1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia e Kosovës në dhjetor merr kontrollin e një pjese të kufirit me Maqedoninë

16 Nëntor 2010

Problematike paraqitet situata për demarkacionin e vijës kufitare Kosovë-Serbi, thonë zyrtarë të policisë së Kosovës. Vija kufitare Kosovë-Serbi përbën 50% të vijës së tërësishme kufitare të Kosovës.

https://p.dw.com/p/QAJU
Fshati Debelldeh, në kufirin mes Kosovës dhe MaqedonisëFotografi: Ajete Beqiraj

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler, këtë të enjte do të udhëtojë për në qytetin e Nishit në Serbi, ku do të takojë ushtarakë të lartë të Serbisë. Sipas autoriteteve ushtarake të KFOR-it ky takim është takim njohës me ushtarakë të Serbisë. Në të do të bisedohet pë çështje tekniko-ushtarake. Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, i tha DW-së se në këtë takim nuk do të bisedohet për ridefinimin e vijës kufitare Kosovë-Serbi.

Buhler: takimi i KFOR-it me ushtarakë të Serbisë në Nish, është takim njohës.

Erhard Bühler COMKFOR Kosovo
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard BuhlerFotografi: DW

“Është takimi i parë njohës me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe dhe me të do të bisedojmë thjeshtë për çështje tekniko-ushtarake, siç janë edhe vendimet e mundshme për kufirin, por siç e thashë, nuk janë negociata për kufirin, por thjesht një takim rutinor”, thotë komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler. Ai thotë se çështja e ridefinimit të kufirit Kosovë-Serbi është një proces politik, për të cilin KFOR-i nuk ka mandat që të diskutojë.

Kosova duhet të bëjë demarkacionin me të gjithë vendet fqinje të saj

Vetëm pas kësaj atëherë KFOR-i do të bartë përgjegjësitë për kontrollin e kufirit te policia e Kosovës, thonë ushtarakë te KFOR-it. Tashmë kjo ka ndodhur në kufirin me Shqipërinë, ndërsa bisedimet e KFOR-it me policinë kufitare të Kosovës për bartjen e përgjegjësive edhe për vijën kufitare me Maqedoninë janë në fazën finale. Kështu thotë për programin tonë, Shaban Guda, komandant i policisë kufitare të Kosovës.
Në dhjetor 2010, policia e Kosovës do të kontrollojë një pjesë të vijës së gjelbërt të kufirit me Maqedoninë.

“Policia kufitare e Kosovës e ka hartuar një udhërrëfyes për marrjen e përgjegjësive të vijës së gjelbërt me Maqedoninë. Në atë udhërrëfyes ne parashohim që të nisim marrjen e përgjegjësive gjatë tremujorit të fundit të këtij viti. Në tash nuk do ta marrim kontrollin e tërë vijës kufitare me Maqedoninë, por kjo do të ndodhë me sektor të veçantë dhe marrja e përgjegjësive të para në vijën e gjelbërt në kufirin me Maqedoninë do të ndodhë gjate muajit dhjetor të këtij viti”, thotë Shaban Guda.

Vija kufitare me Serbinë

Shaban Guda Kosovo
Shaban Guda, komandant i policisë kufitare të KosovësFotografi: DW

Sipas komandantit Shaban Guda problematike do të jetë demarkacioni i vijës kufitare me Serbinë për shkak të raporteve jo të mira politike Kosovë-Serbi.

“Sa i përket kufirit të Kosovës me Serbinë që është afërsisht 50 % e vijës kufitare të Kosovës, është shumë me rëndësi që të bëhët demarkacioni, sepse duhet të dihet saktë se diku, ku shkon sovraniteti i Kosovës dhe autoriteti i policisë kufitare të Kosovës, por kjo nuk varet nga policia, por duhen shumë akter që të inkuadrohen në këtë proces”, thotë Shaban Guda, komandant i policisë kufitare. Vija e tërësishme kufitare e Kosovës është e gjatë 763 kilometra. Në bazë të rezolutës 1244 të KS-it, mbi bazën e së cilës forcat paqeruajtëse akoma qëndrojnë në Kosovë, ato janë përgjegjëse për tërësinë tokësore të Kosovës. Çështja e kufirit me Serbinë është përmendur si një nga pikat e dialogut Kosovë-Serbi. Qeveria e Kosovës tashmë ka krijuar komisionin e saj që do të përfshihet në demarkacionin e kufijve të Kosovës, në këtë kuadër edhe me Serbinë, edhe pse akoma nuk ka një datë të saktë se kur do të fillojnë bisedimet e paralajmëruara Kosovë-Serbi.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica