Pasqyra e shtypit: Takimi Fisher Rajs në Uashington - Përkujtohet 60 vjetori i çlirimit të kampit të përqëndrimit Aushvic | Studimi në Gjermani | DW | 26.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit: Takimi Fisher Rajs në Uashington - Përkujtohet 60 vjetori i çlirimit të kampit të përqëndrimit Aushvic

Një ndër temat më të kometnuara në shtypin e sotëm gjerman është ceremonia përkujtimore në Berlin me rastin e 60 vjetorit të çlirimit të kampit të shfarrosjes në masë, Aushvic. Analistët i kushtojnë vëmendje edhe takimit të ministrit të jashtëm Joshka Fisher me ministren e ardhëshme amerikane të punëve të jashtme, Kondoliza Rajs.

Lidhur me takimin në Uashington një citat nga artikulli i gazetës "HAMBURGER ABENDBLATT", e cila shkruan: "Sigurisht që të dy politikanët fillimisht duhet të ambjentohen me njëri-tjetrin. Por kjo nuk ka përse të jetë ndonjë disavantazh. Ndonëse Fisher është kujdesur të ketë një miqësi të përzemërt me parardhësin e "Kondit", kjo nuk i ka shërbyer shumë atij në politikë, sepse Kolin Pauelli as nuk dëgjohej prej presidentit dhe as nuk kishte ndonjë influencë të dukshme ndaj fajkojve të kabinetit qeveritar të SHBA. Me Kondoliza Rajsin punët qëndrojnë ndryshe. Ajo është këshilltarja më e ngushtë e presidentit Bush dhe konsiderohet njëkohësisht si arma më e mirë e tij për një lloj ofensive sharmante të tipit amerikan kundrejt evropianëve. Për qeverinë gjermane rëndësi të veçantë ka fakti, që Rajs, një eksprte e mirënjohur e Evropës Lindore, gjatë ribashkimit të Gjermanisë ka pasur një pozicion të rëndësishëm në administratën e atëhershme amerikane, në të cilën ishte pjesëmarrës Bush i ati. Edhe ky
është një element që e përforcon shpresën për një bashkëpunim në mirëbesim të plotë", vëren "HAMBURGER ABENDBLATT".

Duke analizuar marrëdhëniet dipomatike gjermano-amerikane, gazeta "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG" ndalet në politikën për Iranin: "Deklaratat amerikane për opcionet ushtarake i sinjalizojnë diplomacisë evropiane një potencial kërcënues. Ndaj është e dëshirueshme që të arrihet një "harmonizim në shkallë të lartë i pozicioneve", gjë që dëshiron të arrijë ministri Fisher, sipas deklaratave të veta. Sepse nëse do të vijë puna vetëm bashkarisht mund të ndalet Irani në armatimin bërthamor. Madje për këtë qëllim është angazhuar edhe kancelari dhe për këtë ai ndan të njëjtin mendim me Bushin. Ajo që e dallon atë nga Bushi është kufizimi i mjeteve duke u përqëndruar vetëm tek instrumentat bindës të diplomacisë dhe të politikës. Shrëder e konsideron si të rrezikshme iniciativën amerikane - ky është një vlerësim me të cilin Shrëder një herë pati sukses", konstaton "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

E përditshmja "DIE WELT" komenton fjalimin e kancelarit Gerhard Shrëder në ceremoninë përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të çlirimit të kampit të përqëdnrimit Aushvic. Citat: "Kancelari foli për turpin që mbetet duke e bërë dallimin, ashtu si edhe të gjithë kancelarët dhe presidentët përpara tij, mes fajit që u ngarkohet autorëve të krimit dhe përgjegjësisë që u mbetet brezave pas tyre - Përkujtimi shtetëror i gjermanëve duhet të karakterizohet nga hidhërimi dhe dëshpërimi. Çlirimi prej kësaj barre nuk mund të këkrohet as përpara dhe as më pas. A mund të riparohet me mjetet tokësore diçka që është e pariparueshme? Por ajo që duhet bërë është angazhimi për të drejtat e njeriut, kudo që ato shkelen, për shtetin ligjor dhe lirinë, kudo që ato shtypen. Me këto parametra duhet të vlerësohet politika gjermane", nënvizon komentatori i "DIE WELT".

E përditshmja e Bonit "GENERAL ANZEIGER" vëren: "Kancelari mbajti një fjalim që la përshtypje përpara Komitetit Ndërkombëtar të Aushvicit. Ai i bëri të qartë këtij forumi ndërkombëtar, se nuk ka mëshirë për ata që kanë lindur më pas, por duhet që ky vend - i vetëdijshëm për fajin - të angazhohet për t´u konfrontuar vazhdimisht me tmerret e historisë. Por sidoqoftë ky fjalim i përshtatshëm nuk do mund të zbusë presionin mbarëbotëror në rritje, gjë që doli në pah edhe gjatë ceremonisë përkujtimore në Berlin: bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta kuptojë, se si ky shtet nuk është në gjendje t´i ndalojë partitë ekstremiste. Kjo kritikë duhet të dëgjohet me rrespekt, por asaj edhe duhet t´i kundërvihemi. Sepse ky shtet nuk mund të pranojë kritikën, se po i neglizhon rreziqet e ekstremizmit", analizon "GENERAL ANZEIGER".

  • Data 26.01.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arx1
  • Data 26.01.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arx1