Pekini shpreson për vazhdimësi nën kancelarin Scholz | Bota | DW | 21.12.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Pekini shpreson për vazhdimësi nën kancelarin Scholz

Në një bisedë telefonike me kancelarin Scholz, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për ruajtjen e kursit aktual. Ai shpreson se do të jetë kancelari që do t'i përcaktojë marrëdhëniet dypalëshe.

Kreu i shtetit dhe partisë së Kinës Xi Jinping shpreson për vazhdimësi në marrëdhëniet me Gjermaninë nën kancelarin e ri Olaf Scholz. Në një bisedë telefonike me kancelarin Scholzin, Xi bëri thirrje që të dyja palët të "ruajnë kursin" në zhvillimin e marrëdhënieve. Ato gjithashtu duhet të "ruajnë traditën e shkëlqyer të udhëheqjes së nivelit të lartë", e citojnë  mediat shtetërore presidentin kinez.

Deklarata lë të kuptohet se Xi shpreson që Scholz-i, ashtu si paraardhësja e tij Angela Merkel, të vazhdojë të formësojë politikën gjermane ndaj Kinës - dhe jo ministrja e re e Jashtme Annalena Baerbock, e cila tashmë ka është shprehur me nota të qarta kritike ndaj Kinës.

Kundër një "mentaliteti të luftës së ftohtë”

 Olaf Scholz me Xi Jinping, Hamburg 2017

Olaf Scholz me Xi Jinping, Hamburg 2017

Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, Xi u angazhua në bisedë që çështjet rajonale të zgjidhen përmes dialogut dhe që të refuzohet me vendosmëri një "mentalitet i luftës së ftohtë". Gjermania dhe Kina gjithashtu duhet të hetojnë në mënyrë aktive fusha të reja bashkëpunimi, për shembull në fushën e energjive të rinovueshme dhe ekonominë digjitale. Kompanitë gjermane janë të mirëpritura të shfrytëzojnë mundësitë që ofron hapja e Kinës.

Nga ana tjetër, sipas raportit, Xi shprehu shpresën se Gjermania do të sigurojë një mjedis korrekt biznesi për kompanitë kineze që dëshirojnë të investojnë në Gjermani.

Nga pala gjermane, u bë vetëm një deklaratë shumë e shkurtër për bisedën, në të cilën zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit përmendi një përzgjedhje temash: thellimi i partneritetit dypalësh dhe marrëdhëniet ekonomike, zhvillimi i marrëdhënieve midis BE-së dhe Kinës si dhe "temat ndërkombëtare".

E kritikuar për shkeljet e të drejtave të njeriut

Kina kritikohet për shkeljet e të drejtave të njeriut në marrëdhëniet e saj me ujgurët dhe tibetianët, për shtypjen e lëvizjes demokratike në Hong Kong ose për kërcënimet e saj kundër Tajvanit. Prandaj, Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore. Deri  tani, Scholz nuk ka deklaruar nëse Gjermania do të bashkohet me këtë bojkot.

Vitet e fundit, kancelarja Merkel megjithatë kishte hequr dorë nga një linjë e ashpër kundër Kinës dhe ishte përqendruar te dialogu - gjë që hapi diskutime, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.

aud (dlf, tgsch)