Politikë kontradiktore azilimi - Italia reagon ashpër ndaj valës sezonale të refugjatëve | Evropa | DW | 05.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Politikë kontradiktore azilimi - Italia reagon ashpër ndaj valës sezonale të refugjatëve

Qeveria në Romë ka kthyer ndërkohë drejt Libisë dhe Tunzisië disa qindra refugjatë që kanë mbërritur ilegalisht në Itali. Gjatë ditëve të fundit në ishullin mesdhetar Lampeduza kanë zbarkuar herë pa here anije me refugjatë të nisur nga brigjet veriore të Afrikës. Së fundi u mbyt sërish një anije me klandestinë, vetëm 11 nga 70 vetë në bord mundën të shpëtojnë. Italia vazhdon të demonstrojë ashpërsi, sepse kampi i refugjatëve në Lampeduza i ka tejkaluar kapacitetet e veta.

Refugjatë nga Afrika zbarkojnë të rraskapitur në ishullin Lampeduza

Refugjatë nga Afrika zbarkojnë të rraskapitur në ishullin Lampeduza


Indinjata për mënyrën e re italiane të trajtimit të atyre që ia kanë dalë mbanë të zbarkojnë në Lampeduza duke ardhur prej Libisë apo Tunizisë, indinjata për kthimin e disa qindra klandestinëve në Afrikë, pa i shqyrtuar si raste individuale, relativizohet disi nëse mendon alternativën. Në ishullin e vogël italiano-jugor, që ka një kamp për pritjen e refugjatëve me një kapacitet gati 200 njerëz, nuk mund të qëndrojnë mijëra syresh. Nga ana tjetër nuk ka kuptim që ata të transportohen në një ishull më të madh apo në ndonjë vend tjetër të Italisë për të qëndruar pak kohë atje e për t´u dëbuar sërish.

Ata për të cilët mund të ketë nevojë ekonomia italiane ndoshta mund t´i lejosh të qëndrojnë. Por ligji aktual i emigracionit i hartuar nga qeveria e Silvio Berluskonit parashikon, që emigrantët ta kenë gjetur vendin e punës përpara se të mbërrijnë në Itali. Ndërkohë që Italia nuk ka një ligj të përparuar azilimi në frymën evropiane. UNHCR-ja (Komisariati i OKB-së për Refugjatët) i ka bërë thirrje tashmë jo vetëm Libisë për përcaktimin e rregullave të tilla, ndëkrohë që i njëjti apel i
është drejtuar qysh prej vitesh Italisë.

Ligji u rinovua së fundi duke marrë shkas nga rasti i anijes së shoqatës humanitare gjermane "Cap Anamur", rast ky që duhet ta kujtojmë sot. Ministri i brendshëm italian e quajti këtë një "precedent të rrezikshëm", gjë që mund të intepretohej: nëse e lejojmë tani anijen humanitare me 37 pasagjerët e saj, do të nxiten edhe të tjerë për të ndjekur të njëjtën rrugë. Nga 37 klandestinë vetëm njëri mundi të qëndrojë në Itali.

Ndërkohë ka edhe arësye sezonale për valën e refugjatëve: për shkak të motit të keq të dimrit që është në prag, ata që duan të emigrojnë kanë frikë se nuk do të mund të kapërcejnë më në anën tjetër të brigjeve, ndaj nxitojnë të marrin rrugët. Kjo ndodh cdo vit në fillim të vjeshtësh dhe nuk ka të bëjë aspak me rastin e Cap Anamurit. Deri më sot ministria e brendëshme, sa herë që opozita bën vëretjen, se ligji rixhid i emigracionit i qendrës së djathtë nuk e përmbush qëllimin e tij, përgjigjet: sipas përllogaritjeve numri i klandestinëve shënon rënie cdo vit. Ndërsa tani kemi të bëjmë me një gjendje të jashtëzakonshme, ndaj dhe reagohet ashpër. Nëqoftëse 10.000 vetë në vit emigrojnë ilegalisht për në Itali, dhe aktualisht bëhet fjalë për shifra të ulëta dhe jo katërshifrore refugjatësh në një vend me popullsinë gati 60 milionëshe, atëherë termi gjendje e jashtëzakonshme është thejshtë retorikë.

Qeveria italiane nuk ka një qëndrim të qartë në debatin për emigracionin. Disa thonë, që në Evropë nuk mund të vijë gjithkush që ka probleme në vendin e vet; të tjerë në të kundërt mendojnë, se ndoshta duhet të ketë edhe një ligj azilimi për arësye ekonomike. Ministri i brendshëm Xhuzepe Pizanu e pranon furishëm propozimin për ndërtimin e kampeve për pritjen e refugjatëve në Veri të Afrikës, ndërsa ministri i jashtëm Franko Fratini e konsideron si të pamjaftueshme këtë ide.

Fratini ka të drejtë, kur thotë, që në vend të kësaj është e nevojshme të mbështetet ekonomia e vendeve prej nga vijnë ata. Por edhe në këtë pikë qëndrimi i qeverisë italiane është kontradiktor: në projektbuxhetin për vitin 2005 as që duket të ketë para për ndihmën për zhvillimin, gjë që mund të premtonte sado pak efekt në këtë drejtim. E kjo nuk ndodh vetëm me buxhetin e Italisë.

  • Data 05.10.2004
  • Autor Filip Kreizelmajer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGC
  • Data 05.10.2004
  • Autor Filip Kreizelmajer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGC