Pokeri për poste - Në prag të raundit të dytë të bisedimeve të koalicionit | Gjermania | DW | 09.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pokeri për poste - Në prag të raundit të dytë të bisedimeve të koalicionit

Pas takimit të parë të kokave të unionit konservator dhe socialdemokratëve ditën e enjte në Gjermani po vazhdojnë hamendësimet për çështjen, se kush do të jetë kancelari apo kancelarja e ardhëshme dhe si do të ndahen postet brenda një koalicioni të madh.

Fotografi simbolike - ec e jaket për koalicionin e madh në Gjermani

Fotografi simbolike - ec e jaket për koalicionin e madh në Gjermani

Kandidatja e kristjandemokratëve për kancelare, Angela Merkel, kryetari i kristjansocialëve Edmund Shtojber si dhe kryetari i partisë socialdemokrate Franc Myntefering e kancelari Gerhard Shrëder kanë premtuar që deri të djelën në mbrëmje do të heshtin për gjithçka. Të djelën në orën 20 - tri javë pas zgjedhjeve parlamentare - të katër politikanët duan të mblidhen në raundin e fundit dhe vendimtar të pokerit politik.

Ky është sekreti i ruajtur më mirë se kurdoherë tjetër në politikën federale. Qysh nga dita e enjte deri më sot nuk është marrë vesh asgjë në publik nga ajo ç´ka kanë folur mes tyre kandidatja për kancelare Merkel, kreu i kristjansocialëve Shtojber, kancelari Shrëder dhe kryetari socialdemokrat Myntefering. E ky do të vazhdojë të mbetet sekret deri të djelën në mbrëmje, kur është planifikuar të mbahet edhe raundi i dytë i këtij niveli.

Të hënën do të informohen kryesitë dhe presidiumet e partive dhe më pas gazetarët. E kështu duhet, siç deklaron edhe nënkryetarja e socialdemokraëtve Ute Vogt: "Eshtë e rëndësishme që të mos e mësojmë nga mediet atë se për çfarë është vendosur, por që të mund ta vlerësojmë atë fillimisht në aspektin politik."

Por sa më pak që mësojnë mediet, aq më shumë shtohen spekulimet. Gazeta "Welt am Sonntag" shkruan, sikur unioni dhe socialdemokratët kanë rënë dakord, që të dyja kampet të jenë të prezantuara një lloj në kabinetin qeveritar. Unioni, sipas kryeministrit kristjandemokrat të landit të Saksonisë së Poshtme, Kristjan Vulf, vazhdon të insistojë, që: "Bazë vendimtare për një bashkëpunim konstruktiv është rregulli: sipas të cilit fraksioni më i madh zgjedh kryeministrin dhe presidentin e parlamentit."

Përveç kësaj unioni pretendon edhe postin e ministrit pranë zyrës së kancelarisë, detyrë kjo që është menduar t´i ngarkohet sekretarit të përgjithshëm kristjandemokrat Volker Kauder. Për këtë arësye gazeta "Welt am Sonntag" shkruan më tej, se socialdemokratët do të insistojnë që të mbulojnë tetë postet kyçe ministrore. Por gjithçka ende është spekulative. Analistët vlerësojnë se midis dy partive të mëdha do të ketë vështirësi edhe sa u përket çështjeve të politikës sociale. Madje ky kapitull sipas nënkryetarit të socialdemokratëve do të jetë edhe ura vendimtare në bisedimet për krijimin e koalicionit. Socialdmeokratët nuk duan të lejojnë reduktimin e të drejtave të punëmarrësve, shfuqizimin e rregullit për mbrojtjen e punonjësve nga pushimet nga puna, pagën shtesë për orët e natës apo turnet e së djelës. Ndërsa kristjandemokratët thonë, se për të kompensuar këtë nuk do të pranojnë kurrësesi aplikimin e pagës minimale të kërkuar prej socialdmeokratëve. Nëse vërtetë dy partitë e mëdha do të çiftëzohen në koalcion, kjo mbetet të mësohet të hënën. Unioni kristjandemokrat/kristjansocial dhe socialdemokratët kanë dërguar ndërkohë ftesat për konferencat e shtypit. Të hënën në orën 14 Angela Merkel do të presë gazetarët dhe një gjysmë ore më vonë po të hënën Franc Myntefering i pret gazetarët në selinë e partisë së tij.

  • Data 09.10.2005
  • Autor Sabine Kinkartc
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2d
  • Data 09.10.2005
  • Autor Sabine Kinkartc
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2d