Pjesë nga shtypi ndërkombëtar i javës | Studimi në Gjermani | DW | 18.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pjesë nga shtypi ndërkombëtar i javës

Vetëm lëvdata për kancelaren e re Merkel, kritikë masive ndaj ish-kancelarit Schröder: Shumë kryeartikuj të shtypit ndërkombëtar e festojnë Merkelin pas premierës së saj në takimin e Bashkimit Evropian në Bruksel si "shpëtimtare", e cila e bëri të mundur kompromisin mbi financimin e BE-së deri në vitin 2013. Nga ana tjetër jehona ndaj angazhimit të Schröderit në këshillin mbikqyrës të konsorciumit energjetik ruso-gjerman është vetëm negative. - Fillimisht mbi takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian.

Francezja Le Figaro vlerëson kështu:

"I detyrohet Gjermanisë, kontribuesit më të madh neto në Bashkimin Evropian, që pas grindjes mbi buxhetin samiti iu afrua zgjidhjes. Përplasja franko-angleze midis dy personaliteteve të forta Tony Blair dhe Jacques Chirac kishte arritur një intensitet të tillë që vetëm një i tretë mund të gjente rrugëdalje. Kancelarja gjermane Merkel, e re në qarqet evropiane, e shfrytëzoi me sukses paraqitjen e saj të parë. Ajo u duk si njeriu pa të cilin Evropa nuk do t'i kishte shpëtuar krizës së re dhe me autoritet morri përsipër drejtimin e karrocës që me 25 shtete është bërë e vështirë të ngitet."

Edhe International Herald Tribune e ka vënë re në funksion drejtues Merkelin në Bruksel:

"Derisa Merkeli vepronte si ndërmjetës efikas në negociatat midis Britanisë së Madhe dhe Francës mbi buxhetin, presidenti francez Chirac përpiqej të theksonte se qeveria e tij ishte e gatshme të luante një rol po aq të madh si ndërmjetës. Merkel morri pjesë për të parën herë në një samit evropian që prej zgjedhjes së saj kancelare. Ndërhyrja e saj sinjalizoi një qëndrim më pro-evropian sesa paraardhësi i saj Gerhard Schröder dhe u kujtoi shumë pjesëmarrësve në samitin e BE-së epokën e Helmut Kohlit, një përkrahësi të vendour të integrimit evropian në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë."

Italianja La Republica komenton me mirënjohje:

"Kancelarja gjermane e luajti me shumë aftësi në samitin e saj të parë evropian rolin e ndërmjetësit. Me shumë arsye ajo ia doli të zbuste mërinë e mirëfilltë që sundon midis presidentit francez Chirac dhe kryeministrit britanik Blair. (...) Ishte kancelarja gjermane ajo që e prodhoi propozimin e kompromisit, i cili parashikonte heqjen e bllokadës në negociata. Dhe ajo i bindi anëtarët e rinj të Bashkimit Evropian të pranojnë një paketë financiare, e cila nuk përputhet as me pritjet e as me nevojat e tyre."

Ish-kancelarit gjerman Schröder iu desh të dëgjonte shumë kritikë për përfshirjen e tij në konsorciumin ruso-gjerman për ndërtimin e gazsjellësit në Detin e Veriut.

"Jo kështu, Schröder", titullon spanjollja El Pais dhe vazhdon:

"Është trishtuese dhe e pakuptueshme që Schröder-i e vë në rrezik reputacionin e vet me një punë që thjesht përbën skandal. Askush nuk do që Schröder-i të zhytet në vështirësi financiare, por për të jetuar atij nuk i duhet të bëhet i punësuari luksoz i një konsorciumi, i cili zotërohet nga shteti jotransparent rus nën drejtimin e presidentit Putin."

Edhe nga Washington Post kritikë e fortë:

"Vendimi i Schröderit u bë edhe më i neveritshëm kur doli që kryetar bordi i konsorciumit energjetij nuk do të jetë askush tjetër, por një ish-punonjës i shërbimit të fshehtë gjermaolindor, i cili ka pasur miqësi me Putinin kur ky ishte ende agjent i KGB-së në Gjermaninë Lindore. (...) Na mbetet vetëm të shpresojmë se lajmi i jashtëzakonshëm do të jetë arsye e mjaftueshme për kancelaren e re Merkel që të fillojë një politikë të re gjermane ndaj Rusisë."

  • Data 18.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsK
  • Data 18.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsK