Polemikë për pavarësinë e Kosovës në forumin e Bertelsmanit | Gjermania | DW | 22.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Polemikë për pavarësinë e Kosovës në forumin e Bertelsmanit

E ardhmja e Evropës është tema qendrore e Forumit të 10-të të fondacionit Bertelsmann të premten 22.09. dhe të shtunën në Berlin. Kancelarja Angela Merkel që mbajti fjalën hapëse tregoi në vija të përgjithshme parimet bazë të politikës evropiane të Gjermanisë, që në gjashtëmujorin parë të vitit të ardhshëm do të ketë në dorë kryesinë e BE-së.

default

Nga politikanët dhe ekspertët e ardhur nga vende të ndryshme të botës kërkoheshin vizione dhe ide për të ardhmen e Evropës. Por edhe vetë kancelarja gjermane Angela Merkel, u detyrua në fillim të forumit të tregonte kufijtë që u vë vizioneve politika reale. Hë për hë nuk ka vend për zgjerim, ky ishte mesazhi i kancelares kristiandemokrate:

"Po e lë disi mënjanë çështjen e Ballkanit, por momentalisht nuk mund të bëjmë premtime për antarësime të reja."

Ky mesazh i prerë shkonte në adresë të Ukrainës, kryesisht, por edhe të vendeve të tjera rreth e përqark Detit të Zi, si Armenia e Azerbajxhani. "BE-ja duhet të mbetet funksionale dhe aftë për të konkurruar", - argumentoi ajo më tej.

Thënie parimore u shpalosën edhe në fillim të forumit të zhvilluar më pas, me titullin: Ballkani dhe Deti i Zi - prova e lakmusit për Evropën.

Presidenti i Rumanisë Traian Basesku hapi një nga polemikat kryesore të debatit, pasi u shpreh hapur parimisht kundër pavarësisë së Kosovës:

"Kosova është pjesë e territorit të Serbisë. Kufijë e Serbisë janë të siguruara me rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Kosova mund të bëhet kështu preçedente e Transinstries e cila është në të njëjtën situatë," - argumentoi Basesku.

Ministri i jashtëm i Armenisë, Vartan Oskanian, e kundërshtoi këtë të thënie të Baseskut. "Çdo konflikt pakicash duhet të shihet në mënyrë individuale, raste preçedente nuk ka," - theksoi ai.

"Pyetja që duhet të shtrojmë ne është: A ka të drejtë morale shteti amë që të vazhdojë të qeverisë atë popull? Në se ky shtet për shkak të sjelljes së tij të mëparshme e ka humbur këtë të drejtë, atëherë nuk ka përse të insistojë në integritetin e tij terriotorial," tha Oskanian më tej.

Mes këtyre dy pozicioneve parimisht të kundërta do të ndërhynte fillimisht kryetari i lëvizjes "Ora" Veton Surroi. Nuk është fjala për krijimin e shteteve të reja për të pasur një flamur tjetër ose simbole të tjera, por për ta bërë sa më të lehtë teknikisht integrimin në BE, do të argumentonte antari i Grupit Negociues për Kosovën,

"Shpërbërja e Jugosllavisë së fundi do të thotë integrim në Bashkimin Evropian. Por praktikisht këto vende duhet të pavarësohen për t'u bërë partnerë të barabartë," - tha ai.

Në polemikën e nxitur nga presidenti rumun kundër pavarësisë së Kosovës ndërhyri edhe ambasadori serb në Berlin, Ognjen Pribiçeviç, i cili u shpreh kundër një zgjidhjeje radikale:

"Situata më e keqe do të ishte në se njëra palë do të merrte gjthçka, kurse pala tjetër asgjë. Kjo do të mund të provokonte konflikt të ri. Prandaj e rëndësishme është që zgjidhja të arrihet me anë të kompromisit."

Këto ishin në vija të përgjithshme vizionet që u shpalosën në lidhje me çështjen e Kosovës. Milo Gjukanoviç, kryeministri i Malit të Zi, që ishte i vetmi ish-jugosllav në podium, nuk pati rast të shprehte mendimin e tij për këtë çështje. Krahas presidentit rumun e ministrit të jashtëm të Armenisë, në podium ishin ulur edhe presidenti bullgar dhe ai i Azerbajxhanit.

Së fundi do të ishte koordinatori i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek ai që do t'i kërkonte drejtuesit të debatit, moderatorit të kanalit të dytë televiziv gjerman ZDF, Peter Frey, të ndërronte temë. Busek tha se kjo çështje nuk do të zgjidhet në parim, por ashtu siç e kërkon politika reale:

"Nuk do të jeni ju ata që do ta vendosin këtë. Ajo do të vendoset në një nivel tjetër. Ju mund të diskutoni parimisht sa të doni, fjalën e fundit do ta ketë politika reale."

tha Busek duke e mbyllur pak a shumë kapitullin e Kosovës në forumin e X-të fondacionit Bertelsmann.

  • Data 22.09.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqzI
  • Data 22.09.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqzI