Plani i Schreiberit nuk e ka humbur aktualitetin as pas 50 vjetësh | Studimi në Gjermani | DW | 27.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Plani i Schreiberit nuk e ka humbur aktualitetin as pas 50 vjetësh

• Politikat ndaj familjes dhe popullsisë në Gjermani • Sa ndikojnë ndihmat humanitare për zgjidhjen e problemeve?

Ulja e numrit të lindjeve, kërcënim për të ardhmen

Ulja e numrit të lindjeve, kërcënim për të ardhmen

Një ndër temat mjaft të trajtuara në shtypin e sotëm gjerman janë debatet për politikat e familjes dhe të popullsisë, të cilat deri para dy-tri vjetësh ishin tema tabu në Gjermani për shkak të shpërdorimit të këtyre politikave prej ideologjisë naziste.

Duke trajtuar këtë temë gazeta "Tagespost" që botohet në Würzburg sjell në kujtesë propozime në lidhje me politikat për familjen të bëra para 50 vjetësh në Gjermani:

"Kompensimet për fëmijët janë vetëm një pikë ujë në shkretëtirë. Para 50 vjetësh Wilfried Schreiber, drejtor i Shoqatës së biznesmenëve katolikë, kishte propozuar që që nga mosha 35 vjeçare çdo person i punësuar duhet të paguante kontribute në një lloj sigurimi shoqëror për familjet. Nisur nga gjendja civile e secilit, plani i Schreiberit parashikonte kontribute të ndryshme. Kështu beqarët apo ata që nuk kishin fëmijë duhet të paguan më shumë se ata që kishin fëmijë. Madje parashikohej edhe mospagimi i kontributeve për ata që kishin shumë fëmijë. Në rast se kancelarja është vërtet e shqetësuar prej numrit të ulët të lindjeve në Gjermani, atëhere duhet ta ketë të qartë se plani i Schreiberit përmban edhe sot pas 50 vjetësh ide që nuk e kanë humbur aktualitetin dhe urgjencën."

Gazeta "Augsburger Zeitung" trajton një nga çështjet e tjera problematike për Gjermaninë, reformat në tregun e punës që lidhen ndër të tjera me emrin e reformave Hartz IV. Këto reforma të propaganduara si një sukses i madh po duken të paefektshme në praktikë. Citojmë:

"Jo politikanët opozitarë, por institute ekonomike me emër ua hoqën magjinë reformave Hartz. Shumica e elementëve prej të cilave përbëhet kjo reforma nuk janë efektive, janë të shtrenjta dhe nuk mund të zbatohen. Çfarë shuplake! Natyrisht që mund të ketë diskutime se sa të pranueshme janë përfundimet e studimit të këtyre instituteve. Por një gjë është e qartë në fushën e reformave për tregun e punës mbetet ende shumë për të bërë. Tani kërkohen ide të reja, sepse Hartzi nuk mund të konsiderohet më si një histori suksesi."

Përkujtimi i viktimave të cunamit u jep shkak komentatorëve të shtypit gjerman të trajtojnë problemin e ndihmave humanitare për zonat e prekura prej katastrofave. Për këtë temë citojmë fillimisht nga gazeta e Berlinit "taz":

"Ndihma, e cila nuk ka në qendër të vëmendjes shkaqet strukturore të mjerimit, përfundon në një lloj akti të vullnetit të mirë, i cili na ngushëllon kundrejt mangësisë së vazhdueshme të drejtësisë. Në vend që të parandalohen shkaqet dhe pasojat e katastrofave dhe që të reagohet me nisma politike ndaj paralajmërimeve të klimatologëve, ndihmat humanitare shndërrohen gjithnjë e më tepër në një mjet zëvendësues për politikat e munguara. Por bota nuk vuan prej mungesës së ndihmave, por prej raporteve të tilla, që i shtojnë gjithnjë e më tepër nevojat për ndihma."

Po për të njëjtën temë në gazetën "Neue Westfälische" që botohet në Bielefeld lexojmë:

"Edhe pse vëmendja që shkaktojnë katastrofat është arbitrare dhe artificiale ajo ka edhe një anë të mirë. Pamjet e vuajtjeve dhe të mjerimit shtojnë gatishmërinë për të dhuruar dhe ndihmuar. Gatishmëria e gjermanëve për të dhuruar para për organizatat humanitare këtë vit ishte më e lartë se kurrë. Dhe me gjithë pyetjet kritike që mund të shtrohen, ky është edhe një sukses. Gjithsesi do të ishte mirë, që përveç katastrofave të tilla që mbushin faqet e para të gazetave, të mos harrohen ato që nuk bëjnë kaq bujë, por që nuk kanë pasoja më të pakta."

Gazeta "General-Anzeiger" që botohet në Bonn trajton dënimin e kreut të opozitës në Egjipt, Eiman Nur, pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në këtë vend:

"Me këmbënguljen e SHBA-ve presidenti egjiptian Mubarak lejoi që në vend të zhvilloheshin zgjedhje që ishin më të drejta se sa zgjedhjet gjoja demokratike të viteve të mëparshme. Pas tyre një gjykatë egjiptiane mori një vendim tepër të diskutueshëm politikisht, dënimin me pesë vjet heqje lirie të opozitarit të mironjëhur Eiman Nur. Në këtë mes duhet mbështetut qëndrimi amerikan, sipas së cilit vendimi në fjalë vë në pikëpyetje përpjekjet e Egjiptit për demokraci, liri dhe shtet ligjor."

  • Data 27.12.2005
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsC
  • Data 27.12.2005
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsC