Politika radikale nuk të bind | Politika | DW | 19.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Politika radikale nuk të bind

Simpatizantët e Ahmedinexhadit pësojnë humbje në zgjedhje

Teherani

Teherani

Një goditje për presidentin e Iranit Ahmedinexhad, kështu e komentojnë gazetat e huaja rezultatin e zgjedhjeve të fundit në Iran. Si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në votimin për "asamblenë e ekspertëve", që është përgjegjëse për zgjedhjen dhe shkarkimin e udhëheqësit shpirtëror, kanë pasur sukses kritikët e presidentit.

Vetëm pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit presidenti i Iranit, Mahmud Ahmedinexhad i festoi zgjedhjet për "asamblenë e ekspertëve" dhe këshillat komunalë, duke tërhequr vëmendjen, se Perëndimi mund të marrë një mësim prej tyre. Por ndërkaq indinjata i ka zbehur krenarinë dhe vetëdijen për fitoren. Kjo indinjatë ashtu si në antikitet drejtohet kundër lajmësit: fakti që zgjedhjet nuk rrodhën ashtu siç shpresohej, është një "shpikje e medieve perëndimore".

Por le ta lemë mënjanë polemikën: Nuk duhet të jesh kundërshtar i Ahmedinexhadit, për të ndjerë, se këto zgjedhje ndonëse nuk sjellin bazë për ndryshime thelbësore, ato mund të shërbejnë si barometër për klimën politike në Iran.

Kjo është rritja e papritur e pjesëmarrjes në zgjedhje. Kësaj here votuan pothuajse tri herë më shumë zgjedhës krahasuar me zgjedhjet e fundit, kjo mund të të çojë në konkluzionin, se iranianët janë duke e kapërcyer apatinë politike, në të cilën ranë pas tetë vjetësh të sundimit të Khatamit. Këto ishin tetë vjetët e shpresave të zhgënjyera dhe shumë i kthyen shpinën politikës. Rezultati i kësaj ishte kalimi i pushtetit kudo tek konservatorët, si në këshillat komunale ashtu edhe në parlament e në presidencë.

Kjo nuk mjafton për Ahmedinexhadin, ai do ta kthejë vendin në ditët e revolucionit, kur dogma puriste kishte më shumë vlerë se çdo lloj "politike e së mundshmes". Presidenti për këtë mbështetet tek prijësi radikal Ajatollah Mesbah Yazdi, një njeri, që nuk vlerëson demokracinë dhe lirinë dhe që nëse do të kishte mundësi do ta çonte në "rrugë të drejtë" "këshillin e ekspertëve". Tani Yazdi nuk do të mund ta bëjë këtë, sepse ai do të jetë i gjashti në radhën e 86 anëtarëve. Ai ka pothuajse gjysmën e votave, që ka marrë i pari, Akbar Hashemi Rafsanxhani, i cili u mund në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar, ndërsa sot do të ketë sërish pushtet të plotë.

Ndaj nuk duhet që të nënvleftësohet "asambleja e ekspertëve". Kjo si një lloj "byroje politike" vepron më shumë në prapaskenë, por ajo zgjedh "udhëheqësin suprem" dhe ka kompetencë që edhe ta shkarkojë atë. Ndaj mund të merret me mend se çfarë do të ndodhte, nëse një forum i tillë në vend të kursit të deritanishëm konservator do të ndiqte një kurs radikal-konservator. Përpjekja e Ahmedinexhadit dhe e ithtarëve të tij për t´ia arritur këtij qëllimi ka dështuar.


Arsyeja për këtë ka të bëjë me pakënaqësinë në rritje ndaj politikës së presidentit. Ai e ka izoluar vendin nga bota e jashtme me ashpërsimin e grindjes atomike dhe me shpërthimet e tij kundër Izraelit dhe dyshimet ndaj Holokaustit. Pavarësisht nga të ardhurat shumta prej naftës ai nuk ia ka dalë që të zbusë mjerimin ekonomik të shumë iranianëve. Aq sa edhe ata që e kanë zgjedhur atë një vit më parë tani janë distancuar.

Edhe sikur, ashtu si diku tjetër, zgjedhjet për këshillat komunalë nuk mund të çojnë në ndryshimin e kursit të politikës kombëtare, zgjedhësit me sa duket e kanë kuptuar, se abstenimi në zgjedhje nuk sjell gjë, por kësaj here ishte më mirë të zgjidhej një e keqe më e vogël për të penguar më të madhen.

  • Data 19.12.2006
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqnj
  • Data 19.12.2006
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqnj