënësja e qeverisë Miri Elsin tha:

"Izraeli ka deklaruar se do t ´i vazhdojë kontaktet me presidentin Abaz. Ai u zgjodh nga populli palestinez në zgjedhje të ndara. Por ne nuk do të bisedojmë me një qeveri që e refuzoi sot në mënyrë publike ekzistencën tonë dhe që bën thirrje për dhunë kundër shtetit tonë."

Në Izrael po rriten shqetësimet se fronti ndërkombëtar kundër palestinezëve mund të fillojë të lëkundet. Në Evropë disa shtete kanë deklaruar gadishmëri për bisedime me ata ministra që nuk janë antarë të Hamasit.

  • Data 17.03.2007
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJC
  • Data 17.03.2007
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJC
Reklamë