1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikanët gjermanë kërkojnë qëndrim të fortë ndaj Ankarasë

13 Mars 2017

Përballë mosmarrëveshjes për fjalimet elektorale të politikanëve turq, në Gjermani janë shtuar thirrjet për të mbajtur qendrim të ashpër ndaj qeverisë në Ankara. CSU dhe të Majtët kërkojnë tërheqjen e Bundeswehrit.

https://p.dw.com/p/2Z4ml
Florian Hahn
Florian HahnFotografi: picture-alliance/AA

Ushtarët gjermanë të Bundeswehrit mbështesin që prej bazës ushtarake turke të Incirlikut koalicionin ndërkombëtar kundër milicisë terroriste "Shteti Islamik", IS, me zbulime nga ajri. Përballë tensioneve aktuale me partnerin e NATO-s për shkak të pjesëmarrjes së ministrave turq në mitingje në Gjermani, gjë që ka ngjallur debate, po shtohen kërkesat për tërheqjen e Bundeswehrit.

Zëdhënësi për politikën e jashtme dhe të sigurisë të deputetëve të CSU-së në Bundestag, Florian Hahn, i tha gazetës "Bild am Sonntag": "Në këtë situatë të nxehur pikërisht përballë Gjermanisë, duket gjithnjë e më shumë e pasigurtë, që qeveria turke të jetë në gjendje dhe të ketë vullnetin për të garantuar një mbrojtje gjithëpërfshirëse të ushtareve dhe ushtarëve tanë në Incirlik."

Grindje me Erdoganin

Prandaj qeveria gjermane duhet t'i ndalojë të gjitha investimet në infrastrukturën e bazës ajrore dhe të nisë zhvendosjen që atje të avionëve të stacionuar Tornado, kërkoi Hahn. Shefja e Grupit Parlamentar "E Majta" në Bundestag, Sahra Wagenknecht e mbështeti këtë kërkesë. "Përballë zhvillimeve aktuale në Turqi një tërheqje e Tornadove dhe e ushtarëve të Bundeswehrit si dhe ndalimi i furnizimit me armë të Turqisë duhet të qe bërë prej kohësh", i tha ajo agjencisë së lajmeve AFP.

Disa komuna gjermane anuluan ditët e fundit pjesëmarrjen në mitingje elektorale të ministrave turq, në prag të referendumit për zbatimin e një sistemi presidencial. Në Ankara kjo shkaktoi shqetësim të madh, Presidenti turk Erdogan e akuzoi Gjermaninë për "metoda naziste". Kjo solli protesta të forta nga Berlini.

FDP: Solidaritet me Holandën

Si protestë për krahasimet me nazistët, politikania e Gjelbër, Marieluise Beck bëri të ditur se do ta kthejë çmimin e miqësisë, që i ka dhënë në vitin 2005 Erdogani. Kritikat e ngritura prej tij janë "të papërshtatshme dhe falsifikojnë historinë", citon AFP nga letra drejtuar Presidentit turk

Kryetari i FDP-së, Christian Lindner i kërkoi qeverisë gjermane që të tregojë solidaritet me qeverinë holandeze. "Pas shkallëzimit diplomatik midis Turqisë dhe Holandës, një pozicionim i Gjermanisë duhet të qe bërë prej kohësh", i tha Lindner agjencisë gjermane të lajmeve, DPA.