1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të sotëm gjerman

Auron DODI8 Mars 2004

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Greqi gjen sot vend edhe në komentet e gazetave gjermane. Vëmendje në gazetat e sotme gjermane u është kushtuar edhe propozimeve për reforma të Partisë Kristjandemokrate Gjermane CDU dhe Partisë Kristjansociale CSU.

https://p.dw.com/p/As1u
Kostas Karamanlis përshëndet mbështetësit pas fitores në zgjedhjet parlamentare në Greqi
Kostas Karamanlis përshëndet mbështetësit pas fitores në zgjedhjet parlamentare në GreqiFotografi: AP

Për temën e parë: gazeta NOJE OSNABRYKER CAJTUNG (NEUER OSNABRÜCKER ZEITUNG) nuk pret të reja të mëdha në Greqi, me ardhjen në pushtet të konservatorëve:

"Pas më shumë se dy dekadave në pushtet- me një pushim- Lëvizja Socialiste Panheleniste ishte mbyllur në vetvete dhe e kishte luftuar shumë pak korrupsionin. Shumica e qytetarëve dëshironin një fitimtar të ri. Të reja të mëdha nuk pritet të sjellë me vete ndryshimi (i pushtetit). Programet e dy partive të mëdha popullore gati sa nuk i dalloje dot nga njeri-tjetri:të dyja premtonin reforma ekonomike, më pak taksa dhe një shtet me pak burokraci. Edhe lidhja me perëndimin dhe BE është e padiskutueshme.

Për Karamanalisin tani ka rëndësi të mbledhë përvojë qeverisëse. Në detyrat e tij më të rëndësishme bën pjesë krijimi i marrëdhënieve më të çtensionuara me Turqinë dhe mbështetja e bisedimeve për ribashkimin e Qipros. Vendimtare gjithashtu është përgatitja e Lojërave Olimpike. Punimet e ndërtimit deri tani janë zvarrisur dhe ka pasur një sërë difektesh. Prandaj, kryeministri i ri do të matet në 100 ditët e para të tij nëse do të sjellë përmirësime."


Edhe gazeta DRESDNER NOJESTE NAHRIHTEN (DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN) mendon se megjithë deklaratat e bujshme për ndryshime, fitorja e konservatorëve nuk pritet të hapë një faqe të re për Greqinë:

"Po t'i besosh shefit të Demokracisë së Re, Konstantin Karamanlis, atëherë fitorja e konservatorëve hap për Hellas një perspektivë të re. Këtë mund ta harrojmë. Fakt është: kohët, kur zgjedhjet ishin të barabarta me ndryshime drejtimesh politike kanë kaluar edhe për Greqinë. Si përsa i përket integrimit evropian, fqinjësisë me Turqinë dhe stabilitetit në Ballkan- në çështjet vendimtare politike socialistët dhe konservatorët funksionojnë njësoj. Edhe në politikën e brendshme, Karamanlisi mund të ofrojë atë që ndodhet në programin elektoral të Pasokut: pak ekonomi tregu sociale, pak neoliberalizëm, dhe i gatshëm është koncepti i shitjes. Socialistët dhe konservatorët nuk përfaqësojnë politika kaq të ndryshme, se sa më tepër klanet rivalizuese të familjes Papandreu dhe Karamanlis. Nëse rezultati ndryshon vërtet diçka, atëherë në rastin më të mirë ndarjen e bamirësive financiare dhe të pushtetit të shtetit."

Ndërrojmë temë: në Partinë Kristjandemokrate Gjermane CDU dhe Partinë Kristjansociale CSU, pas emërimit të kandidatit të përbashkët për president, në rend të parë është kërkimi i pozicioneve të përbashkëta për reformat në Gjermani. Gazeta FRANKFURTER ALGEMAJNE CAJTUNG (FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG) vëren për këtë:

"Pasi në politikën e taksave nuk u arrit të bëhet me sukses hapi i madh përpara, unionistët përpiqen edhe në tregun e punës që të mbulojnë me kërkesa me fjalë të forta humbjet e veta. Si aleancat për punësimin, si ndryshimet në kontratat e punës, ashtu edhe reforma e ndihmës për të papunët- të gjitha këto ishin njëherë në rend të ditës- dhe çdo herë unionistët lëshuan pe. Ndërsa për një reformim radikal të Agjencisë Federale për Punën, siç e ka skicuar atë Partia Liberale, partive unioniste u mungon deri tani guximi."


Krejt ndryshe e sheh këtë temë gazeta që del në Berlin TAGESCAJTUNG (TAGESZEITUNG).

"Nuk është e nevojshme të citosh pohimin e Anxhela Merkelit për "ekonominë sociale të tregut" për t'u habitur për projektvendimin për të drejtën e punës. Përse ekziston në fund të fundit mbrojtja nga pushimi nga puna? Sepse në tregun e punës, nga ana strukturore punëkërkuesi është i nënshtruar ndaj sipërmarrësit. Veçanërisht kur konkurojnë miliona të papunë dhe pak vende të lira pune. Tregu i punës do të dështonte krejtësisht, nëse nuk do të ekzistonte masa korrigjuese e mbrojtjes prej pushimit nga puna dhe kontratat bazë të punës. Politika e Merkelit po bëhet më e dukshme: një shifër standard për pagesat në shërbimet shëndetësore, reformë taksash në të mirë të atyre që fitojnë më shumë, një funksionar të financave si president të Gjermanisë dhe tani e drejta e fiksuar në ligj e shtresave të caktuara ekonomike."