1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pelosi siguron Tajvanin për mbështetjen e SHBA

4 Gusht 2022

Gjatë vizitës së saj në Tajvan, demokratja amerikane ritheksoi solidaritetin e Uashingtonit në konfliktin me Kinën. Presidentja e Tajvanit falënderoi Uashingtonin për vendosmërinë e treguar.

https://p.dw.com/p/4F33h
Taiwan Taipei | Pressekonferenz: Nancy Peolosi und Tsai Ing-wen
Fotografi: Taiwan Presidential Office/AP/picture alliance

Politikanja amerikane Nancy Pelosi premtoi mbështetjen e SHBA për Tajvanin gjatë vizitës së saj në këtë vend. Ajo dhe delegacioni i saj udhëtuan në Tajvan "për ta bërë të qartë se "ne nuk do të heqim dorë nga angazhimi ynë ndaj Tajvanit", tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA në një takim me Presidenten Tsai Ing-wen në kryeqytetin Taipeh. Vizita është gjithashtu një shenjë "se ne jemi krenarë për miqësinë tonë të qëndrueshme".

Duke iu referuar kërcënimeve të udhëheqjes komuniste të Pekinit kundër Tajvanit, Pelosi tha: "Më shumë se kurrë, solidariteti amerikan është vendimtar". Ky është mesazhi i vizitës së delegacionit të Kongresit. Mbështetja e SHBA për Tajvanin është e plotë. "Sot bota përballet me një zgjedhje midis demokracisë dhe autokracisë," tha Pelosi, duke vlerësuar republikën e Tajvanit si "një nga shoqëritë më të lira në botë".

Reaktionen auf Pelosi Taiwan Besuch
Fotografi: Thomas Peter/REUTERS

Tsai: Tajvani mban "linjën e mbrojtjes së demokracisë"

Nga ana e saj, Tsai theksoi se Tajvani nuk do të tërhiqet përballë kërcënimeve kineze. Situata në ngushticën e Tajvanit ka implikime për sigurinë në rajonin Azi-Paqësor. Mes "kërcënimeve të shtuara ushtarake, Tajvani nuk do të tërhiqet”, tha presidentja. Tajvani do të mbajë "vijën e mbrojtjes së demokracisë". Vendi saj është një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojë të promovojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe zinxhirëve të furnizimit.

Pelosi udhëtoi në Tajvan të martën (02.08) për një vizitë të diskutueshme. Politikanja nga Partia Demokrate e Presidentit Joe Biden është zyrtarja më e lartë amerikane që viziton Tajvanin në 25 vjet. Para parlamentit, Pelosi theksoi gjithashtu se legjislacioni i ri amerikan për të forcuar industrinë e vet të çipave në krahasim me Kinën ofron edhe "një mundësi më të madhe për bashkëpunim ekonomik midis SHBA-së dhe Tajvanit".

Kritikat e Lavrovit, temë në takimet e ASEAN-it

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov kritikoi udhëtimin e Pelosit në Tajvan. Kjo tregon dëshirën e Uashingtonit për të demonstruar paligjshmërinë e SHBA-së për të gjithë, sipas motos: "Unë bëj çfarë të dua", tha Lavrov gjatë një vizite në Mianmar. Kremlini e ka përshkruar më parë udhëtimin si një provokim dhe ka treguar solidaritet me Republikën Popullore të Kinës.

Vizita e 82-vjeçares amerikane do të jetë një temë edhe në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të ASEAN në Kamboxhia. Edhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi dhe kolegu i tij amerikan Antony Blinken po marrin pjesë në bisedimet në kryeqytetin Phnom Pehn. Situata në Mianmar fillimisht ishte menduar të ishte në qendër të vëmendjes një vit e gjysmë pas grushtit të shtetit atje. Komuniteti i shteteve të Azisë Juglindore ASEAN përfshin dhjetë vende, duke përfshirë ato me lidhje të ngushta me Kinën, si Kamboxhia, Laosi dhe Mianmari.

Zemërimi dhe shqetësimi për manovrat e Kinës

Si kundërpërgjigje ndaj vizitës së Pelosit, ushtria e Kinës nisi manovra në gjashtë zona detare përreth Tajvanit. Ndër të tjera, do të përdoret edhe municioni i vërtetë i hedhur nga një distancë e largët. Stërvitjet konsiderohen si demonstrimi më i fuqishëm deri tani i muskujve ushtarakë, që nga kriza e raketave të vitit 1995, kur Kina gjuajti raketa mbi Tajvan për të frikësuar, ndërsa SHBA vendosi atje dy grupe aeroplanmbajtëse.

Reaktionen auf Pelosi Taiwan Besuch
Fotografi: Chiang Ying-ying/AP Photo/picture alliance

Zonat detare të stërvitjeve shkojnë kësaj radhe shumë përtej zonave të asaj kohe. Ekspertët presin që mund të pengohen edhe rrugët e transportit. Qeveria në Pekin e sheh Tajvanin si një provincë të saj të shkëputur. Taipeh ka akuzuar tashmë Kinën se dëshiron të depërtojë pjesërisht në ujërat sovrane të Tajvanit gjatë stërvitjeve. "Disa nga zonat e stërvitjeve të Kinës po hyjnë në ujërat territoriale (të Tajvanit)”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes. "Ky është një hap irracional për të sfiduar rendin ndërkombëtar."

Qeveria japoneze ka shprehur "shqetësim" për manovrat e planifikuara. Një zëdhënës tha, se këto shqetësime i janë komunikuar edhe palës kineze. Zona pranë Tajvanit ku Kina po planifikon manovra gërshetohet edhe me zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë.

bc/sti/as (afp, dpa, rtr)