1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poker për Kosovën

Michael Martens, Beograd24 Janar 2007

Përmbledhje e një artikulli të gazetës „Frankfurter Allgemeine Zeitung“

https://p.dw.com/p/ArZN
Poker superfuqish
Poker superfuqish

Që nga koha e Bashkimit Sovjetik dhe e ministrit të tij të jashtëm Gromiko, Rusia ka namin e një superfuqie për pengimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Por në të vërtetë që prej marrjes së trashëgimisë së Bashkimit Sovjetik, Federata Ruse e ka përdorur me shumë kursim të drejtën e vetos.

Që prej shpërbërjes së perandorisë komuniste botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur 13 herë veton në Këshillin e Sigurimit, kurse Rusia vetëm katër herë. Vetoja e Moskës ka patur dy herë të bëjë me rezolutat e planifikuara për Qipron e ndarë (1993 dhe 2004) si dhe në vitin 1994 me zhvillimin e luftës në Bosnjë-Hercegovinë, dhe në fillim të këtij viti me një projektrezolutë të parashtruar prej Uashingtonit dhe Londrës, për dënimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga junta ushtarake në Birmani.

Por, që prej disa muajsh presidenti Putin po bën të qartë se kuartetit të deritanishëm të vetove ruse mund të dojë t'i shtojë një 'njet' tjetër. Putini dhe ministri i tij i jashtëm Lavrov, kanë kërcënuar disa herë me kundërshtim në rast se propozimet që do të paraqesë ndërmjetësuesi finlandez i OKB-së për të ardhmen e Kosovës, nuk do të gjejnë miratimin e Beogradit. Së fundi ishte Angela Merkel-i të cilës ju desh të dëgjonte gjëmimin rus prej superfuqie. Nga këndvështrimi i Rusisë nuk mund të pranohet që vendimi mbi statusin e ardhshëm të Kosovës të diktohet nga jashtë, tha Putin të dielën pas bisedës me kancelaren në Soçi.

Rezidenca e Putinit gjendet fare pranë një rajoni, i cili sa vjen e përmendet më shumë në lidhje me pokerin për Kosovën. Gati dyzetë kilometra në lindje të Soçit shtrihet rajoni i Abkazisë, i cili kërkon shkëputje nga Gjeorgjia dhe mbështetet nga Rusia. Dhe në anën tjetër të Detit të Zi, jo larg bregdetit ukrainas fillon territori i Republikës së vetëshpallur të Transdnjestrit, e cila ja detyron ndarjen nga Rusia mbështetjes po ashtu ushtarake, por kryesisht politike dhe ekonomike të Rusisë.

Në qoftë se pjesa perëndimore e bashkësisë ndërkombëtare u lejon shqiptarëve të Kosovës të ngrenë shtetin e dytë shqiptar në territorin, i cili ndërkombëtarisht i takon Serbisë, atëherë popullsive në Abkazi dhe Transdnjestër nuk mund t'u mohohet mëvetësia, profetizon Putini. Ndaj zgjidhja për Kosovën duhet të ketë 'karakter universal', tha presidenti rus.

Por Putini nuk do të dojë t'i thellojë shumë gjërat me gjoja paralelizmin e këtyre konflikteve, megjithëse do të ishte në të mirë të stabilitetit rajonal që Abkazia, sikurse edhe Kosova në 1999-ën, të vendosej nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, që atje të dërgoheshin disa dhjetëra mijë ushtarë nga shtetet e NATO-s për tu kujdesur për sigurinë dhe që vendimi për statusin përfundimtar të rajonit t'i kalonte Këshillit të Sigurimit. Me siguri në këtë rast Shtetet e Bashkuara do të angazhoheshin që statusi i ardhshëm i Abkazisë të gjehej vetëm me miratimin e qeverisë në Tbilisi.

Pikërisht ngaqë ky shembull është utopik ai tregon se sa larg realitetit mund të gjykohej ky arsyetim rus në çështjen e Kosovës, sikur ai të ishte bërë seriozisht. Në të vërtetë ai është vetëm mjet për të arritur qëllimin, sepse ja që kërcënimi me veton është një instrument shumë më i vlefshëm sesa vetë vetoja, e cila në rastin e vendosjes e humbet efektin. Diplomacia ruse e di që maksimumi që mund të bëjë është të vonojë procesin politik për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Realiteti nuk mund të ndalet me një veto në Këshillin e Sigurimit. Prandaj Moska kërkon të paktën të rrisë çmimin për bashkëpunimin e vet pas dyerve të mbyllura.

Këtu shfaqet anëtari i dytë i rëndësishëm i Këshillit të Sigurimit për çështjen e Kosovës, me kusht që Kina të abstenojë. Një zgjidhje e çështjes së statusit të Kosovës e cila do i shërbente stabilitetit rajonal do të jetë e mundur vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do të punojnë me tërë fuqinë e vetë.

Ndryshe nga fillimi i krizave ballkanike 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian ka ndërkohë instrumenta të veta të politikës së jashtme dhe ushtarake, por me to nuk bëhet asnjë shtet. Të gjitha zgjidhjet me paqe në Ballkan në vitet nëntëdhjetë kanë qenë një Pax Americana, dhe roli udhëheqës amerikan do të nevojitej edhe tani. Vetëm me rrugë negociatash zgjidhja nuk arrihet. Mundësia e vetme për progres qëndron në vendosjen e fakteve. Në këtë rast kjo do të thoshte njohje e shtetit të Kosovës prej Shteteve të Bashkuara. Amerika duhet të ndërmarrë nismën, në rast se nuk prodhohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit.

Ka të ngjarë që të ketë edhe një rezolutë të Këshillit të Sigurimit me abstenim rus, sepse pavarësia e Kosovës as që ka nevojë të përmendet në të. Teksti i ri duhet vetëm të shpallë përfundimin e protektoratit të Kombeve të Bashkuara mbi Kosovën, të vendosur me rezolutën 1244 të qershorit 1999. Njohjen apo jo më pas të Kosovës së pavarur nga shtetet e veçanta, Këshilli i Sigurimit nuk është në gjendje ta diktojë. E pavend është edhe droja se si reagim ndaj një zhvillimi të tillë, udhëheqja e serbëve të Bosnjës do të synonte bashkimin me Serbinë duke shkatërruar kështu Bosnjë-Hercegovinën. Në një Serbi të tillë mesatarisht të madhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Dodik, nuk do të ishte më shumë sesa një politikan province. Ndaj ai do të parapëlqejë të mbetet princ province në gjysmën e vet të Bosnjës. Një tribun irredentist nuk dallohet në asnjë anë të Drinit.