Plassnik: Evropa i ka dyert të hapura për Ballkanin | Evropa | DW | 10.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Plassnik: Evropa i ka dyert të hapura për Ballkanin

Filloi punimet konferenca dyditore e ministrave të jashtëm të BE-së në Salzburg / Plassnik do të kërkojë mbështetje për lehtësimin në procedurën e dhënies së vizave për studentë dhe shkencëtarë.

Plassnik dhe Solana

Plassnik dhe Solana

Ballkani Perëndimor dhe angazhimi për perspektivën e tij evropiane përbën pikën kryesore të politikës së jashtme të Austrisë si kryetare e radhës së Bashkimit Evropian. Ministrja e jashtme Ursuala Plasnik e ka thënë këtë që në fillim të vitit 2006, kur mori në dorë kryesinë e BE-së, por e përsëriti edhe një herë në prag të takimit të ministrave të jashtëm, që filloi të premten pasdite në Zalcburg të Austrisë.

Për ne është e rëndësishme, që t’ua bëjmë të qartë besueshëm dhe konkretisht popujve të këtyre vendeve, që bashkimi evropian i ka të hapura dyert për ta, që jemi të gatshëm t’i mbështesim forcat proevropiane në këto vende.

Fjalë që janë të drejtuara veçanërisht nga vende si Serbia-Mali i Zi, Kosova, Bosnja Hercegovina, që këtë vit kanë përpara sfida të mëdha për të përballuar. Ministrja e jashtme e Austrisë argumenton, se pikërisht ato kanë nevojë për rrethana të qeta dhe të sigurta, e ku bën pjesë edhe mbajtja e premtimit të bërë tre vjet më parë në Selanik.

„E rëndësishme është strategjia e inkurajimit sidomos tani kur ka filluar të ndjehet njëfarë lodhjejje nga zgjerimi, dhe po dëgjohen zëra të gjetur modele të reja,“ - tha Plassnik. Ajo shtoi më tej se nuk duhet të nxitohemi me procesin e zgjerimit, por edhe nuk ka pse ta frenojmë atë pa shkak. Plasnik shpreson që për këtë të fitojë edhe mbështetjen e homologëve të saj, të cilët i ka ftuar në konferencën dy ditor në Salzburg.

Krahas ministrave të jashtëm të BE-së, Plassnik ka ftuar edhe ata të vendeve Ballkanike, mes tyre edhe atë shqiptar, Besnik Mustafaj, si edhe përfaqësuesit kyçë të BE-së dhe Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkan. Kryenegociatorin për statusin e ardhshëm të Kosovës, Martti Ahtisaari, të ngarkuarin e BE-së për Bosnjë Hercegovinë Kristian Shvarc-Shilling, si edhe kryeadminsitratorin Soeren Jessen Petersen, së bashku me të cilin është e dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Të shtunën këta do të kenë rastin të këmbejnë mendime dhe informacione për zhvillimet e fundit në Ballkan, të bëjnë bilancin e tre vjetëve të fundit e të piketojnë detyrat kryesore në të ardhmen. Të premten mbasdite, ministrat fillimisht u konsultuan për çështje të tjera të politikës botërore, si Irani, Lindja e Mesme, dhe dialogu mes kulturave, temë që u hap veçanërisht pas publikimit të karikaturave për Muhametin.

Lehtësimi i proçedurës së vizave

Plassnik gjithashtu u shpreh në Salzburg edhe për lehtësimin e procedurës së vizave për studentë dhe shkencëtarë që vijnë nga Ballkani. Edhe ministri i jashtëm i Sllovenisë, Dimitriij Rupel, tha se e mbështet këtë ide. 70 për qind e të rinjve në Serbi nuk kanë qenë asnjëherë në Evorpën Perëndimore, tha Rupel në Salzburg. Rupel gjithashtu theksoi, se hapja ndaj Ballkanit Perëndimor është me rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian

  • Data 10.03.2006
  • Autor Anila Shuka, Salzburg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBq
  • Data 10.03.2006
  • Autor Anila Shuka, Salzburg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBq