1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pol Volfovic - drejtori i ardhshëm i përgjithshëm i Bankës Botërore

Daniel Sheshkevic (AD)30 Maj 2005

Në datën 1 qershor, drejtori i përgjithshëm i Bankës Botërore, Xhejms Volfenzon largohet pas dhjetë vjetësh në post. Pasardhës i tij do të bëhet zëvendësministri i deritashëm amerikan i mbrojtjes, Pol Volfovic. Në një kohë që Volfenzohnit i dëshmojnë se në vitet e fundit në përgjithësi e përmirësoi imazhin e Bankës Botërore, pasardhësin e tij e shoqëron reputacioni i të qenit njëri prej arkitektëve të luftës së Irakut dhe e një administruesi të interesave amerikane

https://p.dw.com/p/ArP8
Pol Volfovic
Pol VolfovicFotografi: AP

Xhejms Volfenzoni konsiderohet si mik i të varfërve të kësaj bote. Në Afrikë, personi me origjinë austrialiane dhe nënshtetësi amerikane është më popullor se sa ndonjë burrë shteti. Edhe ekspertët për ndihmat e vendeve në zhvillim i japin presidentit të Bankës Botërore që po lë postin një dëftesë pozitive. Kështu p.sh. Hajdemari Vicorek Cojl, ministrja gjermane për bashkëpunimin ekonomik.

"Për Xhejms Volfenzonin mund të thuash se ai e hapi Bankën Botërore, se e orientoi atë në luftimin e varfërisë, se edhe ai vetë ishte dhe është dikush që për të gjithë botën përfaqëson paqen, tolerancën dhe bashkëpunimin e përbotshëm. Për mendimin tim, ai është një nga të paktët udhëheqës globalë, të cilit i besojnë njerëzit në të gjitha kontinentet."

Volfenzoni ishte një person i kompensimit të interesave midis botës së parë dhe të tretë, midis kundërshtarëve të globalizimit dhe mbështetësve të tyre, një burrë që zhvillonte dialog me organizatat joqeveritare njësoj si me shefat e shteteve dhe të qeverive. Bilanci i tij personal pas 10 vjetësh në post është pozitiv:

"Duke u larguar nga posti kam ndjenjën se Banka Botërore është bërë një institucion, i cili është i mbyllur në vetvete, i cili mbështetet në simpatinë e të tjerëve dhe bashkëpunëtorët e së cilës e dinë se rëndësi ka jo vetëm paraja, por edhe aftësia dhe ekspertiza e bashkëpunëtorëve, karakteri i vërtetë i të cilëve sot përceptohet shumë më mirë"

Përballë kësaj, Pol Volfovicit i paraprin reputacioni i një administruesi të kulluar të interesave amerikane. 61-vjecari është mjaft i ndërgjegjshëm për imazhin e tij si njëri nga arkitektët e luftës së Irakut dhe person i linjës së fortë i administratës së Bushit. Në shumë biseda me guvernatorët e Bankës Botërore, me evropianët dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare ai është përpjekur që t'i përgatisë ata që ta pranojnë. Volfovic:

"Besoj se kur bëhet fjalë për luftimin e varfërisë, ne jemi të gjithë të bashkuar në synimin që i kemi vënë vetes. Unë mund ta dëgjoj me durim mendimin e të tjerëve dhe do ta dëgjoj atë shumë".

Volfovici konsiderohet si jashtëzakonisht inteligjent. Përvojë për të ndihmuar vendet në zhvillim ai qe në gjendje të mblidhte në rastin më të mirë gjatë periudhës si ambasador amerikan në Indonezi. Nën udhëheqjen e tij, Banka Botërore pritet të marrë vitet e ardhshme vendime të rëndësishme. A duhet të japë Banka në të ardhmen më shumë subvencione dhe jo vetëm kredi? Si mund të sigurohen burime të reja parash për vendet në zhvillim, në një kohë që arkat buxhetore shtetërore në shumë vende po rrudhen? Dhe në ç'masë duhet të jetë qeverisja e mirë në vendet e ndryshme kriter për mbështetjen nga Banka Botërore? Pyetje, për të cilat midis anëtarëve ka mendime krejt të ndryshme. Krahas aftësisë për kompromis, Volfovicit do t'i duhet të demonstrojë edhe aftësi drejtuese. Një cilësi, të cilën ai duhet ta ketë mësuar në vitet e tij në ministrinë amerikane të mbrojtjes. Volfovic:

"Ky është një mision ku kërkohet aftësi drejtuese dhe unë ndihem i nderuar, që edhe ta demonstroj këtë."