1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pjesëmarrje e ulët në votime - Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Gjermani

7 Qershor 2009

Unioni konservator në Gjermani kryeson në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

https://p.dw.com/p/I53W
Kancelarja Angela Merkel (CDU) duke votuar në Berlin
Kancelarja Angela Merkel (CDU) duke votuar në BerlinFotografi: dpa

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Gjermani shërbejnë edhe si test për zgjedhjet e parlamenteve kombëtare pas tre muajve. Rezultati i votimeve për eurodeputetët sinjalizon shanse të mira për një koalicion të ardhshëm qeveritar në Berlin mes kristiandemokratëve dhe liberalëve. Sipas përllogaritjeve të ARD-së dhe ZDF-së unioni kristiandemokrat/kristiansocial(CDU/CSU) në Gjermani ka fituar me afro 38% në zgjedhjet evropiane të dielën (07.06.2009) pavarësisht nga tkurrja e ndjeshme e elektoratit. Kuota e arritur shënon mbi 5% më shumë se në zgjedhjet e mëparshme në 2004. Partia socialdemokrate (SPD) nuk ka mundur ta rimarrë veten, ashtu siç dëshironte: Me 21% socialdemokratët shënojnë madje një minus rekord shumë më të ulët se humbja e pesë vjetëve më parë. Partia ekologjike me mbi 12% sërish është pranë rezultatit rekord të saj të 2004. Ndërsa liberalët (FDP) me mbi 10% shënojnë deri tani rezultatin më të mirë të tyre në zgjedhjet evropiane. Edhe partia e majtë ka vota plus duke arritur gati 7%.

Ministri i Jashtëm, Frank Walter Steinmeier (SPD)duke votuar në Berlin
Ministri i Jashtëm, Frank Walter Steinmeier (SPD)duke votuar në BerlinFotografi: AP

“Jashtë bie shi dhe është kohë e mrekullueshme për të shkuar në votime”. Frank Walter Steinmeier u mundua kështu t'i joshte mbi 64 milionë qytetarët evropianë me banim në Gjermani të jepnin votën e tyre për Evropën. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme ishte i pari nga politikanët kryesorë të vendit, që doli sot paradite në zgjedhje për të dhënë shembullin personal. Kandidati për kancelar tha, se shpreson që pjesëmarrja të jetë më e lartë se pesë vjet më parë. Por sipas informacioneve të deritanishme këto shpresa nuk janë plotësuar.


Zyra Federale Zgjedhore: Deri në orën 14:00 pjesëmarrja 20,2 %

Drejtori i kësaj zyre bëri thirrje edhe një herë ditën e zgjedhjeve që të shfrytëzohet e drejta e votës. Deri në orën 18:00 lokalet janë zgjedhore janë të hapura. Në vitin 2004 pjesëmarrja ra në nivelin më të ulët në 43 për qind.

Pjesëmarrjen e ulët e kishin parashikuar edhe vetë kandidatët. Kryetari i Parlamentit aktual të Evropës dhe njëkohësisht kandidati kryesor i unionit, Hans-Gert Poettering, tha gjatë dhënies së votës: “Njerëzit e duan Evropën, megjithëse nuk e shprehin këtë me pjesëmarrje në zgjedhje.” Politikani gjerman i rangut më të lartë në Evropë e shpjegon këtë mungesë interesi për të shkuar në votime me mungesën e njohurive për Evorpën: “Shumë njerëz nuk e kanë kuptuar ende që Parlamenti Evropian ndërkohë është me influencë dhe pushtet”, tha ai në qytezën e tij Bad Iburg në landin e Saksonisë së Poshtme. Poetetering tha gjithashtu, se politikanët duhet të bëjnë më shumë për ta bërë Evropën më të prekshme për njerëzit.

Votimet për Parlamentin Evropian si test për zgjedhjet parlamentare në Gjermani

Presidenti i Parlamentit të BE-së Hans-Gert Poettering
Presidenti i Parlamentit të BE-së Hans-Gert PoetteringFotografi: picture-alliance / dpa

Kancelarja Angela Merkel, në një intervistë për mediet i parapërgatiti simpatizantët e dy partive simotra Unionit Kristiandemokrat dhe Unionit Kristoscial, që këtë radhë numri i votave të tyre do të jetë më i ulët se në vitin 2004, kur Unioni pat përfituar nga dobësimi i Partisë Socialdemkrate. Pesë vjet më parë Unioni mori 44,5 për qind të votave, ndërsa SPD-ja, që asokohe me Gerhard Schroederin kishte në dorë pushtetin, mori vetëm 21,5 për qind. Zgjedhësit protestuan në këtë mënyrë ndaj reformave që kishte ndërmarrë qeveria në tregun e punës. Ndërsa kandidati kryesor i SPD-së, Martin Schulz, u tregua sot optimist, se partia e tij do të mund t' i marrë disa vota Unionit. "Ne nisemi nga një podest i ulët, ndërsa ata nga një podest shumë i lartë, prandaj mendoj se tendenca do të jetë nga ana jonë", tha Schulz.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora