Plakja e shoqërisë dhe rënia e natalitetit sfidë për sistemin e sigurimeve sociale | Gjermania | DW | 24.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Plakja e shoqërisë dhe rënia e natalitetit sfidë për sistemin e sigurimeve sociale

Paralajmërimet s´mungojnë. Kthesën demografike në Gjermani stusjuesit e krahasojnë me një minë me sahat. Dy faktorë bashkohen duke i vendosur përballë sfidave të jashtëzakonshme sistemet sociale në Gjermani, por edhe në vende të tjera të insudtrializuara: është nga njëra anë rritja në vazhdimësi e jetëgjatësisë dhe nga ana tjetër rënia drastike e natalitetit.

default

Paralajmërimet gradualisht po depërtojnë edhe në vetëdijen e njerëzve. Dy të tretat e qytetarëve në Gjermani janë të vetëdijshëm për plakjen dhe procesin e tkurrjes. Kjo rezulton nga një anketim i realizuar prej fondacionit Bertelsman. Përpjekjet e fundit për reformimin e sigurimeve sociale, sipas ekspertëve nuk mund t´u bëjnë ballë këtyre ndryshimeve. Ja disa shifra lidhur me zhvillimin e popullsisë në Gjermani:

Në Gjermani jetojnë rreth 83 milionë njerëz. Por sipas përllogarritjes së ekspertëve kjo shifër nuk do të rezistojë për një kohë të gjatë. Kuota e natalitetit në popullsinë gjermane është në rënie. Vitin e kaluar kanë vdekur 110.000 njerëz më shumë se sa kanë lindur. Po në të njëjtin vit kanë ardhur 80.000 emigrantë në vend. Si rjedhojë mesatarisht popullsia është pakësuar me rreth 30.000 persona. Kjo nuk është tendencë e re. Gjatë 30 viteve të fundit Gjermania ka humbur gati 5,5 milionë banorë. Qysh në vitet 70 në vend më shumë njerëz vdesin se sa lindin, çdo brez pasardhës i fëmijëve është me një të tretën më i zvoogëluar se brezi i prindërve të tyre. Mesatarisht një grua në Gjermani lind vetëm 1,4 fëmijë. Në këtë mënyrë Gjermania është sot një nga shoqëritë më të varfëra të botës sa i përket numrit të fëmijëve.

Popullsia po pakësohet - por këtë pothuajse askush nuk e ka perceptuar, sepse në të njëjtën periudhë Gjermania është shndërruar në një vend emigracioni. Madje është vendi i dytë i emigracionit në botë pas ShBA, për këtë arësye deri më sot Gjermania nuk është zbrazur nga popullsia.

Paralelisht me kuotën e ulët të natalitetit po ndodh rritja e jetëgjatësisë në shoqëri, sepse njerëzit po jetojnë gjithnjë e më gjatë. "Ne jetojmë katër vjet më shumë se prindërit tanë, ndërsa fëmijët tanë do të jetojnë katër vjet më shumë se ne" kështu thotë Aksel Bërsh-Zupan, drejtor i institutit të studimeve ekonomike dhe kthesës demografike në Manhajm. Ky proces i plakjes është unikal.

Në 50 vjet sipas përllogaritjeve të entit federa të statistikave një në tre gjermanë do të jetë mbi moshën 60 vjeçare. Sipas studjuesve as që ka shenja për ndonjë bekim që të lindin më shumë fëmijë në Gjermani. Përllogaritjet e entit të statistikave parashikojnë pakësimin e popullsisë në rreth 75 milionë banorë deri në vitin 2050. Por sa për kujtesë; ndërkohë jetojnë në vend 83 milionë njerëz. E këto përllogaritje japin vetëm një vlerë mesatare, pasi ka të tjera formula llogaritjeje që parashikojnë për vitin 2050 një popullsi 60 milionëshe në Gjermani.

E pra një grup gjithnjë e më i madh të moshuarish do të përballet me një grup gjithnjë në tkurrje të brezit të aftë për punë: një sfidë e jashtëzakonshme kjo për politikën sociale në Gjermani, e veçanërisht për sistemet e sigurimit të pleqërisë, që ende nuk kanë nisur të konceptojnë mënyrën se si do t´u përshtaten këtyre ndryshimeve kaq të mëdha.

  • Data 24.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1y
  • Data 24.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1y