1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Placek jep dorëheqjen

Anila Shuka, Berlin10 Prill 2006

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë dha krejt papritur dorëheqjen. Vendin e tij pritet ta marrë zëvendëskryetari i deritanishëm, Kurt Bek.

https://p.dw.com/p/Ar0s
Vetëm pesë muaj në krye të SPD-së, Matias Placek
Vetëm pesë muaj në krye të SPD-së, Matias PlacekFotografi: AP

"Gjatë ditëve të fundit më është dashur të merrja vendimin më të vështirë të jetës, pas këshillës urgjente të mjekëve, që të heqë dorë nga posti i kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë," – u shpreh Matias Placek paradite në Berlin.

Pesë muaj më parë kryeminsitri 52-vjeçar i landit të Brandenburgut mori në dorë kryesinë e partisë më të madhe gjermane, me përgjegjësinë për ta nxjerrë atë nga një krizë lidershipi: "Më vjenë shumë keq, që nuk mund të mbajë më përgjegjësitë që më kanë dhënë, e të cilat i kam marrë me shumë kënaqësi. Duhet ta pranoj që në nëntor i mbivlerësova fuqitë e mia, por jam nga ata njerëz, që ose e bëjnë diçka mirë, ose nuk e bëjnë fare," – tha Placek të hënën në Berlin.

Sëmundja ishte shfaqur për herë të parë në fillim të janarit, me rënie të papritur të kapacitetit dëgjues e më vonë edhe me një krizë nervore. Siç tha më tej, ai nuk i kishte dëgjuar këshillat e mjekëve dhe dy javë më parë pati ardhur kriza tjetër e dëgjimit, e cila i kishte shkaktuar edhe dobësim të theksuar të kapacitetit dëgjues. Placek, megjithatë do të vazhdojë të mbajë mbi supe postin e kryeministrit të landit gjermanolindor të Brandenburgut.

Pasardhës i Placekut në postin e kryetarit të SPD-së gjermane fillimisht do të jetë kryeministri i landit Rajnhald Pfalc, Kurt Bek, - deri tani zëvendëskryetar i Partisë. Bek e ka marrë përsipër këtë përgjegjësi, por jo pa keqardhje për largimin e Placekut. "Nuk dua ta mohoj, që ditët e fundit kanë qenë të prekshme për faktin, që dikush si Matias Placek, i cili futi një sitl të ri në udhëheqjen e partisë socialdmokrate u detyrua për shkaqe shëndetësore të japë dorëheqjen dhe të mos vazhdojë më tej punën e tij," - tha Bek të hënën në Berlin.

Dyshja Placek-Bek erdhi pesë muaj më parë në krye, kur partia ndodhej në krizë. Kryetari i deriatëhershëm Franc Myntefering kishte dhënë dorëheqjen pas një grindjeje për postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Bek dhe Placek, të vetmit kryeministra landesh nga radhët e socialdemokratëve, sollën një frymë të re në Partinë Socialdemiokrate dhe ishin duke reformuar stilin udhëheqës të saj.