1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Abchasien Südossetien Unabhängigkeit

Ingo Mantojfel27 Gusht 2008

Njohja e republikave të vetëshpallura të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë prej Rusisë do t'i përkeqësojë konsiderueshëm marrëdhëniet me Moskën. Pasoja të rënda duhen pritur.

https://p.dw.com/p/F5P4
Presidenti rus Dmitrij Medvedjev
Presidenti rus Dmitrij MedvedjevFotografi: AP

Presidenti rus Medvedev e bëri fakt: Federata Ruse i njohu diplomatikisht republikat separatiste gjeorgjiane të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë. Me këtë hap Rusia jo vetëm që shpërfill të gjitha paralajmërimet e ditëve të fundit të qeverive perëndimore, por ajo po vepron në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare duke shpërfillur integritetin territorial të një shteti të vet evropian fqinj, Gjeorgjisë.

Në fakt presidenti rus mendon se ka të drejtë pasi qeveria gjeorgjiane u përpoq të rrëzonte me dhunë regjimet separatiste në territorin shtetëror gjeorgjian, por me këtë pikëpamje Kremlini është i vetmuar. Nëpërmjet këtij vendimi Rusia vihet përballë një vetëizolimi të rrezikshëm, jo vetëm për Perëndimin, por edhe për veten. Njohja e Osetisë Jugore dhe e Abkazisë do të ketë për pasojë një përkeqësim të konsiderueshëm të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit.

Sepse është iluzion kur Kremlini supozon, se pas një faze të shkurtër zemërimi, Perëndimi do të qetësohet. Pa dyshim Rusia zotëron në shumë tema potencial pengues për interesat perëndimore: në Afganistan, në çështjen bërthamore të Iranit ose edhe në furnizimin me energji. Por e njëjta gjë vlen edhe anasjelltas për Perëndimin. Tani ekziston rreziku, që të dyja palët të përgatisin kërcënime force të reja: Perëndimi mund të reagonte me pranimin e Ukrainës dhe të Gjeorgjisë në NATO ose duke penguar anëtarësimin rus në OBT. Rusia nga ana tjetër mund t'i jepte fund mbështetjes së Perëndimit në Afganistan ose të themelonte një kartel ndërkombëtar gazi. Arsenali i veprimeve penguese është i madh në të dyja anët.

Për të ardhur keq është, që parë esëll, nga acarimi i konfliktit nuk fiton asnjëri, as Rusia, as Perëndimi. Edhe vetë osetianojugorëve dhe abkazëve nuk u sjell gjë kjo njohje formale e pavarësisë së tyre, për sa kohë bëhet vetëm prej Moskës.

Por nuk duhet supozuar që shtetet e NATO-s dhe të BE-së të kalojnë së shpejti në rendin e ditës me Rusinë. Këtë e kanë bërë shumë të qartë të gjitha qeveritë perëndimore ditët e fundit gjatë paralajmërimeve të tyre. Shtetet perëndimore do të gjejnë përgjigje asimetrike ndaj përpjekjes së vetmuar ruse dhe shpërfilljes së parimeve ndërkombëtare. Këtu Rusia e ka nënvlerësuar qartë potencialin pengues të Perëndimit për interesat ruse. Sa i parëndësishëm është në pamje të parë konflikti i Gjeorgjisë për SHBA dhe Evropën, pas këtij akti jomiqësor të Rusisë ai do të çojë pashmangshëm në një njësim dhe konsolidim të politikës perëndimore ndaj Rusisë në NATO dhe BE. Ndërkaq kritika ndaj Rusisë do të shtohet. Përkrahësit e një kursi të moderuar kundrejt Rusisë do të heshtin. Kjo mund të dallohet mjaft qartë edhe në reagimet gjermane përmes kancelares Merkel dhe ministrit të jashtëm Steinmeier. Sepse pikërisht Gjermania bën pjesë prej vitesh ndër ato shtete të BE-së, që i varën shpresat tek bashkëpunimi me Rusinë. Me gjasa kjo do të ndryshojë tani si në ton edhe në përmbajtje.