1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Petersen dhe Daci për ministritë e reja në Kosovë

Bekim Shehu31 Gusht 2005

Shefi i UNMIK-ut, Soren Jesen-Petersen dhe kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, njoftuan sot se edhe Parlamenti i Kosovës do të jetë i përfshirë në krijimin e dy ministrive të reja. Petersen tha se deri në fund të vitit, Qeveria e Kosovës do ta ketë edhe Ministrinë e Rendit dhe atë të Drejtësisë. Ndërsa, parlamenti do të krijojë strukturat përkatëse për kontroll parlamentar të këtyre ministrive.

https://p.dw.com/p/Aqiz
Soren Jesen Petersen
Soren Jesen PetersenFotografi: AP

Çështja e krijimit të dy ministrive të reja në Qeverinë e Kosovës është kthyer serish në agjendë të shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen. Ky i fundit paralajmëron se deri në fund të këtij viti, Qeverisë së Kosovës do t'i shtohen edhe Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Rendit. Shefi i administratës ndërkombëtare, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci dhe të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar që edhe Kuvendi i Kosovës, të jetë i përfshirë në krijimin e këtyre dy ministrive. Soren Jessen-Petersen, në kompetencat e tija ka edhe bartjen e sa më shumë përgjegjesive tek institucionet e Kosovës. Këtë ai e argumenton me faktin se kjo lejohet me Rezolutën 1244 të KS të OKB. Poashtu, sipas tij, kjo është kërkesë e të gjitha subjekteve politike se ato janë të gatshme të marrin përsipër edhe fushën e drëjtësisë dhe rendit.
"Qëllimi është i qartë dhe ai duhet të jetë krijimi i institucioneve me struktura të sigurisë, ku të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë do të konsolidoheshin në institucione legjitime qeveritare", thotë Soren Jessen-Petersen.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, kumtoi pas takimit me Petersen se përfshirja e institucionit që e kryeson në krijimin e dy ministrive të reja, të drejtësisë dhe rendit, ka të bëjë me strukturat përkatëse për kontroll parlamentar të këtyre ministrive, por edhe të Qeverisë së Kosovës në përgjithësi.
Kalimi i përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet vendore është një proces që vazhdon që prej hyrjes së administratës ndërkombëtare në Kosovë, para gjashtë vjetësh. Deri tani shumica e ministrive janë përgjegjësi e institucioneve vendore. Mirëpo, katër nga to, siç janë politika e jashtme, mbrojtja, drejtësia dhe rendi, vazhdojnë të jenë kompetencë e rezervuar për shefin e UNMIK-ut.
Megjithë paralajmërimet se çështja e drëjtësisë dhe rendit do të kalojë deri në fund të vitit në duart e institucioneve vendore, mbrojtja e vendit dhe politika e jashtme, do të jenë edhe më tej përgjegjësi të rezervuara për autoritet ndërkombëtatare KFOR-in dhe UNMIK-un.