Pasqyra e shtypit ndërkombëtar | Studimi në Gjermani | DW | 29.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar

Një ndër temat kryesore të gazetave ndërkombëtare të javës që sapo kaloi ishte vizita e kancelares gjermane Angela Merkel tek presidenti rus Vladimir Putin në Tomsk të Sibirisë. Tema kryesore e bisedimeve ishte debati mbi furnizimin me gaz të Evropës nga Rusia.

Merkel dhe Putin në Tomsk

Merkel dhe Putin në Tomsk

Gazeta spanjolle EL PAÌS shkruan:

“Të gjithë evropianët duhet të shpresojnë në interes të tyre, se marrëdhëniet bilaterale mes Rusisë dhe Gjermanisë, do të mbeten të mira. Konfliktet mes këtyre dy gjigandëve kanë shkaktuar gjithmonë katastrofa jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën. Por nga ana tjetër, frika e shumë njerëzve kur këto dy shtete kuptohen shumë mirë me njëra-tjetrën, është gjithashtu e drejtë. Sepse në shumicën e rasteve, kontratat që kanë nënshkruar Gjermania me Rusinë, janë injoruar plotësisht nga shtetet fqinje.“

Gazeta ruse ISWESTIJA komenton:

„Shpresa se tani marrëdhëniet gjermano-ruse do të përmirësohen, nuk do të plotësohet. Dhe kjo ndonëse Rusia i bëri një favor të madh ekonomisë gjermane. Hyrja e firmave ruse në tregun deri tani pothuajse të mbyllur evropian, mbetet e vështirë.“

Gazeta amerikane NEW YORK TIMES mendon ndryshe:

“Gazprom dhe dega energjitike e koncernit kimik gjerman BASF, nënshkruan një kontratë domethënëse për gazin. Kjo kontratë do ta lehtësojë hyrjen e monopolistëve rusë në tregun evropian. Ky ishte një gabim i ri për listën e të gjitha gabimeve të tjera teknike të koncernit Gazprom në Evropë. Sipas kësaj kontrate projektet mbi gazsjellësin do të zhvillohen në të gjithë kontinentin, nga veriu në Detin Baltik e deri në jug të Evropës, në Turqi.“

Gazeta bullgare DNEWNIK ankohet, se dominanca e Gazpromit po përdoret si armë politike kundër të gjitha shteteve të ish Bashkimit Sovjetik dhe Ballkanit:

„Pothuajse 17 vjet kanë kaluar që prej përfundimit zyrtar të Luftës së Ftohtë. E megjithatë tani një fantazmë e re po sillet nëpër kontinentin e vjetër. Por këtë herë ajo nuk quhet komunizëm, por pasiguri energjitike. Sidoqoftë prejardhja e kësaj fantazme është sërish Rusia, e cila ka tani në duar fatin e të gjithë Lindjes së Evropës.“

Ndryshojmë temë: Irani vazhdon të tregohet mospërfillës ndaj të gjitha kërcënimeve të bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria iraniane nuk ju përmbajt afatit të vënë nga Këshilli Botëror i Sigurimit dhe vazhdon ta përdorë lëndën e uranit në programet e tij bërthamore.

Gazeta londoneze THE GUARDIAN shkruan:

“Këtu nuk bëhet fjalë për një ndryshim të qeverisë apo për një luftë kulturash. Ne duhet të vazhdojmë të besojme tek idea se mund të arrijmë një marrëveshje me Iranin, ndonëse presidenti i ka larguar të gjithë nga vetja. SHBA-s kanë nevojë për Iranin, në mënyrë që të mbulojnë kaosin që kanë shkaktuar në vendin fqinj Irak. Prandaj amerikanët nuk arrijnë gjë kur deklarojnë se Teherani zyrtar është një një diktator i vërtetë.“

Edhe gazeta DE VOLKSKRANT nga Hollanda komenton se diplomacia është arma më e mirë:

„Me sjelljen e tij kokëforte, Irani po kryen një politikë të rrezikshme. Sidomos tani që Korea e Veriut ka gjithashtu raketa në dispozicion. Edhe kërcënimi më i fundit se Irani do ta ndajë teknologjinë bërthamore me shtete të tjera, si Sudanin, është tepër i rrezikshëm. Por ky rrezik nuk duhet ta ndalë Uashingtonin, që të kërkojë një dialog të drejtpërdrejtë me Iranin.“

Gazeta zviceriane TAGES-ANZEIGER analizon:

„Debati mbi programin bërthamor iranian dominohet nga Teherani dhe presidenti i tij i paturpshëm Mahmud Ahmadinexhad. Por situata nuk është aq e pashpresë. Në rast se ekspertët kanë të drejtë, atëherë Iranit i duhen të paktën 5 deri 10 vjet deri sa ta ndërtojë armën bërthamore, ndonëse presidenti Ahmadinexhad i kërcënon me zë të lartë.”

Gazeta britanike DAILY TELEGRAPH beson se sanksionet janë një zgjidhje e frytshme:

“Megjithë çmimin e lartë të naftës, ekonomia vazhdon të jetë pika më e dobët në Iran. Papunësia, sidomos tek të rinjtë dhe inflacioni janë shumë të larta. Debati mbi programin bërthamor ka shkaktuar tërheqjen e kapitalit nga Irani dhe bllokimin e investimeve të huaja në vend. Për këtë arsye Uashingtoni dhe partnerët e tij duhet të ushtrojnë presion nëpërmjet sanksioneve ndaj një regjimi, i cili mundohet të fshehë nën deklaratat e tij të paturpshme, qeverinë korrupte dhe të paaftë të Ahmadinexhadit.“


Dhe së fundi në gazetën franceze LE FIGARO lexojmë:

“Populli iranian e do programin bërthamor, por jo luftën. Iranianët kërkojnë në mënyrë nacionaliste hyrjen e republikës islamike në botën e teknologjisë nukleare. Por pas krenarisë kombëtare fshihet frika se vendi mund të izolohet krejtësisht në rast se vihen sanskione ndaj tij. Ose po të përdorim fjalët e ministres së jashtme amerikane Condoleeza Rice, se mund të `kthehet sërish dhuna` në vend.“

  • Data 29.04.2006
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqB
  • Data 29.04.2006
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqB