1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar për Kosovën

DW25 Nëntor 2007

Mbas zgjedhjeve të 17 nëntorit, prej të cilave doli fitues kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, shtypi ndërkombëtar i ka kushtuar një vëmendje të veçantë Kosovës dhe të ardhmes së saj

https://p.dw.com/p/CSmq
Hashim Thaçi duke festuar fitorenFotografi: picture-alliance/dpa

THE DAILY TELEGRAPH peshon argumentat pro dhe kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe arrin në përfundimin, se "opcioni i vetëm i vërtetë" është pavarësia e mbikqyrur, ashtu siç e ka propozuar Martti Ahtisaari. "Kosova e ka bërë të qartë, se në asnjë mënyrë nuk pranon të mbetet pjesë e Serbisë; ndarja duket e pashmangshme. Pyetja e vetme është se sa traumatike do të jetë."

Kosova është tani një problem edhe në raportet mes ShBA-ve, të cilat e kuptuan tepër vonë problemin e Kosovës, dhe Rusisë, në kuadër të tendencës gjithnjë e më në rritje të Rusisë për të ushtruar ndikim ndaj sigurisë së Evropës dhe ShBa-ve, është e mendimit JYLLANDS-POSTEN nga Danimarka.

"Në se Shba-të do ta kishin vënë re dhe kuptuar me kohë axhendën ruse se problemi i Kosovës mund të zgjidhet vetëm në marrëveshje me BE-në dhe Moskën si dhe në kuadër të një plani për pavarësi të mbikqyruar nga OKB-ja, do të ishte fituar shumë. Tani rrjedhoja mund të jetë që shpallja e nxituar e pavarësisë së Kosovës ta vërë në rrezik paqen delikate të Ballkanit"

ROSSIJSKAJA GAZJETA mendon se fati i Kosovës është vendosur tashmë. "Mbetet të sqarohet se cilat janë "kushtet e kapitullimit" për Serbinë dhe Rusinë. Beogradi aspiron për antarësim në BE, ndërsa ky kërkon ta shkatërrojë tërësisht ish-Jugosllavinë dhe ta dobësojë kaq shumë Serbinë, saqë ajo të mos ketë më pretendime udhëheqëse në rajon. Rusia me paralajmërimet e saj këmbëngulëse për krijimin e një rasti precedent i pengon këto plane." Gazeta është e mendimit se qendrimi i Beogradit është vetëm taktik dhe se ai nuk do të donte të bënte më luftë për Kosovën.

Me rastin e fitores së Hashim Thaçit në zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë, e përditshmja zvicerane, BASLER ZEITUNG, vë në dukje përparësitë e një zgjidhjeje konsensuale për rajonin. "Shkëputja e Kosovës do të jetë për Serbinë për shumë vite gjembi, i cili shumë herë do të nxisë ethet nacionaliste. Në Prishtinë do të jetë shkëputja e Veriut të Kosovës tema kryesore, e cila do të heqë vëmendjen nga nevojat për reforma në planin e brendshëm.... Zgjedhja e Thaçit, ish-udhëheqësit guerilas, do t'i jepte shansin perëndimit që në minutën e fundit të arrijë tek një formulë kompromisi që do të ndërlidhte të drejtën legjitime të vetëvendosjes së Kosovës me një garantim të kufizuar në kohë dhe esencë të integritetit territorial të Serbisë. Përparësitë e një zgjidhjeje konsensuale, qoftë kjo edhe sipërfaqësore, janë tepër të mëdha për zhvillimin e rajonit. Vetëm një figurë e fortë, si ajo e Thaçit, reputacioni i të cilit si luftëtar për liri është i padiskutueshëm, mund ta bëjë këtë të pranueshme për Kosovën."

THE GUARDIAN nga Londra shkruan: "Qeveritë evropiane, edhe sikur të donin, nuk mund të rrinë më pa i kushtuar vëmendje Kosovës. Rezultati i zgjedhjeve ... tregon qartë kah shpallja e afërt e pavarësisë. Ky zhvillim është pritur prej shumë muajsh. Por kjo nuk e bën më të lehtë përballimin pasojave tö mundshme. E ardhmja e Kosovës dhe Ballkanit tani duket më e rrezikshme dhe e pasigurtë se para dhjetë vjetësh."

VREMJA NOVOSTEJ nga Moska shkruan, se fituesi i zgjedhjeve Hashim Thaçi po ndjek një program të rrezikshëm shqiptaromadh dhe është armiku kryesor i Serbisë. E megjithatë, shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk do të përbënte fundin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Parlamenti i Kosovës ka marrë vendime të njëanshme edhe më parë, të cilat janë anuluar menjëherë nga misioni i OKB-së. Përveç kësaj, situata e vështirë ekonomike e detyron Kosovën të bashkëpunojë me Serbinë."