Pasqyra e shtypit | Studimi në Gjermani | DW | 11.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit

Irani ka rifilluar programin e diskutueshëm bërthamor dhe shqetësimi për një fuqi të re atomike mbizotëron në komentet e shtypit. Në fokus është edhe gjendja e stadiumeve në Gjermani, ku zhvillohet kampionati i sivjetëm botëror i futbollit

Gazeta "Mittelbayerischer Zeitung" që del në Regensburg lidhur me Iranin shkruan: "Edhe vetë sunduesit në kryeqytetet e fuqive bërthamore jetojnë nën shpatën e Demokleut, nga rreziku i një Hiroshime të dytë. Por kjo nuk i ka penguar ata që me shitjen e teknologjive delikate të fitojnë para. Ideja e eksportuesve të naftës si Iraku apo Irani për t´u kthyer në fuqi bërthamore, në mënyrë që të zgjidhin "problemet e tyre të energjisë" ka tingëlluar gjithnjë groteske. Në vitet 70 Shahu planifikoi ndërtimin e 23 centraleve bërthamore. Natyrisht teknika vinte nga SHBA. Fuqitë e mëdha kanë kontribuuar vetë në minimin e monopolit të shtrenjtë të tyre të armëve bërthamore", vëren "Mittelbayerische Zeitung".

"Handelsblatt" e Dyseldorfit komenton: "Fronti kundër Iranit (...) ende nuk është mbylur, ashtu siç duket. Interesat afatshkurtra ekonomike dominojnë në disa shtete përkundrejt rrezikut afatmesëm politik. Qeveri të tjera preferojnë më mirë të kapen pas fillit diplomatik, se sa të mendojnë për ndonjë opcion ushtarak. Një hap i tillë në të vërtetë do të ishte fatal. Por ai mund të bëhet realitet, nëse dikur ndonjërit prej pjesëmarrësve i humbet durimi", paralajmëron "Handelsblatt".

Një citat nga komenti mbi të njëjtën temë i së përditshmes "Wiesbadener Kurier": "Pavarësisht nga pyetja, se përse një vend kaq i pasur me naftë si Irani do patjetër të fitojë energji prej forcës bërthamore: nëse do të bëhej fjalë thjeshtë për përdorim paqësor të energjisë bërthamore, atëherë Mullahët do të ishin furnizuar mësë miri prej ofertave për kompromis të bëra deri më sot, në radhë të parë prej propozimit të Moskës për pasurimin e uranit në një sipërmarrje të përbashkët në tokën ruse. Por Teherani do bombën dhe konform deklaratave të fundit të presidentit fanatik ai dëshiron t'a ketë atë kundër Izraelit, apo ndonjë vendi tjetër. Raketambajtëset që arrijnë deri në Evropë, shteti fetar i posedon prej kohësh", konstaton "Wiesbadener Kurier".

"Ostsee Zeitung" që del në Rostok shkruan: "Heqja e vulave nga centralet bërthamore e më këtë shkelja e marrëveshjeve me BE-në tregon, se Teherani ka favorizuar dialogun me Evropën dhe me Rusinë për të fituar kohë për planet e veta bërthamore. Kursi i konfrontimit që ndjek Irani ka për qëllim dominimin politik dhe ushtarak në Lindjen e Mesme dhe të Afërme. Regjimi i Mullahëve e konsideron çastin të përshtatshëm: Perëndimi nuk ka sukses as në luftën e Irakut, as në konfliktin izraelito-palestinez dhe as në luftën kundër terrorizmit. Që programi bërthamor i Iranit u shërben vetëm qëllimeve civile, kjo është e pabesueshme po të kemi parasysh presidentin, që do të asgjësojë Izraelin dhe dëshiron të vazhdojë të sponsorizojë grupet terroriste si atë Hisbolla apo Xhihad", komenton "Ostsee Zeitung".

Tema e dytë: pesë muaj përpara fillimit të kampionatit botëror të futbollit stadiumet në Berlin, Gelzenkirshen, Leipcig dhe Kaizerslautern janë klasifikuar me kartelë të kuqe nga fondacioni i verifikimit të mallrave. Konstatohen mangësi në daljet e emergjencës në raste paniku si dhe në masat e mbrojtjes nga zjarri. Organizatorët nuk i pranojnë kritikat, dhe opnionistët në Gjermani kanë mendime të ndryshme.

"Tageszeitung" e Berlinit komenton: "Komiteti organizativ përpiqet, që entin prestigjoz të verifikimit t'a paraqesë si një ndërmarrje te etur për profil dhe parazite, e që më e keqja prezantohet si i pakujdeshëm në punën me shtypin. Për komitetin organizativ stadiumet gjermane janë të sigurta dhe mjaft më. Kushdo që e vë në pikëpyetje këtë fakt është grindavec, sikur të mos kishim rastet e një palestre të rëzuar në Bad Reihenhall, një aeroporti të djegur në Dyseldorf dhe një tuneli alpesh në Zvicër", tërheq vëmendjen "Tageszeitung".

Një tjetër mendim ka komentatori i "Augsburger Allgemeine": "Diskutimi i hapur është i nevojshëm. Për sigurinë nuk duhet kursyer. Por kërkohet më shumë qetësi dhe më shumë arësye. Kjo vlen për të gjithë. Për ata që paralajmërojnë dhe për ata që janë paralajmëruar. Kërkohet një verfikim i kthjellët dhe i shpejtë. Duhen sqaruar shumë çështje, sa i madh është rreziku për atë që shkon në stadium? A ka qenë parametri i përdorur prej verifikuesve në përputhje me realitetin? A e justifikojnë këtë paralajmërim dramatik mungesa e disa pompave të zjarrëfikësit dhe disa shkallë të ulëta nëpër stadiume", shtron pyetjen "Augsburger Allgemeine".

  • Data 11.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrw
  • Data 11.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrw