Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë presin mbështetje | Shoqëria & Kultura | DW | 01.05.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë presin mbështetje

Sipas OBSH-së, në Kosovë ka rreth 200.000 persona me aftësi të kufizuara. Për vetëdijësimin e shoqërisë mbi gjendjen e tyre projekti “Një ambient i përshtatshëm- Shoqëri për të gjithë” po shtrihet ne 30 komuna të Kosovës

Nënë me të bijën që pret mbështetje

Nënë me të bijën që pret mbështetje

Ramiz Bajramaj, 41 vjeç nga Gllogjani i Decanit, qysh i vogëwl si pasojë e paralizës së fwmijëve ka mbetur me paterica. Mirëpo, ai këtë nuk e pa kurrë si fatkeqësi, ndërsa mbështetja e familjes ndikoi që ai asnjëherë të mos ndihet ndryshe nga të tjerët.

„Mbështetja e familjes ka bërë që unë kurrë të mos e ndiej veten person me aftësi të kufizuar. M´ka trajtu njëjtë si gjithë fëmijët e tjerë dhe unë s´jam dorëzu kurrë. Kam kry shkollën, kam punu, po vazhdoj studimet prapë. Në mesin e shoqërisë e ndiej veten mirë. Vështirësia është vetëm kur s´mund t´iu ofroj fëmijëve atë që kanë nevojë…"-thotë Ramizi.

Ramizi - i suksesshëm në integrimin në jetën normale

I martuar, me fëmijë, jeton në bashkësi familjare dhe i lumtur me jetën e tij, Ramizi ka gjashtë vjet përvojë punë si arsimtar dhe ndërkohe afër diplomimit në fakultetin ekonomik; storje kjo e suksesshme për një person me aftësi të kufizuar. Por, sa krijon kushte shoqëria kosovare për një ngritje të tillë?

„Fare pak!"-përgjigjet Agron Veselaj, Koordinator për Projekte në shoqaten Handikos, në Prishtinë.-"Kjo, ngaqë personat me aftësi të kufizuara kanë problem me qasjen fizike në institucione, që nga shkollimi fillor, i mesëm, mandej në fakultete dhe perfundimisht punësimi i tyre. Të gjitha këto barriera ndikojnë në situatën e rëndë sociale të personave me aftësi të kufizuar".

"Shkallët janë pengesa më e madhe për mua"

Dhe këtë ndienjë Ramizi e njeh shumë mirë.

„Dhe, vështirësia e qasjes në institucione, më shumë reflektohet në psiqikën tonë. Shkallët janë pengesa më e madhe për mua. D.m.th., çdo zyre që i afrohesh duhet të ngjitesh në shkallë. Dhe, kjo është një mangësi e madhe në shoqërinë tonë".

Prandaj, Handikos në mbështetje të fuqishme të Komisionit Evropian, në 30 komuna të Kosovës po implementon projektin „Një Ambient i Përshtatshem-Shoqëri për të Gjithë" me qëllim të promovimit të qasjes së personave me aftësi të kufizuar në institucione, për vetëdijësimin e shoqërisë në përgjithësi dhe të personave me aftësi të kufizuar, në veçanti.

Agron Veselaj - Koordinator për projekte në shoqatën Handikos

Agron Veselaj - Koordinator për projekte në shoqatën Handikos

„Sepse ata duhet të jenë personat, që duhet të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të cilët asnjëherë nuk duhet të ndalen derisa qasja të jetë e njëjtë për të gjithë. Mirëpo, mendoj se ky projekt do ta bëjë një kthesë pozitive në këtë aspekt dhe personat me aftësi të kufizuar do të vetëdijësohen dhe do të luftojnë për të drejtat e tyre. Dhe, këtë e kanë bërë shumë herë. Mirëpo, mospërgjegjësia institucionale ka bërë që ata të kthehen dhe prapë të mos vazhdojnë aty ku kanë mbetur".

Personi me aftësi të kufizuar, qoftë I lindur apo i aksidentuar, është i ngujuar brenda tri rrathësh: brenda vetes, brenda familjes dhe brenda shoqërisë. Ndërsa, thyerja e lëvozhgës së parë dhe dalja nga vetvetja është hapi më i vështirë-mendon z.Veselaj, sipas të cilit ata që nuk e kuptojnë botën e një personi të tillë janë më të hendikepuar se vetë ai. Dhe me këtë rast ai kujton thënjin e njërit nga themeluesit e shoqatës „Handikos", që krahason pagat e deputetëve me ndihmën sociale të një personi me aftësi të kufizuar në Kosovë.

„Ekzistojnë tri grupe personash me aftësi të kufizuar: Ata me aftësi të kufizuar fizike, grupi i dytë me aftësi të kufizuar senzoriale dhe grupi i tretë janë, të gjithë ata persona të tjerë që nuk i kuptojnë këto dy të parat. Dhe, ata që nuk i kuptojnë këto dy të parat, sot i marrin 40 pensione të personave me aftësi të kufizuara".

"A duhet ta përjetoni që ta kuptoni?!"

Kjo është motoja e fushatës "Një Ambient i Përshtatshëm-Shoqëri për të Gjithë", e cila vjen si domosdoshmëri për ngritjen e vetëdijes së shoqërise kosovare dhe ndërgjegjësimit të institucioneve për poziten e palakmueshme të personave me aftësi të kufizuar, për mungesën e infrastrukurës së përshtatshme dhe përjashtimin e vazhdueshëm pas çdo tentimi që të realizojnë të drejtën për të qënë pjesë e proceseve dhe pjesë e barabartë e shoqërisë.

Autor: Ajete Beqiraj/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 01.05.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/NCCy
  • Data 01.05.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/NCCy