1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret i pianistes kosovare Ardita Statovci

Ela Dhamo1 Prill 2008

Ardita Statovci është një pianiste nga Kosova, e cila jeton prej vitesh në Salzburg, ku ka kryer edhe studimet e larta. Ajo rrjedh nga një familje e njohur në Kosovë.

https://p.dw.com/p/DYWF
Ardita Statovci
Ardita StatovciFotografi: Ardita Statovci

Ardita Statovci ka lindur në Kosovë, në vitin 1982 dhe që nga mosha tetë vjecare ajo filloi mësimet në piano, në shkollën e ulët të muzikës "Prenk Jakova" në Prishtinë. Prindërit e saj janë dy figura të njohura në Kosovë.Nëna, profesore për degën Etnologi në Universitetin e Prishtines dhe i ati, jurist dhe njëkohësisht rektor i Universitetit të Prishtinës në kohen e represionit të atjeshëm.Si dashamirës të muzikës,ata i dhanë shtysë dhe përkrahje morale Arditës, që në fëmijërinë e saj.

Ardita Statovci Pianistin
Fotografi: Ardita Statovci

"Pianon e kishim në shtëpi dhe kam luajtur edhe si fëmijë duke mësuar prej nënës dhe motrave të mia".


Ardita Statovci është shpërblyer dy herë me çmimin "Talenti i Kosoves" dhe në moshën 14 vjeçare paraqiti koncertin e parë solistik. Vetëm një vit më vonë ajo do të pranohej në Akademine e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

"Në përgjithësi kam përfunduar tri nga dy vite për një vit shkollor. Kështu që në moshën 16 vjeçare kisha mbaruar maturën".

Më 12 tetor 1997, Ardita paraqit koncertin e parë jashtë vendit, në Austri, nën patronazhin e "Shoqatës për Teater Muzikor" në Vjenë. Po në moshën 15 vjeçare, Statovci fiton të drejtën për të studiuar në Universitetin Mozarteum në Salzburg.

Nga një koncert i Ardita Statovcit
Nga një koncert i Ardita StatovcitFotografi: Ardita Statovci

"Në Salzburg isha në moshën 15 vjeçare. Natyrisht nuk e dija gjuhën gjermane dhe vështirësitë e fillimit ishin të shumta. Por meqë arti është internacional dhe gjuhën e muzikës e kuptojne të gjithë, kjo ishte ajo çka e bënte fillimin më të lehtë".

Që nga viti 1997 "Shoqata për Teater Muzikor" - Vjenë ka përkrahur pianisten në shkollimin e saj në Austri. Në gusht të 1999 brenda një periudhe mjaft të shkurtër ajo realizoi pjesën solo në piano dhe udhëhoqi performimin e parë të baletit "Come una danza" të kompozuar nga Kurt Rapf dhe me koreografi të Richard Adamas.

Ardita Statovci Pianistin
Fotografi: Ardita Statovci

"Bashkëpunimet janë të vazhdueshme. Mund të veçoja punën me orkestrën e të rinjve nga Zvicra.Edhe bashkëpunime me pianistë të famshëm,siç janë Elisabeth Leonskaja, Carmen Piazzini etj".

Si nga të vetmet artiste kosovare në Universitetin e Salzburgut, Ardita i ka kaluar vitet e luftës së Kosovës në Austri, ku megjithëse larg vendlindjes, nuk mund të mos përjetonte sitautën qe zoteronte ne atdhe.

"Megjithatë mendoj se ne jemi mësuar që të vazhdojmë më tutje, pavarësisht asaj që ndodhi apo mund të ndodhte".

Në vitin 2004 ajo u shpërblye me burse nga Internationale Mazarteum Stiftung.

Në të njëjtën kohë ajo merr diplomën e saj në klasën koncertale nga Christof Lieske në Salzburg. Me 2005 vlerësohet me çmim nga Yehudi Menuhins Live Music Now dhe më 2006 me Börsendorfer Preis Mozarteum në Salzburg. Një vit më pas ajo mbyll me bravur studimet për piano në Universitetin Mozarteum në Salzburg, ku edhe jeton më tej.

Megjithatë Ardita nuk i ka shkëputur lidhjet me vendlindjen e saj, Kosovën. Ndër vende të shumta si Austri, Zvicer, Maqedoni, Kroaci, Francë, Bosnje, Hungari, Gjermani etj, ka dhënë koncerte edhe në Kosovë, ku pritet nga publiku i saj i parë dhe artdashës i Kosoves.

"Është një publik i mrekullueshëm. Është një ndienjë fare tjetër kur luaj në Prishtinë. Njerëzit në publik janë ata që më kanë ndjekur që nga fëmijëria e deri tani".