Policia - Kryqe të thyera dhe fotografi të Hitlerit | Gjermania | DW | 18.12.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Policia - Kryqe të thyera dhe fotografi të Hitlerit

A është rrjeti i pandehur ekstremist i krahut të djathtë në polici në Frankfurt mbi Main vetëm maja e ajsbergut?

Këtë pyetje shtrojnë në artikujt e tyre të së martës gazetat gjermane. Autoritetet përgjegjëse janë ende të rezervuara. Nëse i referohesh një raporti të "Frankfurter Allgemeine Zeitung" (18.12) të martën, atëherë në skandalin e veprimtarive ekstremiste të krahut të djathtë në policinë e Frankfurtit mbi Main, ofrohen të dhëna të mëtejshme. Në këtë raport thuhet se stacionet e policisë në landin e Hessenit në Marburg-Biedenkopf janë kontrolluar. Dhe nga të dhënat duhet të ketë lidhje me një nga zyrtarët që duhet të kenë qenë pjesë në rrjetin e Frankfurtit. Në "Tagesspiegel" të Berlinit, thuhet gjithashtu, se janë konfiskuar edhe telefona celularë të zyrtarëve të tjerë.

Kryqet e thyer nazistë dhe fotografitë e Hitlerit

Një javë më parë, rasti i pesë punonjësve të pezulluar në Frankfurt mbi Main bëri bujë. Thuhet se ata kanë shkëmbyer imazhe, video dhe tekste ksenofobie dhe shprehje ekstremiste nëpërmjet një shërbimi të mesenxherit. Kjo prej shumë kohësh. Për këtë qëllim, shefi i policisë së Frankfurtit, Gerhard Bereswill, tha (18.12) në ZDF: "Këto ishin në të vërtetë kryqe të thyera, fotografi të Hitlerit dhe fotografi të ngjashme me to, dhe të tjerat ishin imazhe dhe tekste që nxisin ksenofobinë, që janë drejtuar kundër refugjatëve, invalidëve, kundër njerëzve të tjerë." Der Tagesspiegel" shkruan, se qarqet e sigurisë po kontrollojnë nëse ekziston një lidhje e mundshme me rrjetin "Hannibal". Ky është një grup i krahut të djathtë brenda policisë dhe ushtarëve, që po përgatiten për një ditë  "X" për të vrarë "majtistët" dhe refugjatët.

Një faks anonim me fjalën "NSU 2.0"

Grupi u dekonspirua, pasi avokatja franceze Seda Basay-Yildiz paraqiti një ankesë në verë. Basay-Yildiz është avokate përfaqësuese e bashkëpaditësve në gjyqin e Mynihut kundër grupit neo-nazist "National Socialist Underground" (NSU). Në gusht, ajo mori një faks anonim, ku  fyhej si "derrkuce turke" dhe kërcenohej me "therrjen" e vajzës së saj dyvjeçare. Tani u bë e ditur se faksi me sa duket është dërguar nga një stacion policie në Frankfurt. Pesë zyrtarë të dyshuar, katër burra dhe një grua, u pezulluan nga detyra. Dërguesit e faksit kishin shtuar fjalën "NSU 2.0" në letër.

Dyshimi ndaj policisë kishte ekzistuar prej shumë kohësh

Shqetësimin e bëri edhe lajmi që selia e policisë së zonës ishte  informuar në tetor, se hetimi mbi kërcënimin kundër Basay-Yildiz po ndikon gjithashtu edhe ndaj vetë policisë. Megjithatë, ky informacion nuk i është përcjellë policisë shtetërore të kriminalistikës, shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

SPD kërkon shkarkimin

SPD kërkon që kundër zyrtarëve të veprohet me forcë të plotë, nëse pohimet konfirmohen. Eksperti i politikës së brendshme në SPD, Burkhard Lischka, kërkoi që zyrtarët të lirohen nëse është e nevojshme.  "Sjellja individuale e policëve të policisë së Hessenit zbulon arsyet dhe është kriminale", tha politikani i SPD në një intervistë për një gazetë.