Pasqyra e shtypit të së enjtes | Studimi në Gjermani | DW | 19.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit të së enjtes

Gazetat gjermane përqëndrohen tek fillimi i mandatit të dytë presidencial të presidentit amerikan, Xhorxh Bush, sulmet e përfolura në Iran, si edhe në debatin mbi detyrimin ushtarak në Gjermani

Faqe kryesore gazetash gjermane

Faqe kryesore gazetash gjermane


Gazeta e Bonit "General Anzeiger" komenton fillimin e mandatit të dytë presidencial të Bushit: Pas katër vitesh të trazuara politike, presidenti amerikan Xhorxh Bush, duket se është më i pushtetshëm se kurrë. Por dukja të gënjen. Faktikisht, me fillimin e mandatit të dytë të Bushit, nis edhe rënia politike e tij. Kulmi i pushtetit të tij i përket së shkuarës. Kjo edhe për arsye të rregullave të lojës dhe strukturave të politikës amerikane. Bushi nuk mund të kandidojë më për një mandat tjetër, dhe po dobësohet pushteti i tij brenda partisë së vet. Republikanët tanimë mendojnë për zgjedhjet për kongresin amerikan vitin e ardhshëm dhe zgjedhjet presidenciale në vitin 2008. Kështu ndodhi me të gjithë presidentët në mandatin e tyre të dytë. Për Bush shtohen edhe kushte të tjera, që i kufizojnë hapësirat e tij të veprimit. Para së gjithash mali i ri i borxheve i krijuar vetëm në vitet e fundit e bëjnë atë administrator të asaj që mungon, dhe me pak mundësi për të formësuar vetë.

Gazeta e Vyrcburgut, "Main-Post" lidhur me fillimin e mandatit të dytë presidencial te presidentit amerikan Bush thekson, se sipas anketimeve të fundit, Xhorxh Bush ose urrehet ose adhurohet, të mesme tjetër nuk ka. Gjithashtu nga administrata e Bushit nuk mund të pritet strategji tërheqjeje. Edhe strategjitë e saj të suksesit kjo administratë nuk do t'i ndryshojë: me sinjale kontradiktore t'i hedhë hi syve opinionit publik. Ndërkohë që presidenti amerikan bën fjalë edhe për sulme të mundshme kundër Iranit, Ministrja e tij e Jashtme, Kondoleca Rajs, thekson rëndësinë e diplomacisë.

Gazeta e Kölnit, "Kölner Stadtanzeiger" lidhur me kërcënimet e SHBA ndaj Iranit vëren: "Edhe roli i "të policit të keq", nuk ka më një pozicion të mirë tek amerikanët. Edhe këtu kanë dhënë mësimet e veta zhvillimet në Irak. Iraku i lejoi inspektorët e armëve, ju nënshtrua kontrollit të bashkësisë ndërkombëtare, por kjo nuk e shpëtoi nga bombat. Këtë e kanë kuptuar me siguri në vendin fqinj, Iran dhe ky vend nxjerr përfundimin fatal, që kërcënimeve amerikane ju duhet përgjigjur me aramtim. Ndërmjetësuesve evropianë ndër ta edhe Ministri i jashtëm gjerman J.Fisher, diplomacia e ashpër amerikane ju a ka vështirësuar punën. Evropianët duhet të luftojnë në dy fronte. Ata duhet të bindin Teheranin se vërtet ja vlen heqja dorë nga një aventurë e bombës atomike.

Ndërsa gazeta "Berliner Zeitung" mbi presidentin amerikan Bush dhe debatin e fundit mbi Iranin shkruan: Bush ngriti gishtin kërcënues në një moment, në të cilin ai vetëm besueshmërinë e tij dëmton. Edhe mulahët vetë e dinë se ai nuk mund të veprojë ushtarakisht kundër tyre, përsa kohë që nuk e ka nën kontroll situatën në Irak. Më shumë ai ka nevojë për ndihmën e tyre, me qëllim që të fitojë për kooperim shiitët e Irakut. Nga lufta e Irakut duhet që amerikanët të kenë mësuar, se me ngritjen e gishtit nuk fitohen miqtë dhe se nuk nxiten reformat e domosdoshme në rajon kur aty sundon kaosi dhe varfëria.

Një temë tjetër e gazetave gjermane është debati aktual në Gjermani mbi detyrimin ushtarak.
Gazeta "Kölnische Rundschau" lidhur me këtë shkruan: Në këtë çështje nuk
është thënë akoma fjala e fundit. Në fund me siguri institucioni i Gjykatës Kushtetuese do t'a sqarojë çështjen. Vendimi i djeshëm i gjykatës lidhur me detyrimin ushtarak nuk mund të jetë aspak arsye për t'u lehtësuar Ministri i Mbrojtjes, Struk. Të gjitha shifrat nga institucioni i Peter Struk nuk mund të mbulojnë faktin, se detyrimin ushtarak mund t'a kryejë vetëm një numër i vogël i çdo viti lindjeje. Le të mbetemi këtu, se detyrimi ushtarak ka dhënë shërbime të mira për 50 vjet me radhë, ka ndihmuar në lidhjen e ushtrisë me shtetin në këtë vend, por për përmasat e sotme të bundesverit gjerman dhe mbi të gjitha detyrat e reja të tij, mund të bëhet edhe pa të.

Gazeta "Aachener Zeitung" lidhur detyrimin ushtarak thekson, se Peter Struk këmbëngul në detyrimin ushtarak, megjithëse atij po i mbarojnë gati të gjitha argumentat. Madje vetë shumë kundërshtarë të idesë së ushtrisë me profesion ushtari, kanë kuptuar se në detyrimin ushtarak gjerman, drejtësia lë shumë për të dëshiruar. Kush thirret në ushtri ka disavantazhe në krahasim me bashkëmoshatarët që nuk kanë shkuar ushtarë. Për shkak se kualifikimet afatshkurtra dhe fillimi i shpejtë i jetës profesionale bëhen shumë të rëndësishme për jetën e punës, shumë ushtarë që kanë kryer detyrimin ushtarak, në këtë pikë kanë probleme.

  • Data 19.01.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arx6
  • Data 19.01.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arx6