1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polonia e Hungaria humbasin përballë Gjykatës Evropiane

16 Nëntor 2021

Një pjesë tjetër e reformave gjyqësore polake dhe hungareze është në kundërshtim me të drejtën evropiane.

https://p.dw.com/p/434g0
EuGH in Luxemburg
Fotografi: Arne Immanuel Bänsch/dpa/picture alliance

Sipas Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, një pjesë tjetër e reformave gjyqësore polake është në kundërshtim me të drejtën evropiane. Gjyqtarët e Luksemburgut kundërshtuan kompetencat e ministrit polak të Drejtësisë. Ai vepron edhe si Prokuror i Përgjithshëm dhe, si i tillë, mund të dërgojë gjyqtarë në gjykatat më të larta dhe t'i largojë ata në çdo kohë.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë vlerësoi se ishte e nevojshme të sigurohej që emërimi i një gjyqtari të mos shërbente kurrë si instrument i kontrollit politik të vendimeve gjyqësore. Gjykata e Qarkut të Varshavës i kishte kërkuar Gjykatës të interpretonte ligjin e BE-së.

Ky nuk është vendimi i parë kundër reformës gjyqësore polake

Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Evropiane e Drejtësisë konsideron se pjesë të reformës gjyqësore polake janë në kundërshtim me të drejtën evropiane. Herën e kaluar, në fund të tetorit, gjyqtarët e Luksemburgut vendosën një gjobë ditore prej një milion eurosh ndaj Polonisë për moszbatimin e një vendimi për të ashtuquajturën dhomë disiplinore të gjyqtarëve. Komisioni Evropian dhe Polonia kanë debatuar prej kohësh mbi respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës, të detyrueshme për shtetet anëtare të BE-së.

Polen | Oberster Gerichtshof in Warschau
Fotografi: NurPhoto/picture alliance

Ligjet "Stop-Soros” janë gjithashtu në kundërshtim me ligjin europian

Në një rast tjetër, Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi se edhe Hungaria vepron në shkelje të së drejtës në fuqi të BE - me ligjet e saj për azilin. Sipas vendimit, Hungaria kufizon të drejtat e garantuara nga BE për personat që aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare.

Konkretisht, bëhet fjalë për të ashtuquajturin ligj Stop-Soros - një grup masash të miratuara nga qeveria në vitin 2018. Sipas këtij ligji, kërkesat për azil refuzohen në Hungari, nëse aplikantët hyjnë në Hungari përmes një vendi, ku ata nuk i pret persekutim apo rrezikim të menjëhershëm.

Ligji "Stop Soros” i referohet filantropistit amerikan Soros, i cili mbështet organizatat humanitare hungareze.

I mbijetuari i Holokaustit, me origjinë nga Hungaria, mbështet me fondacionin e tij humanitar shumë organizata civile që ndihmojnë refugjatët dhe azilkërkuesit. Qeveria hungareze e akuzon Sorosin se ka sjellë një numër të madh emigrantësh myslimanë në Evropë dhe e sulmon Sorrosin me stereotipe antisemite.

Kriminalizimi i personave që ndihmojnë refugjatët në Hungari është i paligjshëm sipas një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED). Përveç kësaj, Hungaria penalizon organizatat që mbështesin procedurat e azilit në rastet kur nuk plotësohen kriteret hungareze – të cilat Komisioni i konsideron gjithashtu të paligjshme.

Padi e Komisionit Evropian

Vendimi i GJED-së u mor nga një padi e Komisionit Evropian kundër ligjit hungarez të vitit 2018, i cili penalizon aktivistët dhe punonjësit e organizatave joqeveritare që ndihmojnë migrantët të aplikojnë për azil, kur ata ndoshta nuk kanë të drejtë për mbrojtje sipas kritereve hungareze. Kjo redukton të drejtën e azilkërkuesve për të "komunikuar me organizatat përkatëse kombëtare, ndërkombëtare dhe joqeveritare dhe për të marrë mbështetjen e tyre", argumenton Komisioni Evropian.

Autoriteti i Brukselit siguron respektimin e ligjit të përbashkët brenda komunitetit të shteteve. Gjyqtarët e GJED vendosën në favor të Komisionit Evropian.

Rregulloret hungareze kufizojnë të drejtat e garantuara nga e drejta evropiane për ata që mbështesin personat që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, thanë gjyqtarët të martën.

aud (dlf, rtr)