1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia estoneze arreston 600 të rinj

Albrecht Breitschuh28 Prill 2007

Gjatë natës së dytë të trazirave në Estoni janë lënduar afro 100 vetë. Natën duke u gdhirë e shtuna policia estoneze ka mbajtur në arrest mbi 600 të rinj. Situata u acarua për shkak të monumentit të Ushtrisë së Kuqe në kujtim të të rënëve sovjetikë në Luftën e Dytë Botërore.

https://p.dw.com/p/Ar8E
Nata duke u gdhirë e shtuna në kryeqytetin eston
Nata duke u gdhirë e shtuna në kryeqytetin estonFotografi: AP

Mëngjesi pas trazirave në Talin. Një punonjës i vetmuar i pastrimit rrugor mbledh mbeturinat e trazirave. Deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës, në kryeqytetin estonez sundonte sërish rrëmuja. Ashtu si një natë më parë, u plaçkitën dyqanet, u dogjën makinat dhe fluturuan gurët. Policia e vuri në përdorim të gjithë arsenalin e armëve: gaz lotsjellës, ujëhedhës, shkopinj gome. Bilanci: qindra arrestime, 74 të plagosur, prej tyre nëntë policë. E megjithatë, prefekti i policisë së Talinit, Raino Kyyt (Raino Küüt) nuk donte ta paraqiste gjendjen si dramatike: „Në përgjithësi ishte shumë më qetë se një natë më parë. Vërtet që arrestuam shumë më tepër njerëz, por në tërësi gjendjen e kishim nën kontroll. Ne tani po punojmë me të gjitha forcat që kemi në dispozicion", - tha Kyyt.

Në mbrëmjen e së premtes, shumë të rinj rus kishin dalë për të protestuar para selisë së kryeministrit Andrus Ansip dhe i kishin kërkuar atij përmes altoparlantëve, që të dilte në shesh. Ansip dhe Partia Reformatore që udhëhiqet prej tij bënin pjesë në grupin e idhtarëve të çmontimit të ushtarit prej bronxi.

Kryeministri nuk doli, por ai lëshoi një deklaratë ku thoshte, se nuk e kishte pritur një reagim të tillë dhe se kishte besim të plotë tek forcat e sigurimit. Këto më pas i rrethuan ndërtesat e qeverisë dhe të parlamentit dhe me shumë mundim u përpoqën të ndanin të rinjtë estonë nga ata rusë. Shumë estonë të rinj kishin dalë nëpër rrugë grupe grupe duke mbajtur në duar flamujt estonë. Kur këta thërrisnin „Estonia", të tjerët thoshin „Rusia" ose i shanin duke i quajtur „fashistë".


Disa vëzhgues janë të mendimit, se Estonia tani po merr faturën për politikën që ka ndjekur ndaj pakicës ruse. Mbas pavarësisë shtetërore në vitin 1991, rusët janë shtypur në mënyrë sistematike, kjo akuzë vjen vazhdimisht nga Rusia. Estonët me prejardhje ruse përbëjnë 25 për qind të afro njëmilionë e gjysmë banorëve, që numëron gjithsej shteti baltik.

Raporti ndërmjet Rusisë dhe Estonisë gjithsesi ka kohë që është i tensionuar, e sidomos kur bëhet fjalë për të kaluarën e përbashkët. Rusët e shohin veten dhe Ushtrinë e Kuqe si „çlirimtarë të Evropës nga fashizmi", në të kundërt, për Estoninë, përmendorja e çmontuar tashmë, u thurr lavde jo çlirimtarëve, por një pushtuesi brutal. Nën sundimin sovjetik janë deportuar dhe vrarë me mijëra estonë.

Reagimet nga Rusia për heqjen e ushtarit prej bronxi ishin jashtëzakonisht të ashpra: "vandalizëm shtetëror", "blasfemi" dhe „sjellje e panjerzishme" - ishin disa nga cilësimet që u dëgjuan në Moskë, përveç kësaj, politikanët estonë u quajtën „nazistë provincialë". Në tërë Rusinë po zhvillohen protesta kundër çmontimit të monumentit në Talin. Para ambasadës estone në Moskë, sipas agjencisë ruse Interfaks kanë demnostruar të shtunën pasdite afro 100 të rinj, që bëjnë pjesë nëpër organizata të afërta me Kremlinin. Qysh para disa ditësh, zëvendëskryeministri rus Sergei Ivanov kishte bërë thirrje që të bojkotohen prodhimet nga Estonia. Rusia pret nga Bashkimi Evropian dhe organizatat ndrëkombëtare që ta dënojnë çmontimin e përmendores së ushtarit sovjetik, ka deklaruar zëdhënësi i ministrisë së jashtme ruse, Kaminin.