1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia heton vrasjen e Aleksandër Litvinenkos

Alfred Schmidt25 Nëntor 2006

Policia britanike i ka zgjeruar hetimet për zbardhjen e vdekjes me helmim të ish spiunit rus, Aleksandër Litvinenko. Sipas fakteve të mbledhura ai është vrarë nga agjentë të huaj

https://p.dw.com/p/Aqnw
Scotland Yard heton për vrasjen e Alexander Litwinenkos
Scotland Yard heton për vrasjen e Alexander LitwinenkosFotografi: AP

Së bashku me ekspertë të shërbimit sekret, policia po analizon disa video-kaseta të kamerave vëzhguese dhe po merr në pyetje punonjës të klinikës që bënë analizat mjekësore të Litvinenkos.

Mediat britanike spekullojnë mbi rrethanat e vdekjes së ish spiunit të vdekur. Gazeta "Indipendent" pyet me kujdes në faqen e saj kryesore: "Kush e vrau Litvinenkon?" Gazeta "Times" shkon një hap më tej. Titulli i saj kryesor quhet: "Spiuni i helmuar është viktimë e terrorizmit shtetëror". Gazeta shkruan se një politikan i lartë shtetëror britanik, është shprehur në mënyrë anonime për këtë gazetë, se ndërkohë janë mbledhur fakte të mjaftueshme, të cilat do të publikohen më vonë. Sipas këtyre fakteve, Litvinenko është vrarë nga agjentë të huaj.

Një gjë është ndërkohë e sigurtë: Vdekja e Litvinenkos është vepra e një vrasësi profesional. Sepse materiali radioaktiv Polonium 210, prej të cilit vdiq Litvinenko, nuk është fare i lehtë për t´u organizuar dhe është dozuar me kujdes në trupin e ish spiunit rus. Shkencëtarë të ndryshëm shkruajnë në shtypin britanik, se ky material mund të jetë marrë nga një reaktor atomik.

Pikërisht rreziku që sjell lënda radioaktive, e ka bindur policinë britanike që të flasë me të gjithë të punësuarit në klinikën ku u analizua së fundi Litvinenko. Të premten në mbrëmje policët gjetën në disa vende në Londër vlera të larta radioaktiviteti, si në banesën e të vdekurit, në një restorant dhe në një hotel. Por sidoqoftë ministria britanike e shëndetësisë e ka vlerësuar si shumë të ulët rrezikun e rrezeve radioaktive.

Qeveria ruse i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, se ka marrë pjesë në vrasjen e Litvinenkos. Ish spiuni rus e kish akuzuar në një letër presidentin rus Vladimir Putin, se është përgjegjës për helmimin e tij. Ministria e jashtme britanike i kërkoi ndihmë Moskës, që të bashkëpunojë me zyrat përkatëse në Londër.

Aktualisht po vlerësohen video-kasetat e kamerave vëzhguese, për të parë se me kë ka qënë Litvinenko gjatë ditës që u helmua. Kufoma e tij ndodhet ende në zyrat e policisë britanike.

Deri tani qeveria britanike nuk ka dhënë ende ndonjë deklaratë zyrtare. Por meqënëse Litvineneko ishte ndërkohë qytetar britanik, kjo ngjarje mund t´i tensionojë marrëdhëninet diplomatike mes Londrës dhe Moskës.