Polemikë në Irak | Bota | DW | 27.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Polemikë në Irak

Disa parti janë për shtyrjen e zgjedhjeve

Colin Powell dhe Adnan Paçaçi

Colin Powell dhe Adnan Paçaçi

A do të shtyhen zgjedhjet në Irak? Kjo pyetje sa vjen e po bëhet më aktuale pas kërkesës përkatëse së ditës së premte të një aleance mbarëpartiake prej së paku 15 grupimesh. Ato e arsyetojnë kërkesën e tyre me gjendjen kaotike të sigurisë në vend dhe me përgatitjet e pamjaftueshme për votimin mbarëkombëtar të planifikuar për në fund të janarit.

Edhe vetë përbërja e konferencës për shtyp të ditës së premte është interesante. Grupe sunito-arabe, kurde, të krishtera dhe laike ishin grumbulluar. Ato u takuan në shtëpinë e ish-ministrit të jashtëm Adnan Paçaçi. Suniti është një politikan i matur. Ai konsiderohet mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur Paçaçi vihet në mbështetje të një nisme të tillë, atëherë mundësitë e saj për sukses nuk duhen nënvlerësuar. Të befason fakti që edhe dy partitë e mëdha kurde marrin pjesë. Deri tani PUK-ja dhe KDP-ja i përmbaheshin afatit të janarit për zgjedhjet. Kjo edhe për arsye se në tre provincat e tyre gjendja e sigurisë është aq e mirë saqë atje mund të votohet pa vështirësi të theksuara.

Tre ministra të qeverisë kalimtare dhe një përfaqësues i partisë së kryeministrit Ijad Allavi ishin po ashtu të pranishëm në konferencë. Nëse e kanë mbështetur edhe ata thirrjen për shtyrjen e zgjedhjeve, kjo nuk del nga të dhënat ekszistuese, por pjesëmarrja e këtyre katër politikanëve vërteton që brenda kabinetit qeveritar ka zëra që e gjykojnë të arsyeshme shtyrjen e zgjedhjeve.

Zyrtarisht qeveria Allavi mbështet afatin e janarit, njëlloj si amerikanët. Të premten presidenti i Shteteve të Bashkuara George W. Bush deklaroi:

"Komisioni zgjedhor irakian i ka caktuar zgjedhjet në janar. Shpresoj që ato edhe të zhvillohen në janar."

Edhe ministri amerikan i mbrojtjes është përkrahës i afatit të janarit, megjithë vështirësitë: "E zëmë se në afatin e zgjedhjeve gjendja është edhe ca më e keqe, ose që zgjedhjet mund të mbahen vetëm në 3/4 ose 4/5 e vendit, sepse në pjesën tjetër sundon ende dhuna, megjithatë":

"Në jetë asgjë nuk është e përsosur, atëherë edhe këto zgjedhje nuk do të jenë krejt të tilla. Mos është vallë më mirë që të mos zhvillohen zgjedhjet?"

Megjithatë këto lloj zgjedhjesh po hasin në qëndresë gjithnjë e më të madhe në radhët e popullsisë irakiane. Natyrisht në radhë të parë tek sunitët. Ish-elita e vendit ka shumë për të humbur. Por sikur në zonat e tyre që konsiderohen të trazuara të mos votohet, atëherë rreth 20 për qind e irakianëve do të përjashtoheshin nga këto zgjedhje. Nuk ka rëndësi nëse ata nuk duan të votojnë dhe ndjekin thirrjet për bojkotim të zgjedhjeve apo nuk janë në gjendje të votojnë, nga frika se mos rrugës për në qendrat e votimit vriten prej radikalëve.

Megjithatë popullsia shumicë, shiitët duan të votojnë me çdo kusht në janar dhe do të ndërronin mendje vetëm në rast se udhëheqësi i tyre fetar, ajatollah el Sistani për interes kombëtar shprehej për shtyrje. Deri tani ai nuk është shprehur në favor të shtyrjes.

  • Data 27.11.2004
  • Autor Jörg Kaminski
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArRb
  • Data 27.11.2004
  • Autor Jörg Kaminski
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArRb
Reklamë