1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra javore e shtypit ndërkombëtar

8 Janar 2005

Gjendja shëndetësore e kryeministrit izraelit Ariel Sharon dhe e ardhmja e Izraelit ka qenë këtë javë një temë e rëndësishme për shtypin ndërkombëtar. Por edhe pasojat në Evropë pas grindjes për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës kanë qenë në fokusin e analistëve.

https://p.dw.com/p/ArxI

Gazeta zvicerane "Basler Zeitung" lidhur me rëndësinë e Sharonit për vendin e tij shkruan: "Sharoni pas viteve të turbullta të paraardhësve të tij Netanjahu dhe Barak krijoi stabilitet politik. E para së gjithash ai duke u prezantuar si babai i besueshëm i kombit u dha një ndjenjë të lartë sigurie izraelitëve të frikësuar prej terrorit palestinez. Koncepti i Sharonit për sigurinë kufizohej në dimensionin ushtarak. Qëllimi i strategjisë së tij nuk ishte kompensimi paqësor me palestinezët, por siguria afatgjatë e Izraelit si shtet me një shumicë solide të popullsisë hebreje", nënvizon "Basler Zeitung".

Gazeta franceze "Le Monde" nxjerr këtë konkluzion: "Zhdukja e papritur e Sharonit i hap Izraelit një fazë të pasigurisë, që nuk mund të mbyllet përpara zgjedhjeve të parakohshme në mars. Më shumë se kurrë rezultati i zgjedhjeve do të influencohet prej zhvillimeve në territoret palestineze. Kaosi, që krijojnë territoret palestineze, nuk të jep shkas për optimizëm", shkruan "Le Monde".

Ndërsa holandezja "Trouwn" është disi më optimiste: "Dallimi më i madh është, që Izraeli duhet të dëshmojë tani që mund t´ia dalë edhe pa Sharonin. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Por situata nuk është edhe kaq e pashpresë. Tek e fundit edhe pozicioni i pushtetit të Sharonit konsistonte tek kredibiliteti në popull, ashtu siç duhet në një demokraci. Sidoqoftë do të jetë një rebus i vështirë për të gjetur udhëheqjen pa një njeri të fuqishëm si Sharoni", vëren gazeta "Trouwn".

"Financial Times" e Londrës i referohet rolit të ShBA dhe BE në politikën ndaj rajonit: "Fundi tashmë i sigurtë i erës politike të Sharonit i vështirëson edhe më shumë parashikimet për Lindjen e Mesme të trazuar. Megjithatë pasiguria presupozon edhe mundësitë për formësim. ShBA dhe Evropa mund të detyrohen t´i rikthehen angazhimit më aktiv dhe më kreativ për rigjallërimin e bisedimeve për një zgjidhje të qëndrueshme paqësore izraelito-palestineze, pasi në vitet e fundit ato u angazhuan duke marrë strategjinë e Sharonit kundrejt palestinezëve", analizon "Financial Times".

Pas fundit të grindjes mes Rusisë dhe Ukrainës për çmimin e gazit gazeta britabike "Indipendet" kërkon: "Evropa ka nevojë për një politikë të përbashkët energjetike. Toni Bler ka kontribuuar shumë pak për këtë gjatë presidencës së Britanisë së Madhe në BE. Austria, me varësinë e saj prej furnizimeve me gaz nga Rusia, mund të angazhohet më shumë në këtë drejtim", shkruan "Indipendent".

E përditshmja spanjolle "El Pais" është për shumëllojshmërinë: "BE-ja ndodhet përballë detyrës, për t´i degëzuar më shumë importet energjetike, nëse do që të mos jetë në varësi të madhe nga koniuktura ose humori i udhëheqësve politikë në shtetet furnizuese", komenton "El Pais".

I të njëjtit mendim është edhe komentatori i gazetës ekonomike të Parisit "Les Echo": "Në afatgjatë BE-ja duhet të përpiqet për burime më të larmishme energjetike. Sa i përket aspektit gjeografik, ajo duhet të orientohet nga Afrika e Jugut, dhe Afrika e Veriut, nga Norvegjia dhe Lindja e Mesme. Nga ana tjetër BE-së i duhet të zhvillojë edhe energji të tjera, e këtu duhet të mendojmë edhe për energjinë bërthamore", tërheq vëmendjen "Les Echo".

Lidhur me këtë austriakia "Kurier" vëren: "Shpëtimi është tek ringjallja e energjisë bërthamore, thuhet në Bruksel dhe në një sërë vendesh antare. Me këtë BE-ja ndodhet në pikën ku ka qenë në vitin 1957, kur nisi themelimi i Euroatomit për sigurimin e zhvillimit ekonomik me energji atomike. Kjo nuk është origjinale. Austrisë me politikën e saj kundër centraleve bërthamore dhe si kryesuese e radhës së BE-së i kërkohet, që të parashtrojë propozime në BE, që mund të jetë politika e qëndrueshme për energjinë", shkruan "Kurier".