Polarizim i rezikshëm në politikën e brendëshme - Fushatë jashtë çdo logjike e kristjandemokratëve kundër Turqisë | Gjermania | DW | 12.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Polarizim i rezikshëm në politikën e brendëshme - Fushatë jashtë çdo logjike e kristjandemokratëve kundër Turqisë

Partia më e madhe opozitare në Gjermani, ajo kristjandemokrate, kërkon të verë në lëvizje njerëzit kundër antarësimit të Turqisë në BE nëpërmjet një aksioni për mbledhjen e firmave. "Unë besoj, se, mund të mendohet një aksion i mbledhjes së firmave për një partneritet të privilegjuar të Turqisë në BE dhe kundër antarësimit të saj", tha në një intervistë për kanalin e dytë televiziv të gjermanisë, Angela Merkel, kryetare e partisë kristjandemokrate. Një propozim ky që mund të çojë në një polarizim të rrezikshëm në Gjermani.

Kopertina e librit Frika e gjermanëve prej turqve

Kopertina e librit "Frika e gjermanëve prej turqve"

Me idenë e saj për një fushatë për mbledhjen e firmave kundër antarësimit të Turqisë në BE kryetarja kristjandmeokrate Angela Merkel rrezikon të nxisë një polarizim të dwmshwm pwr politikën e brendëshme. Janë të shumtë ata që e komentojnë këtë propozim si një votë kundër kombit turk dhe kutlurës së tij. Në këtë mënyrë kjo komentohet edhe si një votë pro, ose kundër njerëzve nga një vend, prej të cilit 2,5 milionë jetojnë dhe punojnë ndërkohë në Gjermani dhe 4 milionë syresh në Bashkimin Evropian. Me të drejtë turqit në Gjermani reagojnë ashpër dhe të prekur duke e konsideruar diskutimin për aksionin e firmave si një "shpallje e luftës" kundër tyre.

Me propozimin e saj kryetarja kristjandemokrate humbet cdo arësye dhe jepet pas një populizimi të nivelit të ulët. Por populizmi nuk mund të jetë direktivë e veprimeve politike, dhe në ansjë mënyrë ai nuk mund të zëvendësojë debatet konstruktive. Vallë a do të kishte ndokush në Gjermani vërtetë idenë për të rivendosur kufi brenda vendit, vetëm sepse nëpër anketime qytetarët gjithnjë e më shumë të shqetësuar prej vështirësive ekonomike, thonë më mirë të kishim sërish një mur Berlini?

Zgjerimi i BE-së në Lindje dhe në Juglindje është një vendim i domosdoshëm dhe i drejtë. BE-ja ka kohë që nuk është më vetëm një bashkësi e interesuar për ekonominë dhe mirëqenien. Ndërkohë BE-ja gjithnjë e më shumë po bëhet edhe një union, që forcon vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, mbrojtjen e minoriteteve dhe dialogun midis kulturave dhe feve duke dashur që mundësisht t´i përhapë këto vlera edhe përtej kufijve gjeografikë të Evropës. Pikërisht për këtë arësye vendimi për ose kundër afrimit të Turqisë në Evropë ka rëndësi të madhe për seriozitetin e synimit të evropianëve për të fituar më shumë të drejtë fjale dhe më shumë influencë në politikën botërore përtej kontinetit të tyre.

Turqia është një gur prove për qëllimin e Gjermanisë dhe të BE-së për të marrë përsipër rolin e një "global players". Por disa politikanëve dhe vendeve u mungon pjekuria e nevojshme, si p.sh. presidentit francez Zhak Shirak që kërkon një referendum popullor për të vendosur nëse duhet ose jo që Turqia të antarësohet në BE. Edhe më primitive është ideja e kristjandemokratëve gjermanë për organizimin e një aksioni për mbledhjen e firmave.

Ky propozim ka hasur në rezistencë në Gjermani, si në qeverinë federale, në radhët e partive në pushtet ashtu edhe brenda vetë partive të unionit kristjandemokrat. Nënkryetari i fraksionit parlamentar të krisjtnademokratëve, Volfgang Bosbah, duke iu referuar idesë së kryetares së partisë bën fjalë për një "keqkuptim" dhe një "ndjenjë të pakëndshme". Por Bosbah është vet një ndër kundërshtarët e antarësimit të Turqisë në BE, sepse prej kësaj ai i frikësohet importimit të terrorizmit në Evropë. Një firkë e tillë nuk ka asnjë bazë, sepse blasfemia e terrorizmit nuk stepet as prej fesë dhe as prej kulturës dhe nuk merr parasysh as njerëzit pavarësisht, se cilës rrymë politike dhe fetare i përkasin ata.

Pyetja mbetet, nëse duhet tani ky polarizim. Deri tani nuk është vendosur përfundimisht për fillimin e bisedimeve të antarësimit me Turqinë, dhe antarësimi i saj është ende larg, do të duhen ndoshta 15 vjet derisa të vijë ajo ditë. E pra mbetet shumë kohë për një diskutim politik dhe shoqëror mbi bazën e argumentave parimore. Tani për tani duhet të kemi parasysh, se ka shumë arësye dhe disa frikëra të kuptueshme kundër afrimit të Turqisë në BE.

Spiralja e polemikave nisur me propozimin e unionit kristjandemokrat mund të cojë në eksese që mund ta dëmtojnë imazhin e pastër të Gjermanisë si një demokraci e mirëfilltë e bazuar tek humaniteti dhe toleranca. Ekziston rreziku që njerëzit dhe kultura e feja e tyre të kenë pasoja të paparshikueshme prej populizmit: si turma njerëzish që thërrasin nëpër rrugët e Gjermanisë "jashtë turqit", thirrje për bojkot ndaj dyqaneve të turqve dhe ndoshta edhe gurë e shishe molotov që hidhen ndaj objekteve dhe shtëpive të turqve. Të tilla skena të zgjojnë kujtimin ende të freskët të viktimave në qytet Mëln dhe Solingen. Pamje të tilla të kujtojnë edhe 9 nëntorin, jo si përvjetorin e rëniës së murit të Belrinit në vitin 1989, por nëntorin e pogromës ndaj hebrejve në vitin 1938.

  • Data 12.10.2004
  • Autor Baha Gyngur
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5X
  • Data 12.10.2004
  • Autor Baha Gyngur
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5X