Pasqyra e shtypit ndërkombëtar | Studimi në Gjermani | DW | 21.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar

Analistët e gazetave ndërkombëtare u fokusuan gjatë javës së kaluar tek disa tema te ndryshme: Debatin mbi dëbimin e gjermanëve sudetë pas vitit 1945 nga ish Çekosllovakia, zgjedhjet në landin e Nordrein Vestfalisë dhe debatin e ri mbi klonimin gjenetik.

Gazeta çeke PRAVO shkruan mbi vizitën e kancelarit gjerman Gerhard Schröder në Çeki:

"Në përgjithësi nuk ekziston asnjë problem mes Berlinit dhe Pragës - por kjo nuk do të thotë se secila palë ka një perceptim të ndryshëm mbi të kaluarën e përbashkët. Sidoqoftë kancelari gjerman nuk shprehu asnjë ton kërcënues në fjalimin e tij, duke reaguar kështu krejt ndryshe nga Edmund Stoiber, i cili i ka bërë shpesh herë thirrje Pragës që të veprojë si dëshiron ai. Pra të heqë dorë nga dokumentet e Benes, t´u rikthejë pronat qytetarëve, t´u lutet të dëbuarve nga lufta që të rikthehen në atdhe si edhe të fillojë dialogun zyrtar me të gjitha shtresat e popullsisë."

Ndërkohë gazeta çeke LIDOVE NOVINY shkruan mbi takimin tradicional të gjermanëve sudetë:

"Ata gjermanë sudetë që prisnin një gjest pajtues, u dëshpëruan rëndë. Bisedat në Çeki mbi të dëbuarit mbeten monologje dhe duan ende kohë deri sa të kthehen në dialogje. Por ka dy mundësi për ta zgjidhur këtë problem: Mundësia e parë është që qeveritë në Pragë dhe Berlin të bashkëpunojnë pa marrë parasysh mendimet e vetë të dëbuarve. Alternativa tjetër është që ato të fillojnë më në fund që të veprojnë, ashtu siç po bëjnë mijëra njerëz, nga politikanë lokalë e deri në qytetarë të thjeshtë."

Ndryshojmë temë. Gazeta londineze THE TIMES përqëndrohet tek zgjedhjet e të dielës në landin e Nordrein Vestfalisë:

"Në rast se partia social demokrate SPD do t´i humbasë këto zgjedhje, atëherë Schröder nuk do ta marrë dot më veten nga kjo goditje. Partia social demokrate SPD nuk ka mësuar ende nga gabimi ekonomik. Kjo parti nuk do të mund t´i fitojë votat e të papunëve duke zhvilluar një luftë kaq naive kundër kapitalizmit. Ndërkohë partia opozitare e kristian demokratëve me Angela Merkel në krye ka paraqitur një program të qartë për vende të reja pune, i cili ka shkaktuar duartorkitje të zjarrta për këtë parti."

Gazeta NEUE ZÜRCHER ZEITUNG nga Zvicra komenton:

"Humbja e pushtetit në Dyseldorf pas 39 vitesh do të ishte një shuplakë e fortë për partinë social demokrate SPD dhe në rast se do të ndodhë vërtetë kështu, atëherë shumica e antarëve të kësaj partie do të kërkojë nga Gerhard Schröder që ta korrigjojë politikën e tij. Për Schröderin vetë katastrofa do të ishte kështu e pashmangshme: Atij do t´i duhej ta mbronte politikën e tij kundrejt opinonit publik dhe në të njejtën kohë të respektonte dëshirën e partisë social demokrate SPD."

Ndërkohë gazeta BERNER ZEITUNG shkruan mbi klonimin e njerëzve në Belgjikë, Korenë e Jugut dhe Britaninë e Madhe në mënyrë shumë cinike:

"Në rradhë të parë shkencëtarët duan të zhvillojnë me klonimin e tyre gjenetik një armë kundër sëmundjeve të pashërueshme. Por meqënëse shkencëtarët janë njerëz shumë të përgjegjshëm, ata kanë vendosur ta përmirësojnë paksa atë që ka krijuar Zoti. Opinioni publik vazhdon të tallet mbi informacionet se ka njerëz të klonuar në këtë botë. Normat etike mund të përshtaten gjithkund: Njeriu mund të krijohet sipas disa masave të caktuara dhe të ketë vetëm gjene perfekte. Bota e re do të jetë e bukur."

Dhe në gazetën pariziene LE MONDE lexojmë:

"Në një sektor që ka të bëjë me thelbin e jetës dhe identitetin e individit, duhet pasur shumë kujdes. Por ndalimi i plotë i klonimit mund të shkaktojë një situatë tepër të rrezikshme si për shembull trafikimin e embrioneve që prodhohen në laboratore private. Kjo situatë mund të kthehet në një revolucion të paimagjinueshëm."

Dhe së fundi një analizë mbi referendumin francez për Kushtetutën Evropiane që do të zhvillohet më datën 29 maj. Gazeta OUEST FRANCE nga Rennes në Bretanjë bën thirje që vepra gjermano-francezë mbi marrëveshjet evropiane të mos rrezikohet:

"Franca dhe Gjermania kanë marrë me vete edhe shumë shtete të tjera, të cilat e kanë kuptuar se bashkimi jo vetëm bën fuqinë por edhe paqen. Në rast se ne nuk do ta pranojmë këtë kushtetutë, nuk do t´i bëjmë asnjë nder atdheut tonë. Përkundrazi, Franca do të ecë një hap mbrapsht dhe të gjitha përpjekjet për zhvillim do të dështojnë."

  • Data 21.05.2005
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvR
  • Data 21.05.2005
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvR