1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perçet, dynënshtetësia dhe siguria e brendshme

Christoph Strack14 Gusht 2016

Ministrat e Brendshëm të landeve që drejtohen nga CDU/CSU-ja kërkojnë masa më të ashpra sigurie si ndalimi i perçes apo i dynënshtetësisë.

https://p.dw.com/p/1Jhrh
Fotografi: picture-alliance/dpa/F.Schuh

Pas sulmeve në Vyrcburg, Mynih dhe Ansbach tema e sigurisë së brendshme renditet ndër vendet e para në axhendën politike gjermane. Dhe ajo luan një rol edhe në fushatat për zgjedhjet e ardhshme për parlamentet landeve. Në shtator në landet federale të Berlinit dhe të Mecklenburg-Vorpommern zgjidhen parlamentet e landeve dhe pas 13 muajsh zhvillohen zgjedhjet për Bundestagun e ri.

Për këtë arsye, ministrat e Brendshëm të landeve që drejtohen nga CDU/CSU-ja parti së cilës i takon edhe ministri i Brendshëm federal Thomas de Maiziere duan të miratojë javën e ardhshme një deklaratë, për masa të ashpra sigurie.

Ndër kërkesat bëjnë pjesë ndalimi i perçes dhe mbulimi i plotë i fytyrës, heqja e dynënshtetësisë dhe mbikqyrja më e ashpër e refugjatëve. Po a janë këto kërkesa ligjërisht dhe politikisht të realizueshme?

Ndalimi i perçes

Në radhët e CDU/CSU ka mendime të ndryshme për ndalimin e perçes, Disa e hedhin poshtë mbajtjes e saj sepse e quajnë shenjë të nënshtrimit të femrës, por nuk janë kundër ndalimit me ligj të saj.

Por ka edhe deputetë dhe politikanë të kësaj partie që kërkojnë edhe ndalimin me ligj të mbajtjes së perçes. Debatet dhe mendimet e ndryshme për ndalimin e perçes lidhen më tepër me integrimin se sa me terrorizmin apo sigurinë e brendshme.

München Frauen mit Kopftüchern
Fotografi: Imago/R. Peters

Megjithatë kërkesa të tilla nuk do të jenë të mundura të realizohen, sepse sipas këshilltarëve të parlamentit gjerman: "Një ndalim i përgjithshëm i perçeve në vendet publike shkel parimin kushtetues të neutralitetit dhe nuk mund të justifikohet me kushtetutë."

Mendimet i këshilltarëve të Bundestagut gjerman janë të rëndësishme për deputetët që ata të krijojnë mendimin e tyre, por jo të detyrueshme. Në fund të fundit fjala është për lirinë fetare, gjë që thekson gjithmonë Gjykata Kushtetuese, e cila është gjykata më e lartë gjermane, në gjykimet e saj.

Dynënshtetësia

Në Gjermani dynënshtetësia nuk është e lejuar pa kufizime. Prej rreth dhjetë vjetësh mundësinë për të pasur dy nënshtetësi e kanë qytetarët e BE-së dhe të Zvicrës që jetojnë në Gjermani. Po ashtu nënshtetësia e dyfishtë tolerohet edhe për qytetarë vendet e origjinës së të cilëve nuk e lejojnë lënien e nënshtetësisë, si p.sh. Siria, Maroku, Irani dhe shumë vende të Amerikës Latine. Që nga viti 2014 shtetësia e dyfishtë u lejohet edhe fëmijëve me prindërve të huaj që janë rritur kryesisht në Gjermani. Ndër ta shumica janë kryesisht nënshtetas gjermanë me origjinë turke.

Doppelte Staatsbürgerschaft
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière kërkon që personave me nënshtetësi gjermane, që kanë edhe nënshtetësinë e një vendi tjetër dhe shkojnë jashtë Gjermanisë për të luftuar si xhihadistë t'u hiqet nënshtetësia gjermane. Për këtë ai ndoshta mund të gjejë edhe miratim në parlament, por jo për ndalimin e përgjithshëm të mundësisë për dynënshtetësinë.

Kontrolli i mediave sociale publike

Ministri de Maizière synon si pjesë të konceptit të sigurisë edhe një kontroll të postimeve që bëjnë publikisht në rrjetet sociale azilkërkuesit dhe refugjatët që vijnë në Gjermani.

Edhe pse shumë prej tyre vijnë në Gjermani pa dokumente identifikimi, ata mbajnë lidhje me familjet përmes celularëve dhe rrjeteve sociale.

Në Gjermani punëdhënësit kanë të drejtë të kontrollojnë postimet në rrjetet sociale të atyre që aplikojnë për një vend pune. Por në rastin e azilkërkuesve dhe të refugjatëve duhen marrë parasysh edhe e drejta e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale.

Social Media Team der Polizei
Fotografi: picture-alliance/dpa/H.Schmidt

Por meqënëse kontrolli i postimeve publike në rrjetet sociale, që kërkohet në këtë rast, lidhet me sigurinë e brendshme duket se ministrat e Brendshëm të landeve të drejtuara nga CDU/CSU do të jenë dakord me kërkesën e ministrit de Maizière.