1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikanët zbusin qëndrimet mbi zhvendosjen e ushtrisë në jug të Afganistanit

Përmbledhje lajmesh20 Nëntor 2006

Shenjat e para vijnë nga kristiandemokratët

https://p.dw.com/p/Aqye
Një ushtar gjerman gjatë shërbimit në Kunduz, në veri të Afganistanit
Një ushtar gjerman gjatë shërbimit në Kunduz, në veri të AfganistanitFotografi: AP

Trysnia mbi politikën gjermane është shtuar mjaft ditët e fundit. Nga NATO-ja dhe nga shteti anëtar më me ndikim në aleancë, SHBA, vijnë vazhdimisht kërkesa që rrezja e veprimit e ushtrisë gjermane të Afganistan të zgjerohet. Nga veriu, ku është qendra e operacioneve të gjermanëve, kërkohet shtrirja e misionit edhe në jugun e vendit. Këtu kërcënimi për jetën e ushtarëve është edhe disa herë më i lartë. Pas rezistencës duket se disa përfaqësues të politikës gjermane janë gati të bëjnë koncesione.

Përballë kërkesave të vazhdueshme nga NATO-ja për angazhim të ushtrisë gjermane në jugun e Afganistanit të përfshirë nga luftimet në koalicionin qeveritar gjerman janë shtuar zërat për zbatimin e një strategjie të re në vendin aziatikoqendror. Në të njëjtën kohë disa deputetë kristiandemokratë deklaruan sot se një mision i kufizuar i ushtarëve gjermanë për të mbështetur aleatët është i mundur.

Zëvendëskryetari i fraksionit parlamentar të bashkimit CDU/CSU Andreas Schockenhoff citohet nga gazeta më e madhe gjermane, Bild, me fjalët: "Në rast se nevojiten aftësitë e ushtarëve gjermanë përtej veriut të Afganistanit për të ndihmuar për shembull në formë të kufizuar në gjendje emergjence ushtarë të trupës ISAF nga kombe të tjera, atëherë ata do të shkojnë edhe atje." Zëdhënësi për politikën e jashtme i fraksionit Eckart von Klaeden, plotësoi se rreth 100 ushtarët e njësisë specfiale KSK mund të angazhohen në gjithë territorin e Afganistanit në kuadër të luftës kundër terrorit, por se ata nuk janë angazhuar prej më shumë se një viti në misione të tilla sepse ka munguar kërkesa përkatëse."

Von Klaeden kërkoi në stacionin Norddeutscher Rundfunk edhe një strategji të re të NATO-s. Pa ndërtimin civil nuk mund të kurorëzohet me sukses misioni ushtarak.

Partneri tjetër në koalicionin qeveritar, Partia Socialdemokrate, shprehu refuzim në lidhje me zgjerimin e veprimeve të ushtrisë gjermane në jug të Afganistanit. "Afganistani nuk bëhet më i sigurt duke vdekur edhe ushtarë gjermanë", i tha Rainer Arnold, eksperti socialdemokrat për çështjet e mbrojtjes gazetës Tagesspiegel. Edhe socialdemokrati Jörn Thießen këshilloi në stacionin televiziv N24, të hiqet dorë nga një mision i tillë.

Edhe liberalët opozitarë e përforcuan qëndrimin e tyre refuzues ndaj misionit në jug të Afganistanit. Ekspertja e tyre për mbrojtjen Birgit Homburger tha na radion Deutschlandfunk.

«Ne jemi përgjegjës vetëm për veriun e Afganistanit. Zhvendosja e ushtarëve do të çonte vetëm në përkeqësimin e gjendjes edhe në veri… Disa partnerë në NATO janë prezantuar si pushtues në jug, pasi kanë marrë masa nën të cilat vuan popullsia civile. Kjo bën që mbështetja në popullsinë civile të mos jetë në atë shkallë që ishte në fillim të misionit; dhe kjo përsëri çon në vështirësi për misionin e përgjithshëm.“